riot poster

Në një botë burrash, përdhunimi nuk gjen drejtësi

Rasti i përdhunimit në Rrëshen, por dhe të gjitha ngjarjet e tjera të ngjashme të ndodhura javët e fundit, më bëjnë të kuptoj që në një shoqëri maskiliste dhe patriarkale, përdhunimi nuk gjen drejtësi dhe kam dyshime nëse do ta gjejë ndonjëhere.

Pesë veta, burra të moshave të ndryshme, që kanë përndjekur, shantazhuar, kërcënuar, përdhunuar një vajzë 15 vjeçare, për muaj me radhë, pa asnjë lloj ndjenje keqardhje apo pendese. Ndonëse drejtësia ende nuk ka thënë fjalën e saj, zhurma që u ngrit në mediet sociale, më bëri të kuptoj që shumica e atyre që na rrethojnë as e kanë idenë se çfarë do të thotë  “të përdhunosh”; dhe jam e sigurt që në imagjinatën e tyre, as në paradhomën e hapësirës boshe midis veshëve, nuk dinë që përdhunim  do të thotë kur: një apo shumë përsona, të zhveshin, me dhunë, të ulin pantallonat, të grisin fundin dhe fustanin, të shqyejnë bluzën, sutjenat, të marrin celularin, të lidhin, dhe me rradhë të penetrojnë në anus, vaginë dhe gojë, duke të xhiruar dhe duke u talluar me ty.

Justifikimi apo fajësimi i viktimës, bazohet  shpesh në faktin që ajo nuk shfaqi shenja kundërshtimi, që nuk tregoi, që nuk foli, që pranoi shantazhin, se ishte bythë lëvizur, se i kruhej, se donte të bënte dashuriçka, sepse gruaja e fut djallin në shishe, sepse gruaja e ka fajin vetë dhe që dhuna nuk është e tillë, nëse nuk je e dëmtuar, e përgjakur e plagosur, ose e vdekur. Sepse dhuna e heshtjes, dhuna e të qënurit i frikësuar, i shokuar, dhuna e frikës, dhuna e emocioneve, nuk e ka një emër në drejtësinë e sotme.

Kur je 15 vjeç dhe rrethohesh apo kërcënohesh nga pesë vetë, e vetmja gjë që mund të bësh është të mbyllësh sytë, të mos bësh asgjë nga frika, të mos thuash asgjë ndërkohë që dhunohesh në të gjitha mënyrat e mundshme. Mundohesh mos mendosh, mundohesh që një pjesë e jotja të jetë larg, e paprekshme, më sy të mbyllur, që mos ndiesh flokët e shkulur, mishin e gërvishtur, trupin si atë të një marionete, që të harrosh duke shpresuar që të mbarojë sa më parë.

E vërteta është që nuk ka drejtësi për përdhunimin, në shoqëri maskiliste, në shoqëri kur përdhunimi është shënjë burrërie, në një shoqëri ku mes shokësh, përdhunimi është barcaletë, është shaka, është një natë ndryshe plot argëtim, është të qeshura, është useri yt i profilit në Instagram. Nuk ka drejtësi kur përdhunimi normalizohet dhe të skandalizon dhe trondit më pak se një denoncim në polici, se sa një protestë, se sa një trup i zhveshur që në mënyrë metaforike të zhvesh nga hipokrizia dhe kultura machiste.

Nëse do që të të bësojmë, duam një copëz nga ty. Nga krenaria jote, nga dhimja jote, nga frika jote. Na jep diçka që mund të peshojmë dhe me anë të së cilës mund të kuptojmë se sa ke vuajtur, sa ke paguar. Na jep një copëz mish nga ai trup që do vetëm për vete.

 Pse vallë drejtësia për gratë ka çmim, dhe pagesa bëhet me vlerën që burrat i japin ?

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Titulli i pageses

Subjekti i pageses
Vendosni emailin tuaj: