Kultura e perdhunimit

Çfarë është kultura e përdhunimit dhe pse e promovojmë ?

“Mos na fusni në një thes sepse nuk jemi të gjithë njësoj”

Shpesh herë kalojmë nga fjalia “ Mos na fut të gjithëve në një thes se nuk jemi të gjithë njësoj” te “Nëse ju feministet urreni burrat, ky është problemi juaj”. Një mënyrë kurioze për të kundërshtuar dënimin ndaj sjelljeve të pahijshme, duke na thënë që burrat nuk janë të gjithë ashtu, të këqinj, ndërkohë ne ( feministet, gratë) më sa duket jemi të gjitha kështu. Si jemi nuk e kemi ende kuptuar. Me nerva ndoshta, por është mëse normale. Të nevrikosura dhe pa pikë xhentilese e brishtësie, për një problem që nuk ka të bëjë me mirëqënien, kujdesin, por me egon, që duhet të digjet.

Ka dhe një version tjetër të kësaj fjalie, version më manipulues “ Edhe unë kam qenë feminist, derisa kuptova që jeni në luftë kundër nesh”. Sigurisht që një deklaratë e tillë bëhet për të pritur një duartrokitje apo ovacion sepse vjen nga një mbajtës testikujsh, që nëse nuk arrin shenjtërimin, të paktën do kapi një turmë adhuruese vajzash.

Sa herë kam lexuar postet dhe komentet mbi ngjarjet e  tmerrshme të dhunës ndaj fëmijëve, vajzave e grave shqiptare, jam neveritur.  A nuk i keni lexuar edhe ju komentet që “ajo e pati fajin vetë” ? Sepse i kruhej, sepse provokonte, sepse vishej shkurt, sepse nuk duhet të kishte besim. A nuk ju duket dhe ju sikur nuk po bëjmë gjënë e duhur kur në internet lexon që pedofilia tashmë është sjellje seksuale ? Duhet pranuar si e tillë?  Asnjë zemërim apo angazhim shoqëror nuk i ka ndaluar 60 vjeçarët e botës të bëjnë seks më vajza tajlandeze ( përpos coronavirusit),  megjithatë a nuk do dëgjojmë përsëri fjalinë “ Nuk jemi të gjithë kështu?”.  

Pse nuk ndalet ky seksizëm dhe kjo dhunë kur nuk janë të gjithë kështu ? Sepse bota është plot me burra që nuk janë të tillë, por që kur marrin një meme në whatsapp, qeshin dhe e shpërndajnë te shoket e tjerë. Jam e sigurt që në vetminë e tyre, “djegin rrobat e trupit nga inati”, por sa prej tyre kur shohin një byçë dhe një gjoks të bukur nëpër rrjete sociale, komentojnë “: Kjo meme lind nga një kulturë përdhunimi”. Ndani mendjen pra, e promovoni apo jo përdhunimin ?”

Prandaj jo, nuk jeni të gjithë të tillë, por nëse jetojmë në një shoqëri të magjepsur nga dhuna mashkullore, e të  zhytur në një kulturë plot testosteron, ku mashkulli është fuqia dhe të tjerat janë hije të një mëmësie të ëmbël; nëse femërorja është një përjashtim mbi të cilin ende vendos gjinia mashkullore, kjo ende ndodh jo sepse e kanë merituar, por sepse e kanë vjedhur më përdhunime fizike apo virtuale. Ato përdhunime për të cilat flasin gjysma e mesazheve apo komenteve që lexojmë në rrjete sociale. Një shoqëri ku dhuna dhe përdhunimi janë armë të fuqishme, apo arsyeja se pse burrat nuk kanë kritikë brenda llojit, sepse në fund ata e dinë që zëmërimi i tyre do i tregojë të dobët para miqve dhe shokëve.  

Ok po ju besojmë nuk jeni të gjithë të tillë. Megjithatë ndoshta nuk duhet të na e shpjegoni ne, por njerëzve të duhur, në kontekstet e duhura. Kur të ndodheni para një vitheje të bukur dhe para të gjitha dëshirave të shprehura kundrejt saj, ndaloni dhe mendoni të kuptoni sa e vështirë është të thuash jo, KJO NUK MË BËN TË QESH. Aty do e kuptoni sa e gjatë është rruga që duhet të bëni. Sa e gjatë është rruga që duhet të bëjmë të gjithë bashkë.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.