HPV dhe burrat

Virusi HPV , një çështje që përfshin edhe burrat

Prej vitesh kemi dëgjuar të flitet dhe të shkruhet për Human Papilloma Virus, dhe rrezikun e madh që ai paraqet për gjininë femërore, duke e shndërruar HPV-në në virusin e vajzave dhe grave me sjellje më të lirshme. Ky është një mentalitet i dëmshëm dhe i rrezikshëm, jo vetëm sepse dënon gruan dhe zgjedhjet e saj, por sepse anashkalon burrin dhe rreziqet me të cilat ai mund të përballet kur bie në kontakt me këtë virus.

Përsa i përket burrave, faktorët që ndikojnë në marrjen e infeksionit HPV janë: fillimi i shpejtë i aktivitetit seksual, ose sjellje seksuale të karakterizuara nga një numër i madh partnerësh ( gjini mashkullore apo fëmërore). Megjithatë, edhe infeksioni seksual më i përhapur te burrat, në pjesën më të madhe të rasteve, përfundon në heshtje pa simptoma, duke u larguar nga sistemi imunitar pa e kuptuar fare personi. Thënë kjo, përhapja e infektimit, rrit numrin e bartësve të shëndetshëm: një rrezik për gratë që kanë marrëdhënie me to, të cilat jo vetëm duhet të mbrohen me prezervativ, por dhe nëpërmjet vaksinës.

Për të ditur diçka më shumë rreth virusit HPV dhe rrezikut që infektimi shkakton te burrat, kemi kryer një bisedë me mjekun urolog-androlog dr. Artan Koni.

Tabu Blog : Dr. Koni, HPV është virus i rrezikshëm edhe për burrat, por në cilat pjesë të aparatit të tyre uro-gjetinal  ?

Dr. Artan Koni : HPV është një virus i rrezikshëm për burrat, sidomos në zonën gjenitale dhe anale. Ka shumë lloje HPV, disa prej të cilëve shkaktojnë kancerin penil dhe kancerin anal. Për fat të mirë këto lloje të rrezikshmë HPV-je janë më pak të përhapur në hapësirën tonë gjeografike, sepse preferojnë më shumë gjeografinë sub-sahariane, ose Afrikën tropikale. Megjithatë ndonëse në vendin tonë ka më pak prezencë, kjo nuk do të thotë që virusi nuk është prezent kështu që duhet t’i kushtojmë kujdesin e duhur edukatës seksuale.

Tabu Blog: Dr. Koni,  ndonjë ndryshim në mënyrën se si reagojnë trupi i burrit dhe gruas ndaj këtij virusi ?

Dr Artan Koni: Në aspketin qelizor nuk ka ndryshim, por në aspektin klinik, po, ka ndryshim. Nëse tek burrat shenjat janë të dukshme që në fazat e para, tek femrat ky virus kalon në heshtje… dhe mënyra e vetme për ta diagnostifikuar në kohë, është kontrolli vjetor i qafës së mitrës te gjinekologu.

Tabu Blog: Dr. Koni, a shkakton HPV infertilitet te burrat ?

Dr. Artan Koni: HPV-ja shkakton rrallë infertilitet te burrat, zakonisht vetëm te rastet  që kanë shumë kohë pa u trajtuar.

Tabu Blog: Dr. Koni, përsa i perket vaksinës te burrat, në çfarë moshe bëhet dhe mund ta bëhet dhe nëse personi është infektuar ?

Dr. Artan Koni: vendimi ideal është që vaksina të bëhet para fillimit të jetës seksuale. Gjithsesi vaksina ndihmon edhe nëse jemi të infektuar. Vaksina bëhët me 2-3 doza, me një hapësirë disa mujore dozash dhe mund të aplikohet deri në moshën 45 vjeçare.

Tabu Blog: Çfarë testi duhet të bëjë një burrë që të kuptojë nëse është i infektuar ?

Dr. Artan Koni: Për momentin nuk ekziston një test rutinë për HPV-në te gjinia mashkullore. Testi më i sigurt është heqja e lezioneve dermatologjike ( lythave të dukshëm) dhe ekzaminimi i tyre patologjik ( shkurtimisht, mbjellja).

Zhaklin Lekatari

2 komente

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.