Kujdesi vetjak për ata që kanë penis

Kur njërëzit mendojnë për kujdesin vetjak, zakonisht ata fokusohen te dieta, ushtrimet apo vetëdijësimi, të cilat janë shumë të rëndësishme; por ka shumë pjesë të tjera të trupit tonë që kanë nevojë për kujdesin tonë. Më i rëndësishmi është sistemi riprodhues. Ka shumë mënyra se si duhet të kujdesemi për veten, në afate të shkurtra apo të gjata.

Një shembull shumë i mirë i kujdesit për veten që përfshin kujdesin afatshkurtër dhe afatgjatë është ejakulimi.  Nuk e di a ka ndonjë burrë që nuk ndjen kënaqësi gjatë ejakulimit apo që nuk është i fiksuar me të. Nëse nuk je, nuk do të thotë që je më pak burrë. Në çdo cep të veprimtarisë së Tabu-së e keni të shkruajtur që ejakulimi është një veprim i shëndetshëm në kohë sepse ndihmon shëndetin e përgjithshëm. Një studim i Universitetit të Harwardit, ka treguar që burrat që ejakulojnë të paktën një herë në ditë gjatë të 20tave të tyre, kanë më pak mundësi të vuajnë nga kanceri në prostatë me kalimin e viteve. Teoria që qëndron mbas kësaj ideje, bazohet te fakti që bashkë me ejakulimin, largojmë dhe gene kancerogjene të cilat zhvillohen në lëngun seminal dhe kanalin prostatik.

Pjesa më e vështirë është ejakulimi në një mënyrë të shëndetshme dhe gëzueshme. Nëse ke një partner që ka qejf të bëjë seks përditë shumë mirë, por kjo nuk do të thotë që duhet të detyrosh partnerin që të bëjë seks meqë është e shëndetshme. Mund të masturbohesh vetëm, në dhomën e gjumit apo në tualet pa bezdisur dhe pa të bezdisur njeri. Ndërkohë që nëse bën seks, mos harro të vendosësh prezervativin. Disa njerëz mendojnë që është si të bësh seks i veshur, dhe për disa mund të jetë e vërtetë, por shëndeti ynë afatgjatë është më I rëndësishëm se sa një natë seksi pa prezervativ. Po i lej nga një anë shtatzanitë e padëshiruara, por kini parasysh që mund të lini shtatzanë të dashurën tuaj dhe nëse jeni mjeshtra të metodës së tërheqjes. Problematika e vërtetë janë sëmundjet seksualisht të trasmetueshme të njohura si IST. Këto shkaktohen nga një numër i madh bakteresh, virusesh, dhe kërpudhash të cilat mund të ndikojnë negativisht në shëndetin tënd gjatë gjithë jetës. Ndërkohë që infeksionet janë të kurueshme, nuk besoj se dikush nga ju dëshiron plagë të dhimbshme, kancer në penis, ose HIV. Prandaj përderisa të jesh i sigurt që ti dhe partneri jëni IST free, apo që je një një marrëdhënie ekskluzivisht monogame, përdor prezervativin. Ky akt është për të mirën tënde, dhe të tjerëve, sot dhe mot.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kujdesit për organet riprodhuese është smegma. Përpos emrit të çuditshëm, smegma është diçka lehtë e përballueshme e cila parandalon irritime dhe lëndime të lëkurës. Smegma ju ndodh zakonisht atyre që nuk janë bërë synet, por që mund të shfaqet te kushdo që ka një penis. Po çfarë është smegma ? Është vetëm një mënyrë moderne dhe kurioze për të quajtur lëkurën e vdekur dhe yndyrën që akumulohet të lëkura e penisit. Kështu që me shumë kujdes tërhiq lëkurën që të zbulosh ato zona që normalisht janë të mbuluara, dhe me kujdes pastro zonën me sapun dhe ujë. Kujdesu që të kthesh përsëri lëkurën në vend. Është shumë e këshillueshme që të lëvizësh lëkurën para dhe mbrapa duke mos e lënë që të ngecë në asnjë pozicion. Nëse lekura që fillimisht ke tërhequr nuk shkon në  vend, atëherë duhet të shkosh patjetër te mjeku.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme është vetë kontrolli i testikujve. Më shumë duket, se sa është, e çuditshme kuptohet. Është shumë e rëndësishme, sidomos për moshat e reja, sepse kanceri në testikuj zhvillohet kryesisht nga 20 në 40 vjeç. Pra, një herë në muaj, mbas një dushi apo një banjoje, përdor gishtat për të ndjerë testikujt e tu. Duhet të kenë të njëjtën madhësi dhe teksturë. Nëse dallon ndonjë nyje apo diçka të pazakontë, drejtohu te mjeku.

Kujdesi për veten vjen në shumë forma, mos neglizho kujdesin tënd seksual. LOVE

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.