liria financiare

Liria e gruas, nënkupton lirinë e saj ekonomike

Për këtë shkrim jam inspiruar nga një bisedë rastësore me një mikun tim, gjatë të cilës po i tregoja një nga ato batutat që bëhen virale në rrjete sociale, mbi bias-in që i përshkruan gratë si posesive, që nga objektet personale e deri tek partneri. “Çfarë është e imja është e imja, çfarë është e jotja është e jona”- është batuta të cilës i referohesha.  

Nëse dua ta analizoj mirë origjinën e këtij humori dhe të mos ndalem tek përceptimi fillestar, nuk mund të rri pa përmendur pamundësitë dhe dhunën ekonomike që ne gratë kemi duruar me shekuj dhe mënyrat e mbijetesës që kemi gjetur për të qenë në një mënyrë ose tjetër disi të pavarura. E them këtë me bindjen se liria e gruas mund të ekzistojë vetëm nëse ajo ka pavarësi ekonomike.

Po çfarë do të thotë dhunë financiare ? Po liri ekonomike ?

Parandalimi ose kufizimi  përdorimit të burimeve ekonomike, përjashtimi i aksesit në pasqyrën e llogarisë së përbashkët, vjedhja e parave, puna me orare të zgjatura për të siguruar jetesën e gjithë familjes, pengesa për t’u angazhuar në punë, ose largimi nga puna,  janë këto, disa nga format më të përhapura të shfaqjes së dhunës ekonomike. Instituti Evropian për Barazi Gjinore e përkufizon dhunën financiare ose ekonomike si: çdo veprim ose sjellje e cila i shkakton dëm ekonomik një individi. Dhuna ekonomike mund të marrë për shembull, formën e dëmtimit të pronës, kufizimit të qasjes në burimet financiare, arsimit ose tregut të punës, ose mosrespektimi i përgjegjësive ekonomike, siç është ushqimi.

Çfarë thonë të dhënat ?

Sipas raportimit të fundit të INSTAT ( 2019) , 1 në 10 gra në Shqipëri pëson dhunë ekonomike. Sipas të dhënave të njejta, 7% e grave kanë përjetuar dhunë ekonomike (një apo më shumë nga tri llojet e dhunës ekonomike). Më konkretisht, 4,0% e grave raportuan se bashkëshortët/partnerët e tyre nuk i lejonin të gjenin një punë, të shkonin në punë, të tregtonin dhe fitonin para dhe/ose të merrnin pjesë në projekte që gjenerojnë të ardhura. Gjithashtu, 3,8% e grave raportuan se bashkëshortët/partnerët ua merrnin të ardhurat kundër vullnetit të tyre dhe/ose ua kontrollonin paratë apo pronat kundër vullnetit të tyre, madje edhe kur për vete kishin para për gjëra të tjera, si për alkool dhe/ose cigare.

Prandaj, kur flasim për dhunën ekonomike, nënkuptojmë të gjitha sjelljet e zbatuara për të kontrolluar aftësinë e një gruaje për të përvetësuar, përdorur dhe mbajtur burime ekonomike dhe, për rrjedhojë, për të kufizuar lirinë dhe dinjitetin e saj. Viktimat mund të mbeten pa aftësinë për të jetuar në mënyrë të pavarur apo mjetet me të cilat të largohen nga situata abuzive. Dhe shpesh, edhe nëse arrijnë të largohen, pasojat financiare mund të zgjasin me vite.

Raporti përfundimtar i auditimit të përformancës për fuqizimin ekonomik të gruas në Shqipëri, botoi disa të dhëna interesante rreth zbutjes së diferencave dhe arritjen e barazisë gjinore mbi të gjitha asaj ekonomike.

 Sipas anketës së forcave të punës, për grup moshat 15 – 64 vjeç, pjesëmarrja e grave në forcat e punës, ka një rënie të lehtë në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 (nga 61,6 % në 61,2 %), ndërsa për burrat pjesëmarrja është 77.1%.

Struktura e të punësuarve sipas statusit të aktivitetit tregon se 43,3 % e grave janë të punësuara me pagë, ndërsa 22,8 % e tyre janë punëtore pa pagesë në biznesin e familjes. Për burrat e punësuar këto shifra janë përkatësisht 41,6 % dhe 13,1 %. Një pjesë e konsiderueshme e burrave janë të vetëpunësuar 33,3 %, ndërsa gratë e vetë punësuara përbëjnë 21,5 %. 10

Në vitin 2020, paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri ka qenë 53.662 lekë, ndërsa hendeku gjinor në paga është 6,6 %. Pra burrat kanë një pagë mesatare mujore bruto 6,6 % më të lartë sesa gratë. Krahasuar me vitin e mëparshëm, në vitin 2020 vihet re një ulje e hendekut gjinor në paga me 3,5 pikë përqindje.

Por, atëherë, si ta parandalojmë (dhe ta kurojmë) atë?

Ushqeni vetëvlerësimin e vajzave dhe djemve për atë që mund të bëjnë dhe fitojnë; loboni për integrimin e edukimit seksual-afektiv në shkolla për të minuar ideologjitë mbi rolet gjinore; loboni për  mësimin mbi edukimin ekonomiko-financiar dhe, promovoni rëndësinë e pavarësisë financiare dhe luftoni tabutë që i përkasin parasë.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.