Kontraceptivet e kombinuar

Kontraceptivët e kombinuar, çfarë janë dhe si veprojnë ?

KK njihen ndryshe si pilulat e kombinuara, tabletat ditore, pilulat, kokrrat, etj,

KK janë kokrra/tableta, që përmbajnë hormone estrogjen dhe progestin dhe veprojnë duke parandaluar ovulimin tek trupi i gruas. Hormone në këto pilula janë në dozë të ulët dhe të ngjashme me ato, që prodhohen nga vetë trupi i një gruaje.

Si përdoren:

Gratë duhet të marrin një kokërr çdo ditë në të njëjtën orë dhe të fillojnë paketën tjetër në kohë. Për udhëzimet mbi fillimin e përdorimit të KK, këshillohuni me personelin shëndetësor dhe specialistin.

Efektshmëria:

KK, janë 99,7% efektive në parandalimin e një shtazënie të paplanifikuar, nëse përdoren në mënyrë korrekte ( marrja e kokrrës çdo ditë në të njëjtën kohë). Mundësia që të ndodhë një shtatzëni rritet, nëse gruaja harron të marrë një apo më shumë kokrra apo i merr ato me vonesë. Përdorimi i disa ilaçeve mund të ulë efektshmërinë e KK. Në të gjitha këto raste, këshillohuni me personelin shëndetësor apo farmacistin se si duhet vepruar.

Përfitimet

KK janë t ë sigurta për shëndetin e gruas dhe menjëherë të efektshme, ( brenda 24 orëve). Shumica e përdoruesve kanë menstruacione të rregullta, me më pak gjakderdhje dhe dhimbje menstruale. KK ofrojnë mbrojtje ndaj kancerit të vezoreve, endometrit ( mureve të mitrës) dhe infeksioneve pelvike. Ato mund të parandalojnë formimin e kisteve në vezore dhe aneminë nga mungesa e hekurit. Përdorimi i KK nuk ndikon në marrëdhënie seksuale. Me ndërprjerjen e marrjes se KK, rikthimi i fertilitetit ( aftësisë së gruas për të ngelur shtatzënë nuk vonon).

Efektet e mundshme anësore dhe kufizimet

Përdorimi i KK mund të shoqërohet me disa efekte anësore, por jo domosdoshmëritsht te të gjitha gratë. Disa nga efektet e mundshme anësore janë: ndryshime në gjakderdhje ( në kohë e sasi), përshtjellim në stomak, marrje mendsh, ndjeshmëri e gjinjve, dhimbje e lehtë koke, dhe apo ndryshime të vogla në peshë. Këto shenja largohen/lehtësohen pas 2-3 muajve të përdorimit të rregullt të metodës. KK nuk ofrojnë mbrojtje ndaj IST-ve, përfshirë HIV.

Kush mund t’i përdorë KK ?

Pothuajse të gjitha vajzat dhe gratë që janë në moshë riprodhuese. Këshillohuni me personelin shëndetësor apo farmacistin, nëse mund të përdorni këtë metodë.

Ku gjenden KK ?

Në qendra shëndetësore, maternitete dhe farmaci.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.