tradhetia bashkeshortore

Tradhtia: të falësh, të harrosh ?

Sa herë që takoj çifte të konsoliduara, nuk rri dot pa menduar se si dashuria, e parë si katalizator i marrëdhenieve njerezore ka ndryshuar nga një anë, por ka ngelur e njejtë nga ana tjetër. Si një ushqim që ka të njëjtin përbërës por gatuhet në një tjetër mënyrë. Intriga, dëshira, pasion, pritshmëri, idealizim, pritje. Edhe tradhti.

Kështu që pyes veten, sa ka ndryshuar koncepti dhe menaxhimi ynë mbi tradhtinë ?

Jo shumë, nëse shohim me vëmëndje. Pikë së pari, themi shumë shpejt tradhti, sikur tradhtitë të jenë të gjitha njësoj, sikur të mos ekzistojnë rrethana subjektive ndaj këtij fenomeni, sikur njerëzit tregojnë tolerancën e njëjtë kundrejt saj. Nuk jam duke folur për faktin “ që seksi oral nuk është tradhti”. Po flas për faktin që – sado që është e vështirë – ekzistojnë individë më racionalë se të tjerë ( ndryshe nga ata që planifikojnë vrasjen e partnerit tradhtar). Por, dhe për faktin, që rreth tradhtisë ka gjithmonë shumë gjykime. Mbas një analizë të shpejtë, fajësohesh me një shpejtësi automatike.

Pra a ka llojet të ndryshme të tradhtisë ? Dhe a janë të gjitha njësoj, të pafalshme ?

Tradhtia platonike: partneri ka një letërkëmbim ( sms), ndonjëherë intim, më një individ tjetër, ndonëse me të nuk ka pasur kontakt fizik. Nuk është e thënë që duhet patjetër të shkruajnë gjëra intime dhe të shkëmbejnë foto apo selfie, për të ndjerë tradhtinë. Mund të ndihesh i tradhtuar dhe para një partneriteti të veçantë, pranë konfidencës, dëshirës së madhe të partnerit për të komunikuar me një të tretë. Është e mjaftueshme që partneri të ketë një lidhje të veçantë me një person të tretë, pa miratimin tonë, për të krijuar te ne, panikun e tradhtisë.

Tradhti rastësore: çmënduria, një e ikur e shpejtë, një sex symbol që vjen e të kërkon e të dhunon. Ose, ai nuk ta var prej një jetë, nuk të bën të ndihesh grua, dhe ti e tradhton me kolegun e zyrës, duke pranuar flirtet e lodhura të tij. Tradhtia rastësore ndodh, dhe mund të përsëritet duke parë që tradhtia është pak si drogat: mjafton të thyesh akullin dhe të kalosh frikën fillestare ( mos i beso fjalisë: nuk do të ndodhe kurrë më). Një variant tjetër i kësaj tradhtie eshtë padyshim, tradhtia siperfaqësore, ose “ vetëm u puthëm’, që, edhe nëse është e vërtetë, nuk bën tjetër veçse na ngren mëndjen duke pyetur veten: puthja është tradhti ?

Tradhtia me lekë: forma më e lashtë e tradhtisë, pa implikime morale që të çojnë në Ferr. Në fakt, kjo  lloj tradhtie ka shumë avantazhe: nuk ka problematika, përfshirje, zënka, dhe jo më pak e rëndësishme, seks i mbrojtur. Ka miratim nga të dyja palët. Ka një transaksion. Me profesionisten nuk do të kete mesazhe të natës së mirë, as thirrje fshehurazi në tualet. Në këtë variant nuk bëjnë pjesë gratë të cilat janë skllave të prostitucionit. Ajo është komplet një histori tjetër.

Tradhtia serike: është ajo tradhti që nuk duhet të ekzistojë, sepse për të pranuar diçka të tillë duhet të jesh i pavetëdijshëm, si një figurë mitologjike që  nuk është në dijeni të bëmave të partnerit. Tradhtari serial, nuk ndryshon kurrë, nuk ka limite, ose rrallë me shumë vështirësi. Kjo lloj tradhtie mund të jetë dhe patologjike, por askush, fëmijë, grua, familje,  apo qeni mund ta minimizojë. Mund të alternohet me tradhtine me pagesë, por nuk është e thënë sepse tradhtari serik ka gjithmonë nevojë për ripohim.

Tradhtia sentimentale: një nga format më të këqija të tradhtisë, në të cilin jo vetëm që vendoset një marrëdhënie seksuale, por kjo ka dhe nota romantizmi. Krijohen raporte paralele që mbahen me shumë vështirësi, që gjithmonë mbarojnë në mënyrë të dhimbshme për të gjithë ose për një nga palët. Kjo është TRADHTIA, ajo që të vret realisht, materialisht, nga ana ekonomike dhe emotive.  Ndoshta dhe kjo, ndonjëherë,mbaron me një happy ending.

Ekzistojnë disa tradhtarë që mendojnë që tradhtia është e shëndetshme, që sekreti i çifteve të lumtura është seksi jashtë martese, ose aventura të vogla klandestine, që ofrojnë pasion dhe erotikë. Disa thonë që sekreti qëndron që e gjithë kjo të mbesë pikërisht sekret.

Të tradhtuarit nga ana tjetër thonë që tradhtia të dëmton. Gjithmonë. Nuk ka rëndësi çfarë është. Që tradhtia i ka këmbët e shkurtra, si gënjeshtra. Të tradhtuarit thonë që tradhtia të dëmton në ato skutat e errëta, të prish raportin që ke me veten. Tradhtia të bën të ndihesh me vulnerabël dhe i/e pasigurtë, ndërkohë që një raport dashurie duhet të bëjë të kundërtën.

Tani, e parë nga jashtë, mund të ipotizojmë që tradhtia është e padurueshme për shkak të gënjeshtrës. Mashtrimit që prish besimin; por dhe pamundësia kulturore për të kuptuar që një relatë eskluzive seksuale nuk është sinonim i dashurisë. Konfuzionin e monogamisë jo natyrale dhe ndjenjës.

Ndoshta nësë do arrinim të zhvillonim konceptin mbi marrëdhëniet e dashurisë; ndoshta nëse do arrinim të mos pretendonim se na mjafton një partner për gjithë jetën; nëse nuk do dramatizonim aq shumë dështimin tonë si njerëz, ndoshta nëse do ishim më të sinqertë me veten dhe dashnorët tanë, ndoshta nëse do shihnim se cilët elementë e përbëjnë një marrëdhënie, besimi neto dhe emocionet e kënaqësisë; nëse te seksi do lexonim më pak mëkat dhe më shumë liri, nëse do e mendomin si ekspresion të ndjenjave të ndryshme, si qënie komplekse që jemi, ndoshta tradhtia do të merrte një tjetër kuptim, më pak të dëmshëm, kundrejt nesh.

Dhe, ndoshta, jo pa qëllim. Sepse si gjithmonë, hapësira midis teorisë dhe praktikës është e vërtetë. Midis të thënës dhe të bërës është në mes një det i tërëS. Por nga ana tjetër kjo është një temë që nuk ka dalë kurrë nga moda.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.