Sindroma e ovarit polikistik, një intervistë me dr. Ardi Prushi

Sindroma e Ovarit Polikistik është një çrregullim hormonal nga i cili vuajnë shumë gra edhe pa qenë në dijeni. Për të kuptuar sa më mirë këtë problematikë, por dhe mënyrat si ta dallojmë apo kur të drejtohemi te specialisti, kemi kryer një bisedë me mjekun dr. Ardi Prushi, obstetër dhe gjinekolog në Hyegia.
1. Cfarë është sindroma e ovarit polikistik ? 

Sindroma e Ovarit Polikistik është një çrregullim hormonal  në gratë e moshës riprodhuese. Mendohet se në bazë të këtij sindromi qëndron përcaktimi gjenetik, por sigurisht që në studim janë dhe shkaqe të tjera. Në thelb të këtij sindromi është hiperandrogjenizmi, pra shtimi i sasisë së hormoneve mashkullore tek femrat.
Të parët që studiuan këtë sindromë ishin Stein dhe Leventhal, nga ku merr dhe emrin ky sindrom, pra sindroma Stein-Leventhal ose sindroma e Ovarit Polikistik.
Në fakt Stein dhe Leventhal gjetën lidhjen midis vezoreve morfologjikisht me shumë kiste të vogla, hirsutizmit (qimëzimi në modelin mashkullor), crregullimeve të ciklit (amenorrhea, oligomenorrhea) dhe obezitetit.
Pra sikurse shihet, PCO-S është një sindromë me një kuadër të komplikuar klinik I cili përfshin crregullimet hormonale dhe pasojat e këtyre crregullimeve.

2.  Nga se karakterizohet ky çrregullim ?

PCO-S karakterizohet klinikisht nga triada obezitet, crregullim cikli dhe hirsutizëm. Sigurisht çdo prej elementëve përbërës të kësaj triade madhore kanë shfaqjet e tyre klinike më minore dhe për këtë sigurisht duhet të thellohemi në diagnozë.
Çrregullimet e ciklit janë tipike në këtë patologji dhe karakterizohen nga oligomenorrhea, përcaktimi i të cilës bëhet nga totali i <9 cikleve menstruale në vit apo vonesa të ciklit të cilat shkojnë nga minimum 35 ditë – 6 muaj dhe në raste të rënda karakterizohet nga amenorrhea, pra mungesa e plotë e cikleve menstruale. Pasoja të këtij çrregullimi janë sigurisht hemorragjitë vaginale jonormale dhe sigurisht infertiliteti. Ky çrregullim vjen si pasojë e mungesës kronike të ovulacionit.
Sikurse kam theksuar mësipër, shtimi i niveleve hormonale mashkullore qëndron në thelb të këtij sindromi e përpasojë shfaqjet klinike do jënë pasoja të androgjenizmit.
Kështu tipike në këto gra është hirsutizmi, pra shtimi i qimeve në trup sipas modelit mashkullor, duke filluar me mjekrrën, përreth aerolave të gjoksit si dhe në bark. Aknet gjithashtu në ftyrë, e sidomos në pjesën e poshtmë të faqeve, nofullës dhe qafës janë tipike.
Në raste më të rënda do kemi tipare tipike mashkullore tek gratë si p.sh klitoromegalia (zmadhim i klitorisit), rritje e masës muskulare dhe trashje e zërit, gjëndje kjo e cila quhet hipertkozis.
Në këtë rast si mjek duhet të tregohemi të kujdesshëm pasi duhet të bëjmë diagnozë diferenciale me patologji të tjera si tumore androgjen-prodhues, marrje e jashtme e androgjenikëve apo hiperplazinë kongenitale adrenale virilizuese.
Rreth gjysma e grave me PCO-S janë klinikisht obeze. Pra, obeziteti gjendet shpesh si shoqërues i sindromës së Ovarit Polikistik.
Këto gra duhet të bëjnë tepër kujdes me stilin e jetesës dhe ndërkohë rreth 43% e tyre vuajnë apo do të vuajnë nga sindroma Metabolike (obezitet abdominal, dislipidemi, tension i lartë arterial), problematika këto të cilat cojnë në problem kardiovaskulare.
Kontrolli i plotë për këtë profil është i domosdoshëm në çdo paciente obez dhe që gjithashtu ka dhe PCO-S.
Karakteristikë tjetër e këtyre grave është dhe Diabeti Mellitus. Në studime të shumta thuhet se rreth 10% e grave me PCO-S vuajnë nga Diabeti Mellitus Tip 2 dhe 30-40% e tyre do të zhvillojnë intolerancë të glukozës në moshën 40 vjec.


3. Cilat janë shkaqet e këtij çrregullimi ? 

Nga ana fizpatologjike problem qëndron në faktin e anomalive në metabolizmin e hormoneve androgjenike dhe estrogjenike si dhe në prodhimin e hormoneve androgjenike. Në këto pacient shpesh gjinden vlera të rritura të testosteronit, androstenedionit dhe DHEA-S. Sigurisht këto janë variabla dhe nuk gjenden në të gjithë pacientet më PCO-S, madje në disa raste të tjera nivelet e ketyre hormoneve gjenden në normë.
PCO-S gjithashtu lidhet dhe me rezistencën periferike të insulinës dhe hiperinsulineminë, ndërkohë nga krahu tjetër obeziteti amplifikon akoma më shumë këtë rezistencë.  Rritja e insulinës mendohet se jep probleme në funksionimin e vezoreve nga një anë e nga ana tjetër tkurr gjenerimin e Sex Hormone Binding Globuline (SHBG) e cila con në androgjenicitet.
Gjithashtu crregullimet e ciklit vijnë e si pasojë e një rritje të LH e cila nga ana saj rrit prodhimin androgjenik në ovar, ndërkohë ulja relative e FSH nuk do lejojë ovarin të kryejë aromatizimin e androgjeneve në estrogjen, kështu duke cuan në ulje të mëtejshme të estrogjenit e rritje të androgjeneve.
I gjithë ky shpjegim është sigurisht shumë herë më i zgjeruar, i komplikuar dhe në fakt ende me dilema të shumta, por mendova të bëj një shpjegim pak më tepër professional për të kuptuar në thelb seriozitetin e kësaj sindrome.

 4. Cila është mosha në të cilat shfaqet ky çrregullim ?

Në fakt PCO-S mund të shfaqet në cdo periudhë të jetës së gruas në moshë riprodhuese. Në shumë raste është vënë re se një nga shfaqet parësore është adrenarcha (shfaqja e qimeve të modelit mashkullor) premature, në vajza të cilat ende nuk kanë hyrë në menarke (pra nuk kanë shfaqur menstruacionin e parë).
Thënë kjo, PCO-S duhet të dyshohet në vajzat të cilat ende nuk kanë hyrë në moshën riprodhuese por janë obeze dhe shfaqin shenjat e hirsutizmit.
Zakonisht femrat diagnostikohen me këtë sindromë kur tentojnë një shtatzëni, e cila nuk arrihet si pasojë e këtij çrregullimi, pra mosha ku shfaqjet e PCO-S shpeshtohen tek mjeku është ajo midis 20-30 vjeç.

5. Si mund ta kuptojmë që kemi këtë problem dhe kur duhet t’i drejtohemi mjekut ? 

Triada obezitet, hirsutimzëm dhe crregullim i ciklit duhet të bëjë cdo vajze apo grua të paraqitet tek mjeku obstetër-gjinekolog për të kryer kontrollin.
Në praktikën klinike në fakt nuk ndodh shpesh kështu pasi më së shumti femrat paraqiten tek dermatologu apo mjekët estetist për të korrigjuar pjesën e akneve apo të pilozitetit të shtuar.
Mbani mënd që kjo është një sindromë me kornizën e saj diagnostike dhe të trajtimit dhe në rast të paraqitjes së kësaj triade ju duhet të paraqiteni tek mjeku obstetër-gjinekolog.
Si çdo problem në mjeksi dhe për PCO-S vlen rregulli i diagnsotikimit e trajtimit të hershëm të problemit pasi me kalimin e kohës vetëm përkeqësohet.


6. Si arrihet deri te diagnoza për këtë çrregullim ?

Diagnoza e PCO-S është tepër komplekse për mjekun obstetër-gjinekolog dhe shpesh konsulta duhet të kryeht e me mjekun endokrinolog për të përjashtuar shkaqet e tjera që japin crregullime të njëjta me PCO-S.
Anamneza dhe historiku i sëmundjes është një nga pikat kyce të diagnozës. Mjeku do ju pyësi për moshën e ardhjes së ciklit, datën e parë të ciklit të fundit, vonesën e ciklit si dhe numrin total vjetor të ciklit. Thënë kjo, është mirë që ju ti fiksoni këto pyetje dhe në vizitën me mjekun tuaj t’i keni këto përgjigje pasi janë tepër me vlerë për mjekun.  Inspeksioni klinik i gruas dhe percaktimi i BMI është hapi i dytë që mjeku duhet të ndërmarrë për të shkuar në rrugën e diagnozës definitive. Mjeku juaj do ju shohi pjesën e fytyrës për të kërkuar aknet dhe qimëzimin mashkullor si dhe gjithashtu barkun, ndaj është e mira që përpara vizitës most ë keni vendosur make-up si dhe të mos keni kryer depilim.
Ekografia e aparatit gjinekologjik gjithashtu ndihmon në vendosjën e diagnozës ku për të përcaktuar nëse ovaret janë polikistike duhet të përmbushen kriteret ekografike ku duhet të këmi >20 folikuj për të paktën 1 ovar me diametër 2-9mm ose një volum total ovarial >10 cm3. Ekografia përcaktuese është ajo vaginale dhe ndaj në vizitën me mjekun fshikëza e urinës duhet të jetë e zbrazur.
Profili hormonal sigurisht është krucial në vendosjën e diagnozës së PCO-S dhe bashkangjitur me aspektet dhe kriteret e mësipërme vendoset diagnoza përfundimtare.
Mjeku juaj do ju kërkojë të bëni matje të hormonit Anti-Mullerian (AMH), indeksim të hormoneve të tiroides, matja e prolaktinës serike të lirë, niveli i testosteronit të lirë dhe total, indeksi i androgjeneve të lira, 17-hydroxiprogesteronin, matjen e glicemisë esëll apo proven e stimulimit oral të hiperglicemisë dhe probabilisht edhe IGF-1 (serum insulin-like groëth factor).
Profili lipidik në pacientet obeze është i detyrueshëm për shkak të problematikave të sindromit metabolik!
Diagnoza vendoset sipas kritereve të Rotterdam (2 nga 3 shfaqjet vendosin diagnozën: shtimi androgjenik, disfunksion ovulator dhe ovare polikistike/mikrokistike në ekografi).

7. Cfarë lloj trajtimesh kemi ? Vetëm me medikamente ?

 Trajtimi i PCO-S është në fakt sipas problematikës që shkakton. Kështu po themi nëse crregullimi i ciklit është prezent atëherë trajtimi do drejtohet në kategorinë Progesteronit apo KOK (kontraceptivë oral të kombinuar) me qëllim rivendosjen e ciklit si dhe lehtësimin e shenjave të hirsutizmit.
Obeziteti dhe rezistenca insulinike sigurisht duan trajtim me diete e stil jetese dhe në forma më të rënda dhënia e preparative anti-hiperglicemik është i domosdoshëm.
Dhënia e preprataeve me efekte antiandrogjenike gjithashtu është e këshillueshme. 
Trajtimi i infertilitetit do duhet të bëhet në momentin që gruaja kërkon një shtatzëni por nuk ja arrin brenda 6 mujorit të parë (limiti i moshës 20-30 vjec; >30 vjec 3 muaj). Ky trajtim fillon nga stimulimi i thjeshtë e shkon e deri në procedura të fertilizimit In Vitro.
Gjithashtu reduktimi i masës ovariale nën laparoscopi është përdorur dikur por me efektet anësore të aderencave si dhe daljen e medikamenteve të reja është lënë pas dore sot. Ndërkohë procedura e Drilling-ovarial nën laparoscopi ka efekte tepër të mira në reduktimin e mikrokisteve të ovarit.


A ndikon stili i jetës dhe ushqimit në këtë çrregullim ?

Stili i jetesës si dhe dieta është absolutisht tepër e rëndësishme në trajtimin e PCO-S. Madje në rastet e lehta-moderuara është trajtimi më efikas për PCO-S. Tashmë është ërtetuar se një grua me PCO-S dhe obeze, në momentin që fillon të bjerë nga pesha ka përmirësim të hirsutizmit dhe të çrregullimit të ciklit.
Në shumë guidelines, gjithashtu dhe në praktikën time klinike, ndryshimi i stilit të jetesës si dhe dieta bashkangjitur me aktivitetin fizik janë trajtime të linjës së parë.
Kjo në fakt duhet bërë me specialistin nutricionist dhe dietolog, sigurisht nën mbikqyrjen e mjekut obstetër-gjinekolog.

Dr. Ardi Prushi është obstetër- gjinekolog dhe vepron në spitalin Hygeia

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.