grate qe dua

Gratë që dua

Tetë mars. Festa e gruas. Ka shumë për të thënë mbi këtë festë, që nuk ka asnjë vlerë për dikë, e shumë vlerë, për të tjerë. Ka shumë tema për të trajtuar, flamuj për të valëvitur, çështje të nderuara apo jo, ndaj të cilave mund të koagulojmë ndjenjën tonë të përkatësisë ndaj gjinisë femërore.

Mund të ndalemi dhjetë minuta, unë këtu që shkruaj dhe ju që lexoni, në punë, në bus, në makinë, apo të ulura të WC, në darkë. Mund të kujtojmë historinë e kësaj feste, luftat feministe, pushtimin e të drejtave, punën, mundësitë, barazinë, pabarazinë, dhunën, fuqinë për të denoncuar diskriminimet e pësuara, dëshmitë e guximshme, intervistat me gratë që mund të na frymëzojnë të gjithëve; mund të flasim dhe për gra të tjera, në pjesë të tjera të botës, që nuk janë të bardhë apo perëndimorë, ato jeta e të cilëve shënohet nga një gjymtim gjenital mizor, gurëzimet, martesa të kombinuara, prostitucioni si një alternativë unike për jetën dhe mijëra forma të skllavërisë që i burgosin ato, kudo që janë, disa dhjetra apo mijëra kilometra larg nesh. Mund të flasim për polemikat rreth abortit dhe mjekëve ose sa suerreale është fakti që ende diskutojmë për këtë gjë. Mund të bëjmë këtë dhe të vazhdojmë në atë retorikën që na përkëdhel pak shpirtin, për të vazhduar me punët  e përditshme me më shumë dëshirë, forcë e krenari ndaj të qënurit një qënie e jashtëzakonshme: grua. Heroina e sfidavë të përditshme. Shumë mirë nëse do të bënim të gjitha këto.

Por, ka diçka që mungon në këtë motëri të cunguar, që zgjat sa një post në Facebook, ose një hashtag në Instagram, ose në rastin më të mirë në pjesëmarrjen e ndonjë organizimi në shesh. Normalisht kjo është më mirë se asgjë, por do të doja më shumë. Do të doja që gratë, secila prej tyre, të dëshironte më shumë, të ndryshonte diçka nga traditat, nga mënyra e të menduarit, në feminizmin tonë të përditshëm, atë të vërtetin, që ndoshta nuk do të zgjidhë problemet e grave në gjithë botën, por që mund të na përmirësojë ne dhe gratë me të cilat kontaktojmë çdo ditë.

Doni shembuj? Po ja gratë që do të doja, nuk i thonë njëra-tjetrës “kurvë” me lehtësinë me të cilën pijnë një kafe, sepse tjetra të parakaloi gjatë rrugës për në Big Market. Gratë që dua nuk mendojnë që një grua e suksessshme është e tillë për shkak të burrit, babait, apo shefit. Gratë që dua nuk thonë që “bythët” e asaj janë aq të mëdha sa më shpejt i kapërcen se sa i bie përqark. Gratë që dua nuk mendojnë që nëse njëra është e bukur është patjetër budallaqe, apo që njëra nëse nuk është tërheqëse meriton të nënvlerësohet. Gratë që do të doja, seksi ju pëlqen në mënyrë të sinqertë dhe e jetojnë lirshëm dhe me vetëdije, duke shijuar repertorin e emocioneve apo ndjenjave që ai ofron. Këto gra e dinë çfarë duan dhe ja shpjegojnë partnerëve të tyre, pa pretenduar dhe pa u ankuar për padituri apo pamundësi. Gratë që dua besojnë tek vetja dhe tek mundësitë që kanë. Ato dinë të qeshin me gabimet e tyre dhe të lehtësojnë pasiguritë e tyre pa u mundura nga etja për konfirmim që të gjitha kemi. Gratë që dua janë kurioze dhe jo të trembura nga ato që janë ndryshe, krijojnë dialog dhe jo paragjykim. Gratë që dua kuptojnë që dhe gruaja më e fortë është e brishtë, dhe që ajo më e dobët ka një titan të fshehur në vete. Gratë që dua nuk gëzohen kur shohin celulitin te këmbët e tjetrës. Gratë që dua nuk do gjykonin apo linçonin të tjerat publikisht apo në Facebook për shkak të veshjes.

Gratë që dua e kanë kaluar me sukses dikotominë e imponuar nga shoqëria, të kurvës dhe shënjtores. Gratë që dua janë të lira të thonë që nuk e duan një fëmijë, pa u ndjerë të tjetërsuara. Gratë që dua janë të lira të duan, një, dy, tre apo katër fëmijë, pa u ndjerë démodé nga të emancipuarat. Gratë që dua kanë opinione, por nuk është e thënë që duhet ta kenë mbi çdo gjë apo që duhet ta shprehin. Gratë që dua dinë të jenë tërheqëse dhe në moshën që kanë, edhe kur shikimet e burrave zvoglohen, sepse bukuria nuk qëndron aty. Gratë që dua janë bashkëshorte të tradhëtuara, por jo budallaçka naïve, ndonjëherë janë dashnore të mashtruara, por asnjëherë “kurva të pista”. Gratë që dua mund të fitojnë më shumë se sa burri i tyre, të kenë më shumë eksperiencë, më shumë vite, pa qënë e nevojshme të ngrejnë dyshime dhe pasiguri. Gratë që dua mund të duan një burrë të pjekur pa dashur lekët e tij. Gratë që dua nuk bezdisen nga mbulesa e njërës dhe bytha e tjetrës. Gratë që dua janë të lira të jenë të virgjëra deri në martesë por respektojnë ato që kanë nisur marrëdhënie që 15 vjeç dhe viceversa. Gratë që dua nëse janë të mërzitura nga diçka e thonë, gjithmonë. Gratë që dua kanë mikesha më të reja, më të vjetra dhe nuk kanë frikë të diskutojnë me to. Gratë që dua kanë kuptuar që bashkëpunimi është më mirë se sa urrejtja . Gratë që dua kundërshtojnë me gjithë forcën e karakterit të tyre, fjalitë më të shpifura, por ndonjëherë të besueshme, se si ne gratë jemi armiku më i keq i vetës, dhe se si miqësia midis nesh ështe e pamundur, apo mitologjike.

Unë njoh disa gra që dua, dhe nuk janë wonder woman. Nuk janë perfekte, nuk janë pa dështime, por tentojnë. Tentoj dhe unë, por nuk është gjithmonë e thjeshtë. Por urimi që bëj sot e nesër, pasnesër, është që të jemi gjithmonë e më shumë në numër, që mundohemi të përmirësojmë veten, njëra me tjetrën, pak më të forta. Ky është urimi që i bëj vetes dhe çdo gruaje.

Gezuar 8 marsin.

Zhaklin Lekatari

14 komente

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  • Une e shoh pozitivisht qenien e guas se emancipuar te edukuar te shkolluar luftetare te embel te bute delikate te eger kur ja do puna e mbi te gjitha nje nene e mire dhe bashkeshorte e mire.
    Nga ana tjeter shoh me keqardhje qe lufta per te drejten e gruas zhvendoset ne revolucionin mashkullor te tyre. Dhe jo ne pa raste kudo ne bote jane shtuar grate me shume testosteron ne trup te hedhura ne lufte per pune e mirembajtje te vetes , ne gare akute per jeten.
    Dhe mendoj or ky revolucioni grave ne bote pse perkon ne kohe me lindjen e autizmit dhe shtimin e tij ne tere boten.
    Fuqi skam ta provoj po besoj qe nje pjese e shkakut te tij eshte mosplotesimi i sakte i memesise dhe braktisja e detyrave ne rritjen e brezit te ri. Pse ne Afrike qe nenat qe i mbajne ne kurriz femijet skane raste autizmi?

    • Pershendetje. Eshte bukur te kesh mundesi debati dhe bisede me dike. Ne radhe te pare nuk jam dakort me faktin qe nje grua, mbi te gjitha u dashka te jete nene dhe bashkeshorte e mire. Kjo fjali tregon qe roli i gruas na qenka ai i sherbetores se burrit dhe femijeve, ose qe roli i gruas eshte patjeter riprodhimi, gje qe nuk eshte aspak e vertete. Nga ana tjeter ndonese nje ide shume origjinale qe pavaresia e grave te lidhe me autizmin mendoj gjithashtu qe eshte nje ide diskriminuese me baze gjinore. Pergjegjesia e femijes apo e semundjeve qe ka ai nuk i takon dhe nuk duhet t’i takoje vetem nenes. Persa i perket Afrikes, nenat atje nuk vuajne nga autizmi po nga AIDS qe shpendahet atje ne menyre qe pasurite afrikane te vidhen me lehtesi. Eshte nje bisede interesante dhe shume e gjere. Te falenderoj per kontributin tend.

      • Jo e nderuar te jete nene e mire tregon qe te rrise femijet te shendoshe, Te jete bashkshorte e mire tregon qe celulen sociale te botes ta mbash mire, ta mbash ne harmoni. Der ketu skemi pike sherbetoreje. Kur te flasim per dhe per burrat kane dha ata problemet e tyre por te jemi brenda temes te grate qe dua.
        Afriken se solla jo te behen grate tona afrikane por te bejne memesine qe prej moszhvillimit e ka akoma afrika por e ka goxha me te natyrshme se modernizimi yne. Jemi pjese e natyres dhe cdo shmangje nga ajo ka pasojat e veta. Thjesht afrika eshte me prane natyres prej fukarallekut. Neve me modernizim mos ti ikim asaj.

        • Mu kujtuan vargjet e Cajupit:
          Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë.
          Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë

          Kush thote qe vetem per te bere kalamaj qenka femra une jo njehere.

        • Fakti qe nje grua vleresohet se eshte nene dhe bashkeshorte personalishte me duket shume diskirminuese. Nje grua eshte grua, pike, dhe duhet respektuar, dashur, si e tille pamvaresisht nese behet apo jo nene apo bashkeshorte. Lidhjet midis autizmit dhe zhvillimit te gruas ende nuk e kuptoj.

          • Kur flitet per grate e nderuar mendohet nje mestare. Mestarja e jetes se nje gruaje po them kot eshte 70 vjec dmth gati 45 vjet eshte nene dhe bashkeshorte e kusuri beqare. Po kush ka thene qe po su be nene e bashkeshorte nuk gezon respekt. Gjithe kjo nderhyrja ime e di ku eshte? Qe revolucioni femeror modern kerkon te ndaje ne kandar punet e zotit 50 me 50 e gjysmen gruaja e gjysmen burri. Bile po te qe e mundur te mbaje burri nja 4 muaj e gjysem ne bark femijen bile dhe dhimbjet e lidjes te ndahen ne dysh. Per kete sjam dakord tjerat per femrat besoj jemi ne nje mendje. Kalofsh mire.

          • hahaha Eh ajo do ishte fantastike, jo per gje se dhe kontributi qe japim eshte i barabarte. Nuk mudn te thuash qe nje nene ben me shume per femijen se sa nej baba. Prinderit jane dikotom, komplementar dhe dashuria apo angazhimi qe ata kane ne familjet e tyre nuk matet me gjinine perkatese. Kalofsh mire dhe ti.

    • Mos ndoshta po e ngaterron me faktin qe femijet ne spektrin e autizmit ne vendet afrikane nuk diagnostikohen? Kjo nuk do te thote qe nuk ka autizem. Biles femijet e emigranteve afrikane ne vendet e Europes Veriore shfaqin prevalence me te larte autizmi se sa vendasit.

      • Hello. Ne fakt nuk e dija kete gje, por do marr informacion dhe do e ndryshoje ate pjese ne post. Faleminderit dhe nese ke ndonje link ku mund te lexoj dicka te lutem te ma postosh ose dergosh.

  • Komplimente zhaklin per kete shkrim Kaq kuptimplote ! Femra duhet Te jete padiskutim e realizuar ne profesion , e Etur per te zgjeruar Spektrumin e dijes , e LIRE per Te bere ate qe do dhe per Te exploruar ne Shum fusha Te jetes , Ta jetojme jeten me ngjyra sepse boll bardh e zi na e bejne Te tjeret . Dhe Po gabuam ne dicka , Ta shijojme gabimin dhe Te marrim anen pozitive qe prej tij kemi mesuar dicka . Nje experience me Shum Nuk eshte keq . Femrat ka ardhur ne jete per Te arritur dicka vete , Te jete krenare per suksesin e saj dhe jo Te fshihet pas hijes dhe figures Se mashkullit qe ka ne krah sic bejne shumica , pra ATo femra qe Jane Kaq guximtare dhe inteligjente kane nje pozite shume Te larte ne shoqeri dhe meritojne RESPEKT ! Nje femer e tille ka Sharmin qe ATo femrat e Buta „ Te Embla dhe pak“ budallaqe „Te cilat Jane masivisht terheqese per meshkujt ,Nuk e kane . Edhe Pse shumica e meshkujve zgjedhin kete lloj kategorie femrash per krijuar nje marredhenie afatgjate , Jam krejtesisht e bindur qe ne trurin e Tyre mendojne per keto Sharmantet qe Jane Pa komplexe dhe mendjehapura . Por problemi Qendron tek fakti qe meshkujt kane frike nga femrat e forta , Nuk dine te Komportohen derisa eklipsohen nga fiqua e kesaj lloj femre dhe largohen prej saj Pa e kuptuar dhe vet . Zgjidhni ate mashkull qe Ju do sic jeni dhe jo tju tentoj tu modifikoj dhe tjetersoj Sepse Ashtu i pelqen atij , ne fund Te fundit ti je ajo qe duhet Te marresh jeten tende nen kontroll dhe ti japesh gaz per Te pasur adrenaline . Te jetosh Nuk do Te thote Te hash dhe Te flesh , Por Te gjithe kemi nevoj per emocione Te forta , kenaqesi qe e merr pas nje suksesi Te arritur , pas nje realizimi Te nje endrre , pas nje kontakti pasionant me Partnerin apo flirtime qe Mund Te kemi gjate Te perditshmes tone .

  • Të lumtë, ke rënditur veti tepër të bukura dhe fisnike. Edhe diskutimet tek pjesa e komenteve janë interesante. Personalisht mendoj se një femër ka bërë arritjen e madhe të saj në jetë në momentin kur e sheh vetpërmirësimin dhe arritjet e saj si një udhëtim drejt vetëplotësimit personal dhe jo si një garë me mashkullin. Gjithashtu dekadat e fundit rrolet gjinore kan ardhur duke u shpërbërë disi natyrshëm pasi njëriu në vetvete mbart atribute nga të dyja gjinitë dhe ndryshimi është thjesht fiziologjik. Fuqia dhe pushteti vendimmarrës nuk e bën femrën aspak ‘më pak femër’ (mendoj se kjo llogjikë vjen nga ndonjë fobi e pavetëdijshme ndaj një shoqërie matriarkale 😀 https://sciencestruck.com/matriarchy-vs-patriarchy ). Shoqëritë matriarkale krahasuar me ato patriarkale janë më produktive dhe pro jetës duke i parë gjërat si funksione organike dhe jo thjesht mekanike.

    • Faleminderit per komentin shume interesant dhe mbi te gjitha per linkun. Do e lexoj me shume kurizitet. Jane tema shume interesante, them se kshu zhvillohet dhe mendimi sociologjik ne bote.