Nëntori ndonëse shumë pak e dinë quhet “Muaji Blu”, sepse i dedikohet i gjithi gjinisë mashkullore dhe ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të prostatës dhe të gjitha problemeve uro-gjenitale që ata mund të kenë. Për këtë arsye ne të Living, kemi vendosur të bëjmë pyetjet që nuk keni pasur kurajë t’i bëni, në mënyrë që të zhbëjmë tabutë që eksiztojnë mbi seksualitetin, pavarësisht gjinisë. Ai që flet është dr. Artan Koni, urolog dhe androlog në klinikën Chimera, i cili më shumë lehtësi na shpjegon çdo gjë që duhet të dimë nëse kemi organe mashkullore.
Tabu: Kur duhet bërë vizita e parë urologjike?
Nuk ka një moshë të saktë – sigurisht nëse flasim për ata që nuk kanë asnjë lloj shqetësimi – mund të themi që duhet të shkojmë në moshën 40 vjeçare. Bëhet një kontroll rutinë, i cili në çastin që është me parametra normalë, shtyhet për pesë vjet, pra deri në moshën 45 vjeçare dhe pas kësaj moshe duhet çdo vit një kontroll rutinor. Kontrollet duhet të vazhdojnë deri në moshën 70 vjeçare. Nuk vlen e njëjta gjë për andrologun tek i cili duhet të drejtohemi vetëm nëse kemi realisht probleme.
Tabu : Është pozitive nëse i flasim fëmijëve për seksin dhe kur duhet ta fillojmë?
Është e këshillueshme që pa filluar adoleshenca ose pre-puberteti, të fillojmë të flasim me fëmijët për edukimin seksual dhe për ndryshimet me të cilat do të përballen. Roli i edukatorit sigurisht që i takon prindërve, por dhe i shkollës, nëse kryhen kurrikulat e edukimit seksual.
Tabu : Zgjatimi i penisit-eksizton vërtetë një mundësi e tillë apo është legjendë metropolitane?
Zgjatimi i penisit nuk është legjendë. Po, mund të zgjatet. Sigurisht është gjë tjetër fakti që zgjatja ndryshon nga anatomia dhe personi. Ka anatomi që të lejon ta zgjasësh shumë, ndërkohë që ka penis që të lejon ta zgjasësh pak, por zero zgjatje nuk ka, patjetër që një zgjatje do bëhet. Zgjatja e penisit realizohet duke përdorur pjesën e brendshme të penisit dhe për këtë arsye them që zgjatja varet plotësisht nga anatomia individuale. Zgjatja nuk është problemi primar që shoh te pacientët e mi, bazuar në kërkesat e tyre mund të them që trashja e penisit është kërkesa kryesore. Padyshim që edhe trashja e penisit mund të arrihet me fillera ose me dhjamë, sikurse në operacione të tjera korrektuese dhe mini-invazive. Të dyja këto operacione mund të kryhen edhe në Shqipëri.
Tabu : Jeta seksuale e pacientit a kthehet në normalitet pas operacionit të zgjatjes?
Në qoftë se i keni vënë vetes qëllim që ta zgjasni sa të jetë e mundur, patjetër që mund të ketë dëmtime të mëvonshme përsa i përket seksualitetit. Kështu që të mos kemi dëmtime dhe mangësi funskionale ne mundohemi të bëjmë një zgjatje optimale, jo maksimale. Sepse pacienti thotë : “ Ma zgjat sa të kesh mundësi”, por ajo zgjatja sa të kesh mundësi mund të sjellë një problematikë përsa i përket funksionit, por dhe vetë kënaqësisë. Nëse ne kemi probleme më pas me ereksionin, pse duhet t’i nënshtrohemi një operacioni të penisit ?
Tabu : A mund të “thyhet” penisi ?
“Thyerja e penisit” është term popullor, por sigurisht që mund të “thyhet”. Në pjesën e jashtme të penisit gjendet një cipë e fortë e cila në çastin që nuk ka shumë gjak duket si e butë, por kur mbushet penisi me gjak forcohet sepse arrin pikën maksimale të zgjerimit dhe është e fortë. Në çastin që kjo cipë dëmtohet diku, çahet dhe nga aty rrjedh gjak dhe kjo është ajo që quhet “thyerja e penisit” në gjuhën e popullit, por që në të vërtetë është çarja e cipës së tunikës së penisit. Po, pra përgjigja është që mund të thyhet edhe ndodh shpesh.
Tabu : Çfarë duhet të bëjmë kur penisi është i shtrembër?
Të dyja këmbët e njeriut zgjaten në mënyrë të barabartë, ka raste kur ato nuk zgjaten në mënyrë të barabartë dhe njerëzit fillojnë e çalojnë. Çfarë bëjmë ne në këto raste ? Shkojmë të ortopedi dhe e zgjidhim. Kthehemi te penisi i cili përbëhet nga dy trupa, i majti dhe i djathti, të cilët në shumicën e rasteve zgjaten në mënyrë të barabartë, kur kjo nuk ndodh trupi më i gjatë anon nga ana tjetër dhe kështu krijohet harku në penis. Penisi përkulet në anën në të cilën ndodhet trupi më i shkurtër. Është problem që zgjidhet me kirurgji, sigurisht që është një kirurgji delikate, por është diçka që realizohet. Operacioni varet nga dy parametra, nga këndi dhe nga gjatësia e penisit.
Nëse penisi nuk është shumë i gjatë, te trupi i shkurtër ne vendosim një arnë që penisi të zgjatet, nëse penisi ka një gjatësi normale, në nuk merremi me anën e shkurtër, por merremi me trupin që është i gjatë, duke i hequr atij një pjesë të vogël dhe duke e qepur prapë në mënyrë që të drejtohet. Sigurisht që për ne si mjekë ka rëndësi që penisi të ketë gjatësi funksionale, sepse nga mjekësore nuk ka rëndësi gjatësia e penisit. Ndërkohë që ana psikologjike është diçka tjetër, sidomos te ne shqiptarët. Është një problem që sipas meje nuk ka të bëjë shumë me gratë, por me vetë burrat.
Tabu : Flasim për higjienën, çfarë është smegma dhe kur bëhet problematike?
Smegma është sekrecion që përdoret nga vetë trupi dhe ajo ka një qëllim. Në moshën infantile, një moshë në të cilën prepuciumi ( lekura e synetit) është e ngjitur më kokën e penisit, smegma duke u prodhuar, mundëson ndarjen e lëkurës së synetit nga koka, duke e lejuar atë që të jetë e lirshme për të lëvizur. Nënat shqiptare e bëjnë një gabim: ato e hapin këtë lëkurë, e pastrojnë smegmën se ju duket dhjam apo papastërti dhe e mbyllin përsëri. Në fakt kjo është sjellje e gabuar sepse në atë çast prepiciumi mund të ngjitet përsëri me kokën e penisit. Në këtë aspekt smegma, me pamjen e çuditshme që mund të ketë, është një gjë e mirë e cila nuk duhet të preket me dorë. Sasia e tepërt e smegmës del me urinimin e radhës, prandaj nuk duhet ta largoni. Situata është e ngjashme me organin gjenital femëror, që nga ana mjekësore nuk këshillohet të pastrohet shpesh, sepse vagina është vetëpastruese. Jo vetëm kaq, por për shembull nëpërmjet dushit intra-vaginal hiqet ajo shtresa mbrojtëse që ka vagina, duke krijuar shumë problematika, si infeksione, thatësi vaginale apo ndryshim ph.
Tabu : Kur duhet të marrim parasysh synetllëkun?
Syneti nuk është i dëmshëm nga ana shëndetësore, nuk kemi humbje, ndërkohë që është për t’u diskutuar nësë kemi përfitime. Sigurisht që njerëzit i nënshtrohen këtij operacioni për arsye të ndryshme, fetare, kulturore apo higjienike, por duhet thënë që nëse kujdesemi për higjienën nuk ka asnjë problem edhe nëse nuk bëheni synet. Përsa i përket ndjeshmërisë, është e vërtetë që ata që janë bërë synet kanë më pak ndjeshmëri, nuk bëhët fjalë për ndryshime radikale, por për ndryshime të vogla. Kështu që nuk ka asgjë te keqe që fëmijët të bëhen synet. Më shumë se të bërit apo jo synet, rëndësi ka mosha e operimit, sepse ai është faktor shumë i rëndësishëm, pa anashkaluar as teknikat.
Mosha ideale për t’u bërë synet janë dy javët e para të jetës, pastaj nga dy javët e para deri në 6 muaj nuk rekomandohet. Më pas nga 6 muaj deri në 3 vjeç mund është e rekomandueshme, ndërkohë që nga mosha 3 deri në 6 vjeç është mosha më e keqe për t’u bërë synet. Fëmijët influencohen nga ana psikologjike dhe ka raste që fëmjët kanë çrregullime seksuale në moshë të rritur, kur I nënshtrohen synetit në këtë fragment. Është e rëndësishme që të kujdesemi për moshën sepse fëmija deri në moshënn 3 vjeçare nuk ka kujtime, ndërkohë mbas asaj moshe, fillon memoria dhe çdo njeri mban mend fragmente të caktuara. Ndërkohë nga mosha 3 deri në 6 vjeç nuk rekomandohet edhe sepse ajo quhet “ mosha e JO-së”. Ndërkohë mbas moshës 6 vjeçare syneti bëhet dhe me miratimin e fëmijës, i cili mund të thotë PO, mbasi është informuar hollësisht se çfarë do të ndodhë gjatë operimit.
Nuk ka gjithashtu asnjë lloj problemi nëse syneti bëhet në moshë të madhe, mjafton që të jetë teknika e duhur që mos ketë shtrembërim dhe mos ketë humbje ndjeshmërie. Ka raste që shtrembërimi i penisit ndodh dhe mbas synetit, pikërisht sepse nuk është përdorur teknika e duhur gjatë operacionit.
Tabu : Celulari në xhep apo ose xhinset e ngushta, sjellin probleme me infertilitetin?
Pantallonat e ngushta ndikojnë në funksionin e testikujve, ndërkohë që pjesa e celularit është e vërtetë, por kur teknologjia ka qënë më pak e zhvilluar. Duhet të dimë që testikujt dëmtohen më shumë nga rrezatimet e tjera më të fuqishme se celulari, siç janë valët e radiove apo ëifi, linjat elektrike, apo rrezatimi në gjithë qytetin. Kjo ka ndikuar në shëndetin seksual dhe fizik të njerëzve, ndihemi më të lodhur se sa ndiheshim para 20 vitesh.
Tabu : Mund të shkojmë te urologu kur kemi probleme të natyrës seksuale ?
Andrologu është vetë urolog, pra ka mjekë që mbarojnë urologji dhe zgjedhin një specializim të veçantë siç është andrologjia. Në të vërtetë të gjitha njohuritë e andrologut i ka dhe urologu dhe patjetër që duhet të drejtohemi t urologu kur kemi probleme të natyrës seksuale. Ka raste në të cilat pacienti ka nevojë për diçka më specifike që i takon andrologut dhe në atë rast, është vetë mjeku që këshillon kolegun përkatës. Ka urolog që trajtojnë më shumë problemet e burrave, ndërkohë që ka të tjerë që merren vetem me problemet e grave, ose me fëmijët: uro pediatër, urologji femërore dhe andrologu.
Tabu : Çfarë duhet të bëjmë kur vuajmë nga ejakulimi parakohe ?
Të gjithë ata që vuajnë nga ejakulimi premature sigurisht që duhet të shkojnë te urologu, ndërkohë që ata që kanë këtë problem duhet të kuptojnë natyrën e problemit, por dhe ekzistencën e tij e cila vërtetohet vetëm gjatë vizitës në çift. E them këtë sepse dua që burrat të kuptojnë që nuk ka rëndësi se çfarë thotë kronometri, rëndësi ka kënaqësia dhe marrëdhënia në çift. Duhet të kuptojnë nëse e klasifikojmë si ejakulim premature apo jo.
Tabu : Ka një numër minimal dhe maksimal të herëve në të cilat mund të masturbohemi gjatë një jave?
Zakonisht këtë gjë e zgjedh vetë personi apo individi, rëndësi ka që kjo zgjedhje të jetë afatgjatë. Kjo do të thotë që në funskionimin normal te një mashkull, duhet një ekuilibër. Për shembul, nuk është pozitive që një muaj të masturbohemi përditë dhe një muaj fare. Ajo çka duhet është një ekuilibër afatagjatë me të cilin ndiheni mirë gjatë gjithë kohës. Trendi që ne shohim është që djemtë dhe burrat, ose masturbohen shpesh ose nuk masturbohen fare. Kur masturbohemi shpesh trupi prodhon më shumë spermë, ndërkohë kur e ndërpresim aktivitetin si me thikë, ajo spermë që prodhon trupi grumbullohet duke të dhënë një ndjesi dhimbjeje apo diskonforti, duke krijuar kiste të ndryshme ngaqë fryhen shumë “qeset” seminale që prodhojnë spermë. Në çastin që ato fryhen më shumë se sa duhet dhe nuk zbrazet kjo spermë, mund të ndodhi plasaritja e kapilarëve dhe me ejakulimin e rradhës shihni gjak në spermë. Për këtë arsye duhet një lloj ritmi dhe një lloj normalizimi.
Tabu : Testikujt nuk janë pothuajsë asnjeherë njësoj dhe nuk janë në lartësinë e njëjtë, nga se varet kjo?
Ashtu na duket nga një pozitë e caktuar, megjithatë testikujt kanë një muskul që e ngren testikulin lartë afër trupit kur është ftohtë dhe e lëshon poshtë në çastin që është nxehtë. Këto muskuj janë të pavarur nga njëri tjetri, në çastin që janë lartë ose poshtë, nga i ftohti ose nxehtësia. Zakonisht ashtu është që te njërëzit, një testikul është më poshtë se tjetri.
Tabu : Cilat janë tumoret që mund të zhvillohen në aparatin gjenital mashkullor?
Tumori më i shpeshtë është ai i testikujve, ndërkohë që ka dy pika kulmore të rrezikshme për burrat, njëra në moshën e pubertetit dhe tjetra në moshën 40 vjeçare. Në shumicën e rasteve janë tumore që nuk përhapen në zona të tjera që do të thotë që në çastin që ato pastrohen nuk shfaqen më, nuk krijojnë metastaza dhe nuk është e nevojshme përdorimi i kemioterapisë.
Ajo që duhet të dinë njerëzit është që kanceri i testikujve trajtohet me efektivitet në gjithë botën, dmth më shumë se 98% e kancerit në testikuj shërohet plotësisht.
Kanceri i prostatës është kanceri më i shpeshtë te burrat, është si kanceri i gjirit te gratë. Pak a shumë 1 në 7 burra ka kancer në prostatë. Përveç kësaj, në çastin që këta pacientë do të vinë për kontroll kur duhet dhe do kurohen siç duhet, nga 1440 njerëz me kancer prostatë, vetëm një vdes. Kjo do të thotë që edhe ky është një kancer i kurueshëm. E vetmja vështirësi që ka kanceri në prostatë është që pacientët kanë shqetësime në një kohë tepër të vonë, në një kohë kur kura bëhet shumë e vështirë, sepse pacientët nuk kanë asnjë lloj shqetësimi, gjatë fazës kur kura është 100% efikase. Prandaj mjekët këshillojnë kontrolle rutinë te urologu mbas moshës 40 vjeçare, kur është dhe koha e duhur dhe më në rrezik.
Tabu : A mund të praktikojmë vetëkontrollin në testikuj?
Po, ne mund të bëjmë vetëkontroll të testikujve. Nëse e bëjmë një herë në 2-3 muaj, jemi shumë në rregull. Zakonisht kontrolli ka kuptim te mosha e adoleshencës, aty ku është piku apo rreziku më i madh; dhe te mosha 40-50 vjeçare kur është më e lehtë për ta kuptuar për shkak të eksperiencës, por dhe për shkak të bashkëshortes që mund ta kontrollojë apo identifikojë.
Tabu : A ka diçka tjetër që do të doje t’i thojë atyre që do të lexojnë intervistën?
Po, doja të flisja për çrregullimet seksuale, sepse dua që ata që na lexojnë të kuptojnë që funksioni seksual nuk është me buton, jemi njerëz të gjallë dhe funskioni seksual mund të ndryshojë dhe variojë. Funksioni seksual nuk mund të jetë stable, sepse njerëzit nuk janë robotë. Funksioni seksual varet dhe nga shumë faktorë të tjerë, si ai psikologjik apo faktori organik. Për shembull, kur kemi periudha shumë të lodhshme, nuk duam as të hamë bukë, kështu që është normale që të mos duam marrëdhënie seksuale. Shembulli tjetër është aktiviteti fizik, nëse ne harxhojme energjinë tonë në palestër, atëherë nuk na mbetet më, shumë testosteron për të harxhuar për energji seksuale.
Partneri gjithashtu ka shumë rëndësi. Në çastin që ai nuk di si të të afrojë – sepse marrëdhënia seksuale nuk është mekanike, do shumë përfshirje dhe ndërveprim- në çastin që çifti nuk përputhet mirë, sigurisht që do shfaqen çrregullime seksuale, që nuk do të thotë që trupi ka një problem të caktuar.
Për këtë arsye, mos u drejtoni te urologu në çrregullimin e parë, jepini kohë trupit të përmirësohet, jepini kohë vetës të kuptoni ndryshimet dhe përmirësimet në jetën tuaj seksuale.
[…] janë shumë më të rralla tek mëshkujt se tek femrat.Mëshkujt sigurisht duhet të ndiqen tek mjeku urolog për problematika të […]
[…] kryesore te personat në moshë të re janë dëmtimet e lehta te prepuci ( pjesa e lëkurës që mbulon kokën e penisit), trauma të frenulit ( shiriti i lëkurës që lidh […]