historia ime

Shqipëria Dhe Kanadaja Hipokrite: Ju tregoj historinë time transgjinore

Nga Lukas Livia

Jetoj në Kanada prej 22 vitesh. Jam djalë trans me 2 kufizime aftësie: fizikisht kam sëmundjen e kockës të quajtur “osteochondromatosis”, e cila shkurton gjymtyrët, ka dhimbje kronike dhe të kufizon në lëvizje; kurse nga ana mendore vuaj nga depresioni manik që quhet “bipolar”, dhe gjithashtu nga çrregullimi kompleks i stresit post traumatik “complex post traumatic stress disorder”. Sëmundja e parë është genetike dhe s’kam ç’ti bëj, kurse këto mendoret kanë shumë lidhje me mjedisin që të rrethon.

Gjyshja ime nga Korça, ishte mësuese. Ajo dikur krenohej me mua për faktin se unë mësova alfabetin një vjeç e gjysëm. Në moshën 3 vjeçare, isha i aftë të lexoja romane. Mbaj mënd Pinokun, romanet e Zhyl Vernit, fabulat e LaFontenit dhe shkrimet e Sofokliut, si librat e parë që lexova. Në klasë të pestë, nga mërzia, lexova librat e një kushëriri kosovar, nga ana e babait, që studjonte për mjekësi. Më pëlqenin shumë librat e mjekësisë, dhe shpesh herë, i mësoja simptomat përmëndësh.

Linda në 1989 si vajzë në Tiranë, por që në fëmijëri diçka nuk shkonte. Njerëzit nuk e kuptonin nëse isha djalë apo vajzë. Mami më vishte si vajzë, sepse me atë pjesë linda, por zëri im, xhestet dhe sjellja ime, të jepnin përshtypjen se isha djalë. Sistemi shkollor në Shqipëri në vitet 90, nuk kishte kapacitetin për të shkolluar një person si puna ime. Edhe pse kisha inteligjencë, edhe pse isha krijues duke i rënë pianos dhe duke shkrojtur tregime, shpesh here hasja urrejtjen e mësuesve, të cilët më klasifikonin si person problematik duke më quajtur “çun haram” apo duke më pyetur “akoma gjallë je ti?” Gjithashtu shokët dhe shoqet e klasës, në veçanti shoqet, talleshin me veshjen apo pamjen time duke më thënë që dukem si djalë ose duke më përjashtuar nga lojrat e tyre. Unë luaja futboll me djemtë, sepse atyre nuk ju interesonte pamja ime nëqoftëse unë shënoja gola.

Në shtëpi nuk guxoja të tregoja si përshembull përfundoja të urinoja jashtë sepse më vinte zor të përdorja banjon e vajzave, dhe tek e djemve më ishte ndaluar hyrja disa here. Babai im ishte tepër i dhunshëm edhe pse kishte mbaruar shkollën për veteriner. Ai më qëllonte kur nuk i bindesha dhe më kishte ndaluar të takoja shoqen e ngushtë, megjithëse unë e dashuroja atë, ose ndoshta për atë arësye. Babai rrihte vëllain gati për vdekje, dhe kërcënonte se do ti thyente hundën mamasë time. Askush nuk bënte asgjë, madje dhe sot ai gëzon më shumë respekt në shoqëri se sa gëzoj unë.

Në moshen 12 vjeç unë lëviza në Kanada me familjen. E njëjta gjë ndodhte edhe këtu. Megjithëse merrja nota të mira në shkolle, shokët dhe shoqet e klasës më përbuznin për atë që isha: në fillim gocë lezbike, e më pas, djal trans. Mbaj mënd se herën e parë që më erdhen periodat kujtova se mos isha çarë gjëkundi sepse nuk po e kuptoja se nga se po vinte gjaku, duke e ditur veten djale. Si adoleshente unë dashuroja shoqen e ngushte që kisha njojtur në klasë të tretë. Nuk e di nëse ja shpreha gabim apo nuk kisha asnje shans, por ajo më refuzoi ashper kur i thashë se e dua në moshën 20 vjeç, kur ne ishim në universitet, unë në Kanada dhe ajo në Gjermani. E kuptoj që ajo është heteroseksuale dhe dëshiron djemtë e lindur djem, po mënyra se si shoqëria shqiptare e priti këtë lajm, ishte shumë makabre. Miq të përbashkët thanë se unë po i shkatërroj jetën asaj, se unë jam psikopate, dhe do ishte mirë të vrisja veten. Si person disi naiv që jam, unë i përjetova keq këto momente dhe tentova te vetvritem disa herë duke filluar nga viti 2010, por duke parë se përdora metoda më të buta, si përshëmbull alkooli i tepërt ose overdozë me ilaçe, unë faktikisht shpëtova.

Tentativat e vetëvrasjes më çuan në spitalin psikiatrik për herë të parë. Aty hasa njerëz shumë briliant ose krijues, të cilët shoqëria i dënon për arësye të ndryshme. Psikiatria në fillimet e saj shërbente si metodë për të ndëshkuar gratë që nuk ju bindeshin burrave, apo personat e ndryshëm që nuk ju binden autoriteteve të sistemit. Në Kanada, shumica e personave të mbyllur në çmëndinë janë gra, persona me ngjyrë, persona indigjenë ose nativ të Kanadasë, persona LGBT, ose përsona me aftësi ndryshe. Kjo tregon se problemi është socio-kulturor dhe jo genetik. Në psikiatri të trajtojnë sikur je kriminel, të lidhin me rripa, të mbysin me ilaçe do apo nuk do ti, përdorin tortura si “terapia” elektrokonvulsive (që i bënë të dashurës time indiane, e cila vdiq 6 vjet më parë), dhe nuk kane skrupull. Mund të përdorin çfarëdo lloj metode si e si të të shtypin, si ta mbyllin gojën, si e si të të degjenerojnë si njeri dhe si ta heqin shpresën që një ditë mund të përmirësohesh.

Psikiatria më shndërroi nga student me dhjeta në person të pastrehë që lash punën dhe shkollën dhe ju futa alkoolit, cigares dhe marijuanes me kokë. Këto substanca mund të jenë në rregull me moderim, ama i zhytur në dëshpërim dhe pa pikën e perspektivës, unë abuzoja me to. Për më tepër Kanadaja sillet si shtet komunist dhe meqënëse unë tani kam “njollë në biografi”, e kam të vështirë të gjej punë apo të strehohem. Dyert mbyllen kudo që shkoj unë sepse më ndjek stigma e të qënit mbyllur në çmendinë.

Si përfundim dua të them dhe diçka për fenë. Megjithëse jam person shpirtëror, nuk më pëlqen feja e organizuar. Mendoj se fetë shtypin liritë e njerëzve. Feja islame, për shembull, urren dhe dënon me vdekje personat e komunitetit LGBT duke pretenduar se mbron vlerat familjare, kur në shumë vënde myslimane, gratë nuk lejohen të dalin nga shtëpia pa qëne të shoqëruara, pa qënë të mbuluara. Në shumë raste ju ndalohet shkollimi ose punësimi. Në shumë raste dhunohen nga policia, nga bashkshortët e tyre, ose dënohen me burgim nëse nuk ndjekin rregullat strikt të veshjesh të atyre vëndeve. Ka sulme me acid, ose martojnë vajza të mitura me burra të moshuar. Absurditeti nuk ka fund. Që persona të tillë pastaj të kthehen dhe të gjykojnë një person trans si puna ime që përhap vetëm mirësi dhe dashuri, është një katastrofë e vërtetë si për Shqipërinë ku linda, dhe për Kanadanë ku jetoj. E shoh që rrethohem nga hipokritët kudo që shkoj dhe kjo më trishton.

Zhaklin Lekatari

6 komente

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  • Absurditet eshte gjithashtu e gjithe historia qe shpalose . Nese feja i denon keto sjellje ne shoqeri qenka gabim sipas teje . Po LGBT cfare po i sjell shoqerise ? Vlera morale ? Cili eshte morali ?! Cila eshte familja? Cila eshte e ardhmja ?
    Kush valle eshte hipokriti ne kete mes?

    • Nuk e paske lexuar mirë artikullin se më duket përmënda gjithë katastrofat që bën feja islame. Gjithashtu ju keni përqindje të lartë divorci dhe lini fëmijët rrugëve. Në Kanada jemi ne LGBT që i birësojmë fëmijët që ju bëni e lini rrugëve. Ja që paskemi dhe ne vlera njerëzore.

      • Mua mos mu drejto me frazen ‘Ju i lini femijet rrugeve’ . Une stu shpalla gje fetare as mekatare.
        Jeni mbushur me mllef dhe sdini ku ta nxirrni . Ju jeni LGBT . Urime ! Po nuk me thua si ngjizet nje femije ?
        Po na cudisni me keto deklaratat tuaja te paqendrueshme . Mos duhet tju themi shyqyr qe ekzistoni? 🎉🎉
        Ju nuk njihni replike . Ate e quani sulm . Kur sdini cte thoni fajesoni shoqerine qe shpreh mendimin e lire . Ju pelqen apo jo juve mendimet jane personale. Mesoni te respektoni !