grate shpikese

Shpikjet që na kanë lehtësuar jetën, për të cilat duhet të falenderojmë gratë

Shpesh herë emrat e grave janë hequr nga historia, duke u zëvendësuar nga ato të  burrave që përvetësuan zbulimet ose shpikjet e tyre. Për këtë arsye është e rëndësishme të kujtojmë rolin aktiv që shumë prej tyre kanë pasur në të kaluarën, jashtë sferës shtëpiake në të cilën kanë qenë të syrgjynorsura. Festimi i inteligjencës dhe intuitës së tyre, cilësi të  nënvlerësuara për një kohë të gjatë, shërben jo vetëm për t’i shpaguar ato, por edhe për të frymëzuar të gjitha ato gra që janë shtyrë të besojnë se ato nuk janë të mjaftueshme dhe se nuk mund të merren me fusha të caktuara, në bazë të stereotipeve gjinore  që ende nuk kemi kapërcyer plotësisht. Merrni shënim.

Sistemi për sigurinë e shtëpisë – Marie Van Brittan Brown

E merakosur për numrin e lartë të krimeve dhe për mungesën e prezencës së forcave të policisë, në vitin 1966, Brown shpiku një sistem sigurie audio dhe video.

Lavapjata mekanike- Josephine Cochrane

Ideja lindi nga zhgënjimi që pësoi, kur zbuloi se shërbëtorët i kishin copëtuar enët (prej porcelani) gjatë larjes së tyre. Nisur nga kjo Cochrane patentoi modelin e parë të makinës mekanike për larjen e enëve, duke përdorur ujëngrohësin, bakër, ujë të ngrohtë dhe sapun.

Ngrohja në makinë -Margaret A. Wilcox

E lindur në Çikago në 1838, Wilcox e kaloi jetën e saj duke projektuar makina që synonin ta bënin jetën pak më të lehtë. Dhe në fund të të 20-tave të saj, Wilcox zbuloi një problem: ata pak njerëz që hipnin dhe vozisnin me makina hekurudhore – të vetmet ‘makina’ të disponueshme në atë kohë – vuanin nga gishtat e akullt kur bënte ftohtë. Teknologjia në atë kohë ishte mjaft rudimentare, me shumë pak izolim ose rehati.

Wilcox, atëherë, filloi të eksperimentonte me një ide vërtet të lezetshme. Ajo kuptoi se, meqenëse motorët krijonin shumë nxehtësi, ajo mund të kalonte një kanal ajri përmes motorit dhe më pas ta dërgonte përsëri në vagonat hekurudhore. Ishte një koncept mjaft gjenial, që nuk ishte marrë parasysh më parë. Dhe Wilcox mori një patentë për idenë e saj në nëntor të 1893.

Fshirësja e xhamave – Mary Anderson

Ndërsa vizitonte qytetin e Nju Jorkut me një karrocë në një ditë me borë në fillim të viteve 1900, Mary Anderson konceptoi idenë e saj për një fshirëse xhami që mund të operohej nga brenda nga vetë shoferi i karrocave. Anderson vuri re se shoferët e tramvajit shpesh duhej të hapnin dritaret e tyre për të parë gjatë motit të keq, ndonjëherë edhe të ndalonin tramvajin për të dalë jashtë për të pastruar dritaren. Ideja e saj konsistonte në një levë brenda automjetit që kontrollonte një krah të mbushur me susta me një teh gome. Leva, me një kundërpeshë për të mbajtur fshirësin në kontakt me dritaren, mund të lëvizë tehun nëpër xhamin e përparmë, duke hequr shiun ose borën. Me patentën e saj të vitit 1903, shpikja e Anderson rezultoi të ishte pajisja e parë për pastrimin e xhamit të përparmë që ishte efektive.

Koshi i plehrave me pedal- Lillian Gilbreth

Lillian shpiku koshin origjinal të plehrave me një pedale të bashkangjitur për hapjen e kapakut. Kjo është e zakonshme në ditët e sotme. Gjithashtu ajo shpiku një lloj mikser elektrik ushqimi. Një pioniere e ergonomisë, e cila si nënë e 12 fëmijëve ishte për të një çështje domosdoshmërie. Ky koncept i efikasitetit në shtëpi ishte me përfitim të veçantë për pronarët e shtëpive me aftësi të kufizuara. Modelet e saj të kuzhinës u integruan në një program për trajnimin e personave me aftësi të kufizuara në një qendrën në të cilën ajo ishte drejtoreshë.

Furça për flokët – Lyda D. Newman

Shpikësja dhe avokatja e të drejtave të grave Lyda Newman është e njohur patentën për furçën e flokëve dhe përpjekjen e saj për të luftuar për të drejtat e grave; veçanërisht, e drejta e votës së grave.

Newman lindi në 1885 nga një punëtor çeliku dhe një shtëpiake në Ohajo. Dihet pak për fëmijërinë e saj. Prindërit e saj donin që ajo të fitonte përvoja të reja dhe të kishte një mundësi për një jetë më të mirë, kështu që ata e mbështetën ikjen e saj në qytetin e Nju Jorkut, megjithëse data e asaj lëvizjeje nuk dihet.

Furça e flokëve të Newman u patentua në 1898 kur ajo ishte 13 vjeç. Interesi i Newman për të bërë këtë furçë flokësh të dizajnuar rishtazi filloi kur ajo do të rregullonte flokët e saj dhe filloi të bënte flokët e grave të tjera pasi u transferua në Nju Jork. Në kërkim për të gjetur një mënyrë më efikase për të rregulluar flokët e klientëve të saj, Newman shpiku stilin e ri të furçës së flokëve. Duke e patentuar atë, ajo u bë gruaja e tretë me ngjyrë që mori një patentë.

Frigoriferi elektrik- Florence Parpart

Në fillim të shekullit të njëzetë (konkretisht në vitin 1914), Florence Parpart shpiku frigoriferin modern elektrik. Parpart gjithashtu mori një patentë për një makinën e pastrimit të rrugëve në vitin 1900, të cilën ajo e negocioi dhe ua shiti qyteteve në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Shumë pak dihet për Florence Parpart, përveç të dhënave të regjistrimit dhe aplikimeve për patentë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. E lindur në Hoboken, New Jersey, Parpart u rendit si amvise në Regjistrimin e Shteteve të Bashkuara për shumicën e jetës së saj. Parpart fitoi një patentë të dytë për frigoriferin modern. Shumë besojnë se i fejuari i atëhershëm i Parpart ishte shumë e aftë në qarqet elektrike dhe asistoi në hartimin e prototipit të parë.

Shkallë shpëtimi nga zjarri – Anna Connelly

Në një kohë kur gratë nuk mund të votonin lejo apo edhe të punonin jashtë shtëpisë, Anna Connelly nga Filadelfia ishte një nga gratë e para që paraqiti një ide në zyrën e patentave. Në 1887, në një përpjekje për të parandaluar vdekjen e shumë njerëzve që jetojnë në ndërtesa shumëkatëshe, shpikësja amerikane Anna Connelly patentoi shakllën e parë të jashtme, për arratisje nga zjarri, të bërë nga çeliku, paraardhëse e  shkallës së sotme moderne.

Ajo ishte një nga gratë e para që regjistroi një patentë për një shpikje pas Luftës Civile, kohë kur gratë më në fund u lejuan të paraqisnin patentat e tyre. Dizajni i Connelly-t ishte një mënyrë revolucionare për t’i bërë ndërtesat më të sigurta duke shtuar një shkallë të jashtme që i pengonte njerëzit të binin disa kate.

Biskota me pika çokollate _ Ruth Wakefield

Në vitin 1938, Ruth Wakefield me asistenten e saj të gatimit Sue Brides, po eksperimentonin me brumin e biskotave me  frutat pekan. Receta bazë e biskotave përfshinte gjysmën e sheqerit të bardhë dhe gjysmën e sheqerit kaf, por Ruth mendoi se mund të kishte variacione interesante. Ajo planifikoi të shkrinte çokollatën e bukëpjekësit dhe ta shtonte në brumë.

Kur zbuloi se i kishte mbaruar çokollata e bukëpjekësit, ajo shikoi përreth qilarit të saj dhe gjeti cokollatë gjysmë të ëmbla që i kishte dhënë Andrew Nestlé. (Produkti i parë i kompanisë Nestlé ishte qumështi i kondensuar, por në vitin 1930, ata u degëzuan në forma të ndryshme çokollate.) Ajo e preu shiritin në copa të vogla dhe i spërkati mbi brum.

Kur biskotat u poqën, ajo zbuloi se çokollata nuk ishte shkrirë apo përthithur. Ajo i quajti biskotat, Toll House Chocolate Crunch Cookies.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.