Sa herë që shkëmbej mendime me të rinjtë që ndjekin faqen Tabu, habitem nga pamundësia mendore dhe mungesa e edukimit e rinisë shqiptare në shekullin 21. Habitem nga disa norma dhe cliché të mësuara përmendësh të cilat nuk vinë si rrjedhojë e një proçesi mendor të mirëfilltë, perceptimit personal apo përgatitjes intelektuale. Nuk dua të bëj dallime gjinore se të njëjtën gjë mendoj për vajzat ( ky sqarim për ata që nuk dinë çfarë do të thotë kur nuk je seksist) që nuk marrin në dorë jetën e tyre duke e drejtuar pa frikë drejt të ardhmes.
Nuk mund të them ama që fokusi im nuk janë vajzat dhe gratë, sepse e para e punës i përkas kësaj gjinie dhe e dyta duam apo s’duam, kjo është gjinia më e shtypur dhe më e papërfaqësuar dënjësisht në çdo sektor jetik shoqëror. Do jem shumë e drejtëpërdrejtë në analizën time, sepse unë tashmë jam çliruar nga prangat dhe nuk kam frikë nga gjykimet dhe “nderi” mesjetar që ruhet sa për sy e faqe i cili ka sjellë kosto që po paguajmë shumë shtrenjtë.
E keni vënë re kur thonë “ ajo femër është femër “ ose “ dua dikë që të jetë femër ? Pa kuptuar që nga ana semantike këto fjali nuk e kanë asnjë kuptim, si fillim sepse fjala femër është përcaktim biologjik dhe së dyti sepse epiteti femër në ketë rast përdoret për të shpjeguar mbiemrin “femëror”. Ndonëse këto fjali nga ana logjike dhe semantike nuk e kanë asnjë kuptim, nga ana kulturore ato buçasin për një prapambetje të dukshme të zhvillimit shoqëror dhe si rrjedhojë për një nevojë madhore emancipimi.
Ne vajzat dhe gratë jemi rritur duke dëgjuar vetëm kufizimet që duhet të respektojmë për të mos rënë në sy dhe për të qëndruar kokëulur. Duket sikur kthimi në personazhe të dorës së dytë apo si personazhe që jetojnë në hije, më shumë se sjellje, është një ligj moral. Një vajze e moralshme nuk emocionohet shumë, nuk tërheq vëmendje me sjelljen e saj, nuk bëhet me nerva, nuk ecën përpara burrit të saj, por mbrapa ose anësore. Një grua e moralshme di të degjojë, di të qëndrojë në heshtje, nuk të kthen përgjigje negative, por mbi të gjitha nuk kundërshton burrin e saj ose e thënë më saktë, asnjë burrë. Nëse kjo kundërshti pastaj, bëhet me ironi apo humor inteligjent, ajo është një tradhtare delirante.
Një grua e moralshme apo një “femër” jo vetëm që nuk kritikon ( pse ta bëjë xhanëm ?), jo vetëm që nuk i thotë një burri se çfarë duhet të bëjë, por i jep atij timonin dhe më pas drejton anijen pa vela dhe lopata. Një “ femër femër”, që i përket më shumë se kaluarës, e kupton vetë që vendin e ka në kuzhinë, për të biseduar për gjëra pa asnjë vlerë, si për shembull dashuriçkat. Ajo e di që oda e burrave, ku bëhen diskutime serioze, si makina apo sporti, janë çështje që ajo nuk do të trajtojë dot kurrë.
Kështu vit pas viti, e shekull pas shekulli, kemi arritur në disa situata kur gruaja duhet të justifikojë prezencën e saj, rolin dhe suksesin e saj, ndonëse të gjitha këto janë të drejta të patjetërsueshme. Sot shoh gra të emancipuara që në momentin që duhet të përballin një burrë, sikur bëjnë një hap pas. Sikur duhet të justifikohen për atë që janë, për atë që përfaqësojnë, sikur kanë turp të definohen nga vlera dhe suksesi i tyre.
Unë mendoj që gruaja, sidomos ajo shqiptare ka nevojë të rrëfejë, ka nevojë të flasë, ka nëvojë të shprehet nëpërmjet emocioneve, ka nevojë të shfaqë artin e komunikimit që ajo zotëron aq mirë. Mendoj që gjuha universale që ne gratë flasim dhe që kemi mësuar ndër shekuj, është rebelimi i rradhës apo heroi i vërtetë që duhet të dalë në dritë për të marrë meritat që meriton.
Jep koment