Shen Valentini

Shën Valentini

Për dikë shkurti është muaji i Sanremos, sidomos me fitoren e Ermal Meta, për dikë ditëlindja e Elvanës, ndërsa për dikë tjetër Shën Valentini.

Shën Valentinin e parë që kalon vetëm, qan dhe mërzitesh, sepse je akoma e re dhe nuk ke strukturuar ende arkitekturën tënde emotive që të bën të jetosh e vetmuar në botë. Të duket sikur mashkulli është një faktor i domosdoshëm në jetën tënde. Nuk është, por do e kuptosh më vonë.

Vitin e dytë që kalon vetëm, je ende e re dhe mendon që herët a vonë të gjithë ndahen. Pak rëndësi kanë, çokollatat, darkat me qirinj, surprizat, puthjet dhe zemrat. Të gjithë janë tradhtar.

Vitin e tretë që kalon vetëm mendon që jeta në çift nuk është për ty. Është mëse e dukshme. Çifti është një institucion tashmë i vjetëruar, i përket të kaluarës. Na pëlqen apo jo, jetojmë në epokën e rrjedhshmërisë dhe cekëtinës së ndjenjave. E kur je në çift dashje pa dashje, jeta ndonjëherë përfundon edhe në frustrim, rutinë dhe kërkimin e emocioneve jashtë çiftit. Çifti është një nga ato gënjeshtrat e bukura për të cilat ka nevojë populli, për t’u përballur më mirë me kompleksin e ekzistencës. Por,  jeta në çift kthehet gjithashtu në një lum problemesh të tjera, megjithatë ti je më e zgjuar dhe e eliminon problemin që në origjinë. Me pak fjalë po bëhesh ekstremiste radikale.

Në vitet në vijim nuk mendon më për Shën Valentinin, humb numërimin, si ata që nuk festojnë më ditëlindjet se nuk e mbajnë mend moshën. Nejse, argumenti nuk të intereson më. Megjithatë dhe ti i nënshtrohesh dhunës mediatike dhe utilitare të marketingut të lidhur më rastin. Udhëtime në çift, darka në çift, masazhe në çift, minuta shtesë në çift, terapi në çift etj, etj, etj .

Mundohesh të injorosh, reklamat, revistat, Facebook-un, Instagram-in, radion.

Qëndron fakti që edhe nëse je e emancipuar, edukuar, mëndjehapur  ti ende vazhdon të zhvillosh në mënyrë shumë delikate një lloj antipatie për këtë festë. Pastaj them, me kaq pak single sa ka Tirana, me martesat që zgjasin sa një bronkopolmonit, me tradhtinë që të troket te dera. Mah, për çfarë po flasim ? Pse duhet të vlerësojmë Shën Valentinin, roli i vetëm i së cilës është t’i kujtojë atyre që janë çift që duhet të duhen( dhe të ndihmojnë ekonominë e vendit) … po ne? Ne që nuk jemi çift ?

Ne që nuk jetojmë nga ato dashuritë me çdo gjë në rregull, dashuri konstruktive, dashuri eskluzive, me një Ferrero Rocher në dorë. Ne që dashurojmë pa ditur si dashurohet, që dashurojmë atë që nuk na do dhe që duhemi nga njerëz që nuk duam ? Në që dimë çdo gjë për dashurinë por dhe s’dimë gjë për të? Ne që e ngatërrojmë gabimin dhe që nuk dallojmë ekuilibrin nga teprica, dhe qetësinë me apatinë ? Ne që konsumojmë shpirtin në pritje të një shkëndije në atë pjesë anatomike, të pakapërcyeshme që gjendet midis qafës dhe kërthizës?

Ne që një ditë e pyesim veten nëse do dashurohemi më, ndërsa ditën tjetër se pse askush nuk na do. E një përgjigje të saktë nuk mund ta gjesh, se për kshu gjërash përgjigje të sakta nuk ka.

Ne që duam dikë që nuk është, dikë që ka ikur, dikë që ndoshta do të kthehet, ose jo ? Ne që kemi bërë të vuajmë dhe kemi vuajtur duke koleksionur histori zhgënjimi por që ende besojmë te dashuria ? E pra ne çfarë të festojmë ?

Durim, puna e dashurisë është si një puzzle, e ti ( ose unë) do jesh ndonjë copë nga mesi, e veshtirë për të ja gjetur vendin. Ki besim dhe durim, edhe nëse nuk ke. Edhe nëse me puzzle nuk ke luajtur kurrë.

Zhaklin Lekatari

2 komente

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  • Eh ce ka gjetur njerezimin. Femra e meshkuj lindin te lodhur e skane energji te mbajne njeri tjetrin. Dhe goditjet i ha familja e vetmja celule qe ne shumicen e rastit ben vazhdimin e llojit.
    Eshte nje trend qe ka kapluar gjithe boten, femrat se durojne me burrin se skane me energji per te perballuar jetesen ne cift, Ne shume raste femrat skane energji as per rritjen e femijes.
    Dhe bota mbushet perdite me singles me singles mom, me divorced daddy etj.
    Bota e ka kaluar kete trend dhe popullsite zvogelohen ne ate mase sa rriten pleqt e lindje ska.
    Ka hyre dhe te ne ky trend dhe ten ne dhe familja klasike ka ngrene goditje te forta. Ka rritje divorcesh ne progres.
    Masa duket natyra po ben makanizmat e saj per te ulur popullsine ne bote. Sa me shume zvillohet nje shoqeri aq me shume resurse te natyres perdor individi. Po resurset e natyren kane nje fund dhe kesisoj ajo fut te tilla mekanizma qe te ule rritjen e pollsise ne bote.
    Une keshtu e kuptoj trendin e ri pa familje.

    • Po jam dakort deri diku me kete qe thua. Natyra eshte mekanizem shume perfekt.