Zona e shoqerise

Friendzone – kur tjetri nuk të ka shumë qejf sa e ke ti

Koncepti friendzone ka lindur në mes të viteve ’90, por u bë i famshëm në vitet 2000. Ai vjen nga kultura pop dhe u bë kaq shumë i përhapur nga mediat dhe nga rrjetet sociale.  Me friendzone kuptojmë atë situatë stagnacioni që zhvillohet gjatë një miqësie, gjatë të cilës njëri nga personat ndjen diçka për palën tjetër. Ndërkohë pala tjetër nuk është në dijeni ose nuk ndjen të njëjtën gjë.

Kur flasim për friendzone, duket sikur ka disa stereotipe që na bëjnë të besojmë që ky është një problem që kanë vetëm heteroseksualët ( ata që pëlqejnë seksin e kundërt). Një djalë i urtë, i kujdesshëm për dëshirat e tjetrës. Një vajzë e ftohtë që duket sikur nuk ka interes, ose që simpatizon personat e gabuar. Shpesh vajzat që nuk kanë ndjenja të njëjta me një djalë cilësohen si “ të pashpirt”, “manipuluese”, ose të “egra”.

Ky perceptim është i bërë më i besueshëm edhe nga serialet apo filmat e ndryshëm të cilët sikur e dekurajojnë miqësinë midis burrit dhe gruas. Është besim i përbashkët, fakti që kjo miqësi është e vështirë, ose e pamundur. Të gjithë besojmë që në këtë raport ka aq shumë faktorë për të menaxhuar sa duket sikur miqësia ka lidhje me gjininë. Kështu miqësia burrë grua, bëhët një tokë jo stabile, ose një terren ku është e pamundur të lulëzojë një miqësi pa kushte, apo një ndjenjë e vërtetë miqësie.

Por, a mundet kjo situatë stagnacioni të kthehet në një dashuri të ndersjelltë ?

Sipas Stemberg ( 1988), dashuria përbëhet nga tre sjellje: intimitet, pasion dhe vendim-përgjegjësi. Nga kombinimi i këtyre elementëve rrjedhin tipologjitë e ndryshme dashuri/miqësi midis të cilave zhvillohet dhe miqësia, e cila mund të përhapet në disa nivele.

Niveli i parë, lind vetëm nga intimiteti, ose ndjenja afërsie, konfidencë apo bashkëpunim me tjetrin; në këtë rast, dy individët ndjejnë një tërheqje reciproke që nuk përfshin anën erotike, por kjo nuk do të thotë që ndjenja e afeksionit nuk mund të modifikohet.

Niveli i dytë, trajton “ dashurinë-miqësi” që është shumë e ngjashme me dashurinë vëllazërore e cila me shumë vështirësi mund të marrë nota erotike apo seksuale.

Ndoshta ajo që sapo thashë, na bën të kuptojmë apo të shpjegojmë pse mbasi kemi rrëfyer ndjenjat tona për dikë, përgjigja që marrin është “Jo” ose “ për mua je vetëm një mik”.

Sipas një kërkimi udhëhequr nga Hunt ( 2015) kur dy persona kalojnë më shumë kohë për njohje reciproke përpara se të nisin një marrëdhënie, vëmendja ndaj dukjes fizike kalonë në plan të dytë; tërheqja fizike është në plan të parë për ato lidhje që lindin nga një njohje sipërfaqësore.

Ky studim duket sikur zhbën mitin e dashurisë platonike. Por, mund të pyesim veten nëse kjo ndodh sepse hyjnë në lojë dy nivelet e miqësisë të propozuar nga Sternberg ? Pra, dështimi mund të vije sepse duam të ndryshojmë kushtet e një miqësie bazuar në intimitet dhe dashuri vëllazërore.

Pse atëherë fillojmë miqësi me dikë që na pëlqen në vend që të jemi të sinqertë ? Pse ?

Shpesh herë duket sikur fitimi i një dashurie është më me vlerë se sa miqësia dhe kërkon më shumë përqëndrim dhe punë, gjë që jo të gjithë duan të pranojnë.

Të dalësh nga friendzone, shpesh herë përfshin një ndryshim ekuilibri të krijuar më parë në çiftin e miqve, një ndryshim aq të madh sa ndonjëherë nuk ka më kthim mbrapa. Rrëfimi i ndjenjave ndonjëherë mund të shkaterrojë gjithshka.

E vetmja përparësi që kanë të gjithë ata që duan të heshtin në një hap të tillë, është fakti që ndjenja e miqësisë e bën marrëdhënien më funksionale, sesa ato çifte që janë bashkë vetëm për kënaqësi seksuale ( VanderDrfit, 2012).

Një gjë është e sigurt: edhe marrëdhëniet miqësore edhe ato dashurore, kërkojnë një angazhim të madh në kohë,  në të dyja rastet ballafaqimi dhe trasparenca janë SUPER TE RENDESISHME.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.