pse femijet vrasin prinderit

Pse “fëmijët” vrasin prindërit ?

Sado e vështirë të pranohet,  rrallë jemi në mëshirën e vrasësve të panjohur dhe të papritur.

Edhe sot, numri më i madh i krimeve fatkeqësisht ndodh brenda familjes. Në Shqipëri, në vitin 2023, rezulton të kemi një rritje me 33% të krimeve në familje, krahasuar me pesë vite më parë.

Duhet thënë që krimet më të rënda në familje janë ato të patricidit apo matricidit, vrasjes së prindërve, ngjarje të përkryera për ndonjë tragjedi greke që kanë shokuar dhe vazhdojnë ende të shokojnë dhe një shoqëri të dhunshme si e jona.

Duhet thënë se fëmija që vret një prind në shumicën e rasteve është adoleshent, pasi pikërisht në atë moment individi e gjen veten përballë një konflikti më të madh ndërmjet nevojës së tij për autonomi dhe varësisë së tij patologjike nga familja e origjinës. Kur flasim për individë të rritur, ne përballemi me njerëz që shpesh vuajnë nga skizofrenia ose çrregullime të tjera mendore.

Për këtë arsye, ky fenomen vrastar vazhdon të ngrejë shumë pyetje shkencore pasi, nëse në disa raste shkaku që shkakton vrasjen e të dy prindërve mund të gjurmohet lehtësisht në arsye ekonomike/trashëguese dhe në të tjera ajo përfaqëson aktin përfundimtar të rebelimit  për vite të tëra keqtrajtimi nga babai, shumë më i vështirë vazhdon të jetë shkaku që përcakton matricidin, vrasjen e nënës. Pikërisht sepse nëna, veçanërisht për qytetërimin perëndimor, është një figurë që përfaqëson një nga shtyllat kryesore të tij.

Lidhur me vrasjen e nënës , Wertham flet për “Kompleksin e Orestit”. Për ata që s’kanë dijeni, Miti i Orestit ka si protagonist një nga figurat më të rëndësishme të mitologjisë greke: Agamemnonin, Mbretin e Akeanëve në Luftën e Trojës, i cili u martua me Klitemnestrën. Nga bashkimi i të dyve lindën katër fëmijë, mes tyre edhe Oresti. Për të lehtësuar largimin e anijeve akeane në Luftën e Trojës, Agamemnonit iu desh të sakrifikonte vajzën e tij të parë, Ifigjeninë, perëndeshës Artemis. Klitemnestra nuk e fali, dhe pasi kthehet nga Troja, në fakt vret të shoqin. Oresti, si i rritur, do të hakmerret për të atin duke vrarë nënën e tij.

Duke analizuar literaturën shkencore për matricidin, del se ky lloj krimi kryhet kryesisht nga të rinjtë e moshës 15 deri në 20 vjeç dhe me sa duket lind nga argumente banale, por që qëndron në themel të marrëdhënieve ambivalente të urrejtjes dhe tërheqjes së pavetëdijshme. Kjo në teori sepse në praktikë nëse kthehemi në vendin tonë, shumicën e krimeve të parricidit i kemi të kryera nga persona me shëndet mendor të cënuar.

Nuk dihen ende arsyet që ndikuan në vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Pëllumb Metës, 10 shkurt 2024, një krim i rëndë në të cilin bashkëpuntorë dhe doras janë trë fëmijët e tij.  Por, dihen arsyet e vrasjes se 11 shkurtit 2024, dita kur  Ike Sokoli,  u gjet e vdekur në banesë, duke humbur jetën nga dhuna fizike e të birit, 35 vjeçar, që vuante nga probleme të shëndetit mendor.  

Trianda e errët e parricidit 2024, kompletohet me vrasjen e 13 majit 2024, në Lezhë,  të 88 vjeçares, Gjylije Dani, e therur me thikë nga djali i saj Arsen Dani që vuante nga problemet e shëndetit mendor.  

Është e vështirë të kuptohet se deri në çfarë mase vështirësitë e rolit të marrë sot nga një fëmijë brenda një familjeje gjithnjë e më të fragmentuar mund të lidhen me dhunën dhe devijimin.

Sigurisht që transformimet që po pëson bota e rinisë tregojnë një vështirësi gjithnjë në rritje në dialog dhe një paaftësi të qartë për të racionalizuar dhe përpunuar humbjet dhe dështimet.

Për rrjedhojë, çdo problem i përditshëm përjetohet si një përgjegjësi që e pushton të riun dhe e shtyp atë, duke rritur kështu distancën emocionale me prindërit.

Prandaj, vendimet e imponuara dhe çdo shqetësim bëhen të padurueshme dhe, për rrjedhojë, vrasja e nënës përfaqëson ndërprerjen ekstreme të çdo lidhjeje me familjen.

Megjithatë, duke analizuar parricidet të ndikuara nga shëndeti mendor, një strategji dedikuar këtyre çrregullimeve është një detyrim që nuk shtyjmë dot për shumë kohë. Nuk jemi në kohën e Zeusit që vrau babain e tij Kronos dhe as në epokën e Edipit qe vrau Laion, jemi në epokën post moderne kur kemi rënë dakord që vrasja e nënë, është një krim kundër shoqërisë dhe individit.

Matricidi është një lloj krimi që vë në pikpyetje çdo indidiv, nga qytetari i thjeshtë që është pjesë e opinionit publik e deri tek vrasësi. Si në mitin e Orestit, i cili pas veprës është aq i dëshpëruar sa e humb mendjen, pavarësisht se Athina, ndërhyri për ta shfajësuar.

Matricidi paraqet vdekjen e familjes.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.