Para disa ditësh në një nga postimet në faqen e Instagramit të Tabu Blog, unë ndava me ndjekësit një informacion rreth virusit dhe vaksinës HPV. Duke parë që rreth kësaj teme kishte konfuzion, vendosa të bëj një bisedë me gjinekologun- obstetër Dr. Ardi Prushi që ju mund të gjeni të Klinika Hygeia. Lexoni intervistën që kam kryer me të dhe informohuni.
Tabu Blog: Çfarë do të thotë HPV dhe pse duhet ta dimë ?
Dr. Prushi: HPV është akronimi i Human Papilloma Virus, i cili është një virus ADN dhe i përket familjes së papillomaviridae. Rreth 90% e infektimeve me HPV janë asimptomatike dhe zgjidhen nga organizmi për një periudhë gati 2-vjeçare. Në momentin që HPV persiston atëherë ai mund të shkaktojë lythat ose lezione të tjera prekanceroze. Në varësi të pozicionimit të tyre, atëherë do të rritej risku për zhvillim të kancerit të zonës së interesuar.
Duke qënë se ky virus hyn në kategorinë e viruseve të transmetueshëm seksualisht, sigurisht që vëmendja më e madhe përqëndrohet tek kancerat gjinekologjik apo urologjik.
HPV ka nëntipe të shumtë dhe që përcaktohen në 3 kategori, risk i ulët, i mesëm dhe i lartë. Në rreth 70% të kancerave të cervixit (qafa e mitrës) nëntipi i izoluar është ai 16 dhe 18. Duhet thënë së thuajse të gjithë kancerat e cervixit ( qafa e mitrës) vijnë si pasojë e një infektimi me HPV e ndaj të gjithë gratë duhet të jenë të vëmëndshme dhe të mirë informuara mbi shkaktarin, depistimin, diagnozën, trajtimin dhe kujdesin që duhet të kenë.
Lythat gjenital, apo kondilomat janë këmbanat e alarmit të infektimit me HPV dhe përgjithësisht shkaktohen nga nëntipi 6 dhe 11.
Derimë sot janë izoluar rreth 170 nëntipe të HPV dhe rreth 40 prej këtyre nëntipeve transmetohen patjetër në rrugë seksuale, vaginale, anale apo orale.
Tabu Blog: Pse duhet një vaksinë HPV ?
Dr. Prushi: Thuajse çdo person aktiv seksualisht do të infektohet me HPV në një moment të jetës së tij. Sikurse thamë më sipër, 90% e tyre nuk do të kenë asnjë simptomë apo shenjë klinike nga ky infektim. Rreth 14 milion Amerikan infektohen në vit me HPV përfshirë këtu çdo moshë e cila ka jetë seksuale aktive.
Sot mund të thuhet se vaksinimi kundrejt HPV ka reduktuar me 86% numrin e infektimeve që shkaktojnë kancerat apo lythat gjenital tek vajzave në adoleshencë, ndërkohë që tek gratë e vaksinuara, përqindja e lezioneve prekanceroze të shkaktuara nga tipet e HPV që shkaktojnë kancer cervikal ka rënë me 40%.
Rreth 36000 femra diagnostikohen me kancer cervixi në vit në ShBA, ndërkohë që vaksinimi parandalon rreth 32000 raste.
Thënë sa mësipër, rezulton absolutisht efektive vaksina kundrejt HPV dhe jetëshpëtuese.
Tabu Blog: Sa zgjat efekti i vaksinës ?
Dr. Prushi: Kjo në fakt është një pyetje e cila sigurisht nuk mund të jepet në mënyrë definitive pasi imuniteti i aktivizuar veç valencës së vaksinës dhe kohës kur kryhet, varet dhe nga reagimi imunitar që bën një individ i vaksinuar. Gjithsesi sot kemi studime të shumta dhe thuajse të sakta që na japin të dhëna mbi kohëzgjatjen e efektit të vaksinës anti-HPV.
Analiza e modelit matematikor e bazuar në regjimin me 3 doza të vaksinës profilaktike të nëntipit të HPV-16 na jep të dhëna se 99% e femrave të vaksinuara të moshës 16-23 vjec do të kenë imunitet thuajse jetësor anti-HPV 16. Të dhëna të rëndësishme mbi vaksinën anti-HPV kuadrivalente treguan se imuniteti long-term ishte induktuar me një titër anti-HPV pas 5 vitesh të njëjtë apo më të lartë se titri i shkaktuar nga imuniteti natyral post-infeksion.
Ngjashëm ndodh dhe për vaksinën bivalente, me një seropozitivitet >98% pas 4.5 vitesh, dhe me titër në këtë kohë më të lartë se imuniteti natyral post-infeksion.
Mund të thuhet se aplikimi i vaksinës në moshën e mësipërme mund të jetë përgjatë gjithë jetës.
Tabu Blog: Sa zgjat prezenca e HPV në trupin e njeriut dhe çfarë rreziku përbën ?
Mund të thuhet se HPV mund të qendrojë dhe gjatë gjithë jetës në trupin tonë dhe të mos japë asnjë shenjë. Kjo sigurisht që varet nga nëntipi i virusit. Gjithsesi imuniteti ynë është një mekanizëm perfekt dhe ai do të fillojë të prodhojë antitrupa për të luftuar këtë infeksion.
Pak a shumë pritet që në krye të 2 viteve HPV të jetë zhdukur nga organizmi jonë si pasojë e reagimit imunitar.
Duke u nisur nga sa shpjegova mësipër, egzistojnë testet e screening për këtë virus dhe ndaj kryerja e PAP-Test tek femrat është jetik. Fatkeqsisht për meshkujt derimë sot nuk ka teste screening ndaj HPV.
HPV prej nëntipit do të përcaktojë dhe rreziqet në trupin tuaj. Sikurse kemi përmendur, në shumicën e rasteve është asimptomatik (90% e infektimeve) dhe mund të shkaktoje deri kancer të vendit të implantimit.
Tabu Blog: Kujt i këshillohet vaksinimi ?
Vaksinimi anti-HPV tashmë ka protokolle të mirëpërcaktuar se kush dhe kur duhet të vaksinohet. Vaksinimi rekomandohet në rutinë nga mosha 11-12 vjeç por mund të fillohet dhe që në moshën 9 vjeçare. ACIP (Advisory Committee on Immunization Practices) rekomandon se deri në moshën 26 vjeçare mund të kryhet vaksinimi në përsona të cilët nuk janë vaksinuar mjaftueshëm më parë. Kjo vaksinë jepet në seri prej 2 ose 3 dozash, në varësi të moshës së fillimit.
Sigurisht që vaksina nën konsultë më mjekun tuaj, mund të kryhet dhe nga mosha 27-45 vjeç, por benefitet e saj janë të pakta duke marrë në konsideratë se ju në këtë rang moshe ka gjasa të jeni infektuar nga HPV.
Duhet cilësuar se kjo vaksinë duhet të kryhet detyrimisht tek personat e imunokompromentuar sipas protokolleve specifike të cilat duhen diskutuar me mjekun infeksionist. Këshillohet që tek këto persona të kryet regjimi me 3 doza.
Tabu Blog: Sa kushton vaksina ?
Kosto e vaksinës sigurisht është e lartë dhe kjo varet dhe nga kompania farmaceutike prodhuese. Vaksina HPV në shumicën e vendeve mbulohet nga siguracionet si pjesë e skemave të vaksinimit të popullatës. Fatkeqsisht në vendin tonë, vaksinimi kundër HPV nuk përfshihet në kalendarin e vaksinave dhe kjo në të ardhmen do të ketë kosto për shoqërinë tonë.
Gardasil 9 ka një kosto prej 400-500$ në tregun ndërkombëtar për 3 dozat e saj.
Skema e vaksinimit funksionon pranë spitalit tonë Hygeia dhe kushdo prind që kërkon të vaksinojë fëmijën duhet të më kontaktojë për ti shpjeguar nga afër efektet dhe risqet.
Tabu Blog : Sa doza duhen marrë ?
2 doza të vaksinës janë të mjaftueshme dhe të rekomandueshme sipas protokollit të CDC për vaksinimin anti-HPV, deri në moshën 15 vjec.
Doza e dytë duhet dhënë rreth 6 muaj – 1 vit pas dozës së parë. Në rast se marrja e dozës së dytë tëk adoleshentët ndodh brenda 5 muajve nga doza e parë, atëherë rekomandohet të kryhet dhe një dozë e tretë.
Nga mosha 15-26 vjec rekomandohet kryerja e 3 dozave të kësaj vaksine duke përfshirë dhe të imunokompromentuarit dhe skema është si mëposhtë:
Doza 1, 2 muaj më pas doza 2, 6 muaj pas dozës 1 të kryhet doza 3.
Kjo skemë përfshin dhe të imunokompromentuarit e moshës 9-26 vjec përfshirë dhe AIDS.
Tabu Blog : Është një vaksinë që duhet të bëjnë vetëm gratë apo dhe burrat ?
Absolutisht që vaksinimi I HPV duhet të kryhet në të dyja gjinitë. Kancerat anal, penil dhe orofaringeal janë në shumicën e rasteve me origjinë nga HPV e kështu duhet parandaluar.
Skemat e mësipërme kryhen dhe për meshkujt sikurse për femrat.
Tabu Blog : Ka efekte anësore ?
çdo medikament tjeter, vaksina anti-HPV ka kontraindikimet dhe efekter anësore.
Personat të cilët kanë pasur hipersensitivitet apo alergji nga vaksina të mëparshme të kryera duhet të sqarohen në lidhje me anti-HPV.
Personat të cilët në dozën e parë kanë krijuar reaksion të rëndë imunitar si shoku anafilaktik nuk duhet të kryejnë dozat e tjera.
Në grupin e kujdesit duhet të futen dhe personat me alergji ndaj latexit (vaksinat në shiringa të parambushura mund të krijojnë reaksion nga latexi I kapakut mbyllës së vaksinës), përsonat më probleme alergjike karshi majasë duhet të sqarohen pasi vaksina kuadrivalente dhe ajo nëntëvalente prodhohen në terren të Saccharomices cerevisiae (majaja e bukës).
Të sëmuret akut duhet ti shmangen vaksinës derinë sqarimin dhe kalimin e situatës akute, ndërsa ato me sëmundje kronike duhet të konsultohen me mjekun.
Efektet anësore të saj në shumicën e rasteve janë lokale dhe të tipit inflamator të vendit të injeksionit, shoqëruar me skuqje, enjtje dhimbje nga 20-90% të rasteve. Duhet të cilësoj se kjo ndodh thuajse në cdo vaksinim apo injeksion.
Temperatura trupore mund të rritet deri në 37.8 gradë gjatë 15 ditëve të para të pas vaksinimit. Kjo nuk është shqetësuese dhe njihet si reagim imunitar.
Të tjera efekte anësore te rralla janë dhimbjet trupore, lodhja, dobësia, nauze.
Rekomandohet që pacienti të qëndrojë ulur deri 15 minuta pas injektimit pasi mund të ndodhin gjëndje lipotimie.
[…] kundër virusit HPV ndihmon që të parandalojë infektimin e personave nga mikrobi i quajtur “Virusi i Papilomes […]