dashuria ne martese

Joshja e martesës dhe e suksesit të saj

Nga Mimoza Konomi

Shoqëria e sotme në vlerat e saj evoluese, ndikon e ndërhyn drejtpërdrejt në çështje e aspekte të njeriut brenda rrethit të vet social, kontekstit ku jeton e zhvillohet, mekanizmit të ushtrimit të nevojave e kërkesave, aftësive në rritje, dëshirave që rrokin fusha të ndryshme, ekuilibrit e kënaqësisë, duke pozicionuar fokusin ku njeriu jep më tepër përkushtim. Sigurisht më e rëndësishmja dhe e vlerësuara, institucioni i peshës dhe vlerës ku jemi autorët dhe aktorët më të pozicionuar. është familja. Familjes i japim gjithçka, i dedikohemi e detyrohemi, i gëzohemi e bashkëprovojmë brenda saj. Marrëdhënia në çift – e bukur, e aftë për të na joshur, por që prêt shumë më tepër joshje për vazhdimin e vet.

A mundet çifti bashkëshortor t’i shpëtojë sfidave që ofron shoqëria, luhatjeve apo risqeve ku nyja shkak-pasojë sjell jopritshmëritë, a është e aftë familja të ndiejë fuqinë e saj jocënuese? Njeriu i sotëm në vorbullën e jetës, mos vallë në përfshirje të ndryshme, edhe kësaj vepre ia ka lënduar ndopak boshtin? Realiteti flet në fakt, se diçka e tillë ndodh më shpesh, numri i divorceve vjen në rritje, ne, prishësit, duket se jemi aty. Njeriu në perfeksionin e vet, krahas çdo zgjedhjeje ku lirinë e quan primare, duhet t’i japë më shumë jetë, më tepër frymë, marrëdhënies në çift, sepse për të investon shpirtin, mendjen, vazhdimin e vet.

Sa e rëndësishme është të ndihesh i plotë e i drejpërdrejtë, i lumtur e i qenësishëm, mbi të gjitha i plotësuar brenda lidhjes, i dashuruar në rrjedhë, i ekulibruar, ndoshta duke ndjerë se ai apo ajo që ke në krah është më shumë se gjithçka, është pjesa që ke e e prêt gjithmonë, gjithmonë bukur, në ruajtjen dhe risitë e veta brenda funksionit në çift? Po, shumë e rëndësishme dhe, shumë bukur që kjo lloj lidhjeje është nga më delikatet, surprizueset, kërkueset, nxitëset, ku njeriu është tërësisht i pozicionuar. Por, gjithsesi, martesat vazhdojnë të rrezikohen, si mund t’i shpëtojmë ato, si zjarrin e dashurisë mund ta mbajmë nën të njëjtën flakë, si mund të jemi aty të ngrohtë e të freskët, nën përqafimin e përjetshëm?

Së pari, këtij mekanizmi e institucioni i japim vlerën, intelektin e botën tonë, jetën tonë, pse mos t’ia japim siç duhet? A nuk u martuam vetë, si e bëmë zgjedhjen, u menduam apo nxituam, sa iu kushtuam njohjes, çfarë parashikuam për më tej? Nëse përshtatja nuk ka qenë e duhura që në fillim, e sigurt se filli diku do të këputet dhe patjetër s’mund ta lidhim, se lidhja do të dëshmohet e këputur drejt shkëputjes. Diçka që nuk shkon, nuk shkon, ndaj, ju të rinj bëni zgjedhjet e duhura, të menduara, ku përshtatja e tipave ka rol dhe shumë vlerë. Ndoshta dashuria, e sidomos ajo me shikim të parë, të mposht, dhe ku ka më bukur, por nëse mendjet nuk shikohen si duhet me njëra-tjetrën, ato, shikimin do ta zbehin. Gjithsesi, thuhet se ai 10-sekondëshi i parë kur dy njerëz shihen e magjepsen pas njëri-tjetrit, është po aq i rëndësishëm sa shprehja: Shendeti, pa të tjerat ecin vetë! Ndaj gjithçka bashkërendohet, janë të shenjta gjithsesi, dashuritë me shikim të pare!

Së dyti, përgjegjshmëria në familje, çka fillon me kurorëzimin, unazat e gishtit e të shpirtit, nuk ka vend për zbehje, nëse ndodh, është nga më të egrat, të pavullnetshmet e ndjenjës së madhe, është pjesa më e fortë që dashuria e neverit, urren. Pse pretendon ta mbash lidhjen, kur nuk zotëron përgjegjësinë, atë çka duhet të jesh e të bësh, atë që e prêt gjithashtu, mos vallë të pushton një lloj indiference? Duhet të trembesh, të mos jepesh, sepse do të humbësh, ke një sipërmarrje të bukur, e cila në gjallimin e vet, po të pa të hutuar e të lodhur, do të të flakë, e ti do t’i vardisesh sërish, por martesa nuk është lidhje gjeneze, është lidhje shpirti që kërkon ushqim, dritë. Ajo e prêt përgjegjësinë, duke të dhuruar lumturinë.

Së treti, dashuria si më e shenjta, ka nevojë për romantizmin e vet, folenë e ngrohtë, shijen e ëmbël, mëngjesin e kthjellët e mbrëmjen e etur, ka nevojë për zë që pëshpërit, ledhaton, fjalë që flet shpirtërisht, energji që s’resht, dëshirë për t’u ndjerë sa më pranë, ashtu si dikur. Jeta ecën, koha dhe vitet bëjnë të vetën, por përqafimi, dhuratat e mbrëmjet romantike, daljet apo shëtitjet, largesa nga gjithçka, qoftë edhe për një pasdite, mbrëmje apo fundjavë, çfarë joshje mbart, ngacmimin e ëmbël të të ndjerit fort dhe bashkë! Rituali i dashurisë ka forcë të plotë rispërtëritëse, edhe kur të pushton rutina. Risia duhet të jetë aty, në zgjedhjen tënde të momentit apo planifikimit, çka mezi e prêt. Tjetri do të ndjehet shumë plot nga ngacmimi i ri.

Së katërti, jeta ka problemet e saj, brengat e saj, hallet e saj, përkushtimin e veçantë ndaj fëmijëve, sidomos të moshave të vogla, ulje-ngritjet e saj e, gjithçka është aty në këtë martesë. Ti jepesh pas tyre, harrohesh, mendon se më tepër mund të jesh i mundur, i duhur, sforcohesh, ndoshta truri, edhe i rënduar, pushtohet, por duke iu stepur pushtetit të dashurisë. Dashuria me pushtetin e saj nuk kërkon pushtete të tjerë ta zotërojnë. Së bashku nën pushtetin e saj menaxhohet e zgjidhet gjithçka. Pranë njëri-tjetrit, duke folur, duke lëvizur bashkë, duke bashkëvepruar, nuk është një ngarkesë që e ke vetëm ti, e keni bashkë e ndoshta ndonjëherë seksi mashkull, do të japë epërsi, por lidhja mashkull-femër, nuk nënkupton epërsi, por vlerësim e peshë të përbashkët. Brenda çiftit njëri mund të humbasë vendin e punës, ekonomia mund të ketë rënien e saj, diçka s’mund të ecë siç duhet në marrëdhëniet me familjet e njëri-tjetrit apo në ato shoqërore, mund të kenë preokupime ndaj prindërve të tyre e të tjera probleme të tilla të ngjashme; ne funksionojmë brenda jetës me gjithçka, duhet të funksionojmë brenda njëri-tjetrit në çift me e për gjithçka.

Së pesti, a duhet dhe si duhet menaxhuar liria në çift? Po, brenda çiftit duhet të ndihesh i lirë e i përgjegjshmëm, pranë dhe në angazhimet e jetës. Nëse je mësues ndihesh shumë pranë familjes, por mund të punosh me orare apo angazhime profesionale të politikës, artit etj., ku të duhet të mungosh në familje, me orë apo ditë të tëra. Sigurisht, kjo përbën një sforco, por përzgjedhja është e tillë, ndaj mekanizmi i përshtatjes me funksionin e vet, absolutisht nuk duhet të sjellë rutinë mungese, mangësi. Menaxhimi i kohës gjithmonë ka vend, një vaft apo fundjavë pranë familjes, mendoj se ka efektin më joshës e të bukur se darkat a drekat e zakonshme të përditshme. Brenda çiftit zotërimi i autonomisë merr shumë vlerë kur zgjedhja është e përshtatshme, siç theksova më lart, duke kuptuar tjetrin në diçka e gjithçka. Në këtë aspekt, nuk mund të mos vë në dukje fatin e familjeve shqiptare gjithashtu, ku njëri prej çiftit, burri apo gruaja, janë pjesë e emigracionit. Kjo ndërmarrje rezulton e plotë e e shëndetshme nën vlerat e karakterit të fortë, ku qenia e mendimit pa rezerva në këtë drejtim, lidhet totalisht me të; jeta ka sjellë provat e saj të ndryshme, familja gjithsesi ka nevojë për jetë e gjallesë brenda saj.

Së gjashti, të pushtuarit e zjarrit të dashurisë, e flakës së shpirtit dhe trupit, njerëzimit i shtojnë etjen, magjinë, ritmin. Kaq i rëndësishëm në lidhjen e fortë dashurore, i pushtetshëm, seksi kërkon zotërimin e mbretërisë së tij. Ashtu, aq pranë, nën trupat e rrëqethur pas njëri-tjetrit, ai është aty përjetësisht, por jo i privuar, jo i lodhur, por nën petkun e vet të rrahjeve pa kufi, pa limit, ku njeriu ndjehet i zotëruar, i pushtuar, zotëron e pushton. Dikush, nëpërmjet tij, përpiqet të tërheqë e ofrojë te vetja partnerin apo partneren tënde, kujdes, ti je vetë aty, mos ik!

E, nëse dashuria mbaron, konsumi është i pashmangshëm,serioziteti i divorcit merr mjaft peshë, por lodhuni shumë pa e konsideruar lodhje, për të mos qenë aty; është e kotë të lodheni më pas për të ruajtur diçka që ka ikur, duhet të ikë. Në fakt, shpirtit nuk i iket e atje ku ka ikje, nuk ka më shpirt. Jepini shpirtit shumë më shumë shpirt që ta keni aty, të përjetësoheni me të! Është koha e plotë e kësaj mrekullie të madhe!

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.