Gjera qe duhet te dini per parandalimin e shtatzenise

5 gjëra që duhet të dini për parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara pas lindjes së një fëmije

Psa lindjes së fëmijës, aftësia për të mbetur shtatzënë kthehet shpejt – më shpejt se sa ju mendoni.

Ju mund të mbeteni shtatzënë para se të ju jenë kthyer menstruacionet pas lindjes. Nënat që nuk ushqejnë foshnjën me gji mund të mbeten shtazëna 30 ditë pas lindjes. Ndërsa për nënat që ushqejnë foshnjën me gji , aftësia për të mbetur shtatzënë, varet nga shpeshtësia e ushqyerjes me gji, si dhe mosdhënia e ushqimeve të tjera, si ujë, lëng frutash, qumësht zëvëndësues etj. Mos prisni ardhjen e periodave për t’u mbrojtur nga shtatzënitë e paplanifikuara.

Hapësira në kohë e shëndetshme midis shtatzënive

Pas lindjes së fëmijës ju dhe bashkëshorti duhet të prisni të paktën 2 vjet para se të mbeteni shtatzënë përsëri. Gjatë kësaj kohe trupi juaj do të mund të rimarrë në dorë energjitë dhe të forcohet përsëri, kështu do të keni mundësinë të kujdeseni më shumë dhe më mirë për fëmijët tuaj të sapolindur. Njëkohësisht, mundësitë për të lindur një fëmijë para kohe dhe nën peshë do të jenë më të vogla në shtatzëninë tuaj të ardhshme.

Ushqyerja e fëmijës me gji ju ndihmon të mbroheni nga shtatzënitë e paplanifikuara

Mund ta përdorni ushqyerjen e fëmijës me gji si një mënyrë për të parandaluar shtatzënitë e paplanifikuara, por duhet të siguroheni se i përmbushni njëkohësisht këto tre kushte:

  1. Ju e ushqeni fëmijën VETËM me gji aq shpesh sa të kërkojë, ditën dhe natën- por mos e lini më shumë se 3 orë pa ushqim shtesë, qoftë ky ujë apo lëngje të tjera. Qumështi i nënës plotëson çdo nevojë të fëmijës deri në 6 muaj pas lindjes.

2. Juve nuk u kanë ardhur periodat.

3. Foshnja është 6 muaj ose më pak

Kur këto tre kushte përmbushen njëkohësisht, formojnë një metodë shumë të sigurt të Planifikimit Familjar – Metodën e Amenorresë nga Laktacioni. Nëse njëri nga këto kushte të kësaj metode ndryshon, ju mund të mbeteni shtatzënë përsëri, nëse nuk mbroheni me mënyra të tjera. Vazhdoni ta ushqeni fëmijën me qumësht gjiri dhe diskutoni me mjeken apo maminë për të zgjedhur një metodë të Planifikimit Familjar, për t’u mbrojtur nga shtatzënitë e paplanifikuara.

Metoda të tjera për parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara, ndërkohë që ushqeni fëmijën me gji

Ju mund të vazhdoni të ushqeni fëmijën me qumësht gjiri dhe njëkohësisht të përdorni metoda të tjera të Planifikimit Familjar, të cilat nuk ndikojnë në cilësinë e qumështit të gjirit:

  1. Prezervativët
  2. Spiralja ( aparati )
  3. Kokrrat apo metoda me injeksion ( gjilpërat) për nënat që ushqejnë me gji
  4. Lidhja e tubave për gratë apo sterilizimi mashkullor për burrat si metoda të përhershme apo të parikthyeshme të planifikimit familjar

Pyesni ose diskutoni me mjekun apo maminë nëse doni të filloni një metodë të Planifikimit Familjar për të parandaluar apo shtyrë shtatzënitë tuaja. Shumicën e këtyre metodave e gjeni pranë qendrave tuaja Shëndetësore.

Mbani mend: pas lindjes së fëmijës ju jeni e aftë të mbeteni shtatzënë përpara se t’ju kenë ardhur menstruacionet. Filloni të përdorni një metodë të planifikimit familjar, para se t'ju vijnë periodat.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.