Klamidia

Klamidia, çfarë është kjo ?

Njoh shumë njerëz që kanë patur klamidia. Por, para këtij posti dhe unë nuk kisha shumë informacione për të, përpos faktit që është  lehtë e kurueshme me antibiotikë.  E di që këto nuk janë postet tuaja të preferuara, të paktën jo si “ata që nuk t’a lëpijnë” apo “tradhtia” por është shumë e rëndësishem të dimë efektet pozitive apo negative që vijnë nga raportet seksuale. Prandaj, ndonëse është shumë e zakonshme, klamidia e pakururar mund të jetë shumë e rrezishme.  Kështu që, lexo faktet të cilat po rreshtoj dhe kontrollohu rregullisht. Ky eshte një blog edukativ mbi seksin dhe jo një natë orgjie.

Çfarë është klamidia ?

Klamidia eshte nje infeksion bakterial që trasmetohet seksualisht. Te gratë infekton mitrën, vezoret, gypat e falopit dhe uretrën. Te burrat infekton uretrën dhe testikujt.

Shkaqet ?

Klamidia shkaktohet nga :

  • sex i pambrojtur vaginal apo anal
  • sex oral
  • përdorim i përbashkët i lodrave seksuale
  • rrallë, nga duart te sytë

Simptomat ?

Zakonisht nuk ka simptoma, kështu që shumë lehtë mund të mos e dish fare që je infektuar, Prandaj është e rëndësishme që herë pas here të kontrollohemi, edhe nëse nu ndjejmë ndonjë shqetësim  dhe jemi të shëndetshëm.

Nëse ke klamidia,  simptoma zakonisht shfaqen 5 -10 ditë mbas infektimit.

Te gratë:

  • sekrecione vaginale
  • nevojë për të urinuar
  • dhimbje gjatë urinimit
  • dhimbje gjatë aktit seksual
  • Humbje gjaku pas aktit seksual
  • temperaturë
  • humbje gjaku ndërmjet periodave
  • dhimbje në fund të barkut
  • gjatë shtatzanisë mund të shkaktojë abort ose lindje të parakohshme
  • infeksion te sytë ose pneumoni nëse kalon te fëmija

Te burrat :

  • dhimbje ose djegie gjatë urinimit
  • sekrecione nga penisi
  •  fryrje në testikuj
  • inflamacion

Është e rrezikshme ?

Nëse nuk kurohet klamidia mund të shkaktojë demtime serioze në shëndet. Të gratë, infeksioni mund të përhapet nga cervix deri të gypat e falopit dhe vezoret.  Kjo mund të shkaktojë inflamacion të pjesës pelvike ose të pjesës së sipërme të organeve të riprodhimit. Ky inflamacion nëse lihet i pa kurruar mund të çojë dhe në sterilitet. Kjo konditë gjithashtu mund të bllokojë gypat e falopit duke shkaktura një shtatzani që zhvillohet jashtë uterusit.

Klamidia mund të shkaktojë dhe sterilitetin te meshkujt nëse nuk trajtohet siç duhet, sidomos gjatë kohës që infeksioni shpërndahet nga uretra te testikutj.  Prandaj është shumë ë rëndishme, pamvarësisht nëse je burrë apo grua, që të testohesh rregullisht.

Diagnoza ?

  • kampion urine
  • tampon me material nga penisi, anusi, cerviksi apo uretra.
  • ekzaminin i cervixit apo sekrecioneve të tij

Si mund të evitosh përhapjen nëse e ke ?

Nëse ke klamidia është shumë e rëndësishme që të informosh partnerin rreth kësaj.  Mund të kesh turp, por është e rëndësishem të informosh partnerin. Nuk duhet të kesh marrëdhënie deri sa të mbarosh trajtimin. Kujdesu që partneri yt të ketë bërë testin para se të filloni prapë të keni marrëdhënie dhe sigurohu të përdorësh presevativa.

Trajtimi ?

Klamidia trajtohet lehtësisht me antibiotikë. Njëherë që je kuruar, bakteri Chlamidya trachomatis,  nuk është më prezent në trupin tënd, kështu që nuk do të kthehet më. Kjo mund të ndodhë vetëm në infektohesh përsëri.  Nëse ke klamidia dhe po trajtohesh është, prapë, shumë e rëndësishme që të informosh partnerin tënd.  Marrja për herë të dytë e infeksionit është shumë e lehtë sepse zakonisht gjatë trajtimit, partneri mashkull nuk trajtohet, dhe virusi kalon nga një trup te tjetri edhe falë marrëdhënieve. Eshtë e rëndësishme që të mjekohen të dy partnerët, ose partneri që keni patur 6 muajt e fundit. Trajtimi duhet të përfundohet edhe nëse zhduken shënjat e infeksionit para mbarimit të kurës.

Si mund të evitosh të infektohesh ?

Mënyra më e mirë për të evituar klamidia është të përdorësh mbrojtje vaginale, orale apo anale. Teknikisht abstinenca është mënyra e vetme si mund ta evitojmë, por nuk është kjo ajo që promovojmë në TABU. Këtu promovojmë një jetë seksuale të shendetshme, kështu që bëni dashuri duke dashur gjithmonë veten. <3

Zhaklin Lekatari

4 komente

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.