not single anymore

Kur mbaron etapa e beqarisë

Disa nga gjërat e çuditshme që ndodhin kur fillon të përjetosh një lidhje, mbas shumë kohësh beqare, janë reaksionet e atyre që ke përreth. Padyshim që problemet e vërteta janë të tjera. Duhet të mendosh për furçën e dhëmbëve, shampoon, larësin e ftyrës, rrobat që do veshësh të nesërmen, rrobat e palsestrës, për të mos folur për bioritmin e prishur i cili ka ndryshuar totalisht strukturën e jetës prej beqari. Prandaj midis gjithë këtyre gjërave që ke për të bërë, nuk mendon se si do jenë reagimet e atyre që të rrethojnë , edhe sepse, sipas meje, të jesh beqar apo çift janë dy situata tranzitore të cilat i përjetojmë të gjithë, në detin e gjerë të marrëdhënieve bashkohore.  Gjithsesi ka një listë reagimesh, sidomos të atyre që janë pranë teje.

Familjarët

Të çmendur nga idea që ti mund të vdesësh vetëm, pa pasardhës, e ngrënë nga insektet. Familjarët e tu janë të lumtur. Ti je e lumtur pra dhe ata janë të lumtur, si rrjedhojë dhe ti je e lumtur sepse mendon që je duke bërë gjënë e duhur. Krijohet kështu një rreth vicioz ku, ai kthehët në një hyjni, sepse është në gjëndje të të menaxhojë ty, rebelimin tënd, histerinë tënde, dhe të gjitha anët e çuditshme dhe të pakuptuara të karakterit tënd. Morali ndaj sjelljes tënde, është pothuajse imediat, me këshilla që shkojnë nga: “sa djalë i mirë që është” e deri te “ mbaje fort” . Nëse ai qëllon të jetë i zgjuar mund të përfitojë nga simpatia e tyre me shumë pak punë, detaje të vogla: edukatë qytetare, higjenë, pyetje, buzëqeshje dhe apetit të mirë.

Shoqet e lidhura ose të martuara

Të shohin me butësi dhe surprizë, sikur të ishë ndonjë miushe që ka marrë patentën. Ose sikur dhe ti më në fund erdhe në rrethin e adultëve, hyrje që vuloset kur je e shoqëruar nga një penis. Wellcome e dashur, në botën e çifteve, ku tani ke të drejtë të ankohesh dhe ti, sepse kështu fitohet statusi i “ çiftit simpatik të konsoliduar”. Normalisht je supër vonë. Ndërkohë që ti prezanton të dashurin, të tjerat janë të martuara ose duke lindur. Është si të mbarosh shkollën dhjetë vite më vonë. Moz u mërzit, nuk thonë kot, më mirë vonë se kurrë.

Miqtë e lidhur

E dinë që ju jeni në fillimet tuaja, që bëni shumë seks, dhe i merr malli për këtë fazë, sepse tashmë ata janë në fazën: “bëjmë seks në weekend nëse nuk kemi shumë punë”. Ju kanë zili dhe shpresojnë që të ju kalojë sa më parë kjo kënaqësi e padurueshme që përçoni, atë bashkëpunim që vetëm lumturia dhuron.  Ajo dritë e padurushme e atij që mashtron veten që çdo gjë do të jetë kështu. Gjithmonë.

Miqtë e vjetër

Merakosen për mbarëvajtjen e lidhjes dhe të kohëzgjatjes së saj. Nëse është shumë e shpejtë apo shumë e ngadaltë, nëse do fiksoshesh siç bën me palestrën apo me ushqimin, sepse je një lëmsh në shpirt, mërzitesh shpejt, do lirinë tënde e kshu me rradhë. Kanë shpresa, por dhe xhelozi. ( Dmth tani ke të dashur ? Nuk do takohemi më ? Ku ke humbur ? Nga je zhdukur ? “ Kjo duhet thënë patjetër, koha zvogëlohet, përditshmëria ndryshon, pak. Kështu që nga e djeshmja kur ishe gjithmonë në gatishmëri, je futur në një marrëdhënie dhe je në airplane mode. Ke dëshirë të kalosh kohë më individin e ri i cili ka pushtuar vëmëndjen tënde, më të cilin po ndan, jetën, hapësirën apo kohën. Padyshim që njerëzit e dallojnë këtë ndryshim.

Shoqet beqare

Janë më delikatet, sidomos në këtë fazë: të shohin me pabesi dhe pasiguri. Çdo ndjenjë sintetizohet në një pyetje ose disa: “ Si është e mundur ? Kur ndodhi ? Si ndodhi ? Atëhere, ka dhe burra normal?” Padyshim, që shoqet beqare janë më të rëndësishmet, sepse pyetjet që bejnë ato janë dhe pyetjet që ti i  bën vetes. Gjërat që nuk kanë kuptim për to, nuk kanë as për ty.

Nuk di ta them si ndodh, a do zgjasë, a do jetë një vrimë në ujë, dhe një tjetër tentativë në romanin e marrëdhënieve romantike të jetës tënde apo times. Kështu që, kur gjërat e bukura ndodhin , thjeshtë duhen jetuar, pa e vrarë shumë mëndjen, sidomos nëse ke menduar që nuk do ndodhte kurrë, që nuk do ishe më në gjëndje të pranoje apo të ishe e pranuar nga dikush, që ke harruar se si është një marrëdhënie, që ende nuk e di se si është partneri perfekt.

Gjërat e bukura ndodhin dhe kur ndodhin duhen shijuar.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.