Seksizmi ne televizione

Seksizmi në televizion, një fenomen që kemi ndërtuar vetë

Nuk është është hera e parë që shkruaj për sjellje të papërshtatshme në televizionet shqiptare të cilat janë një pasqyrë shumë e mirë e shoqërisë tonë dhe e vlerave që ajo mbron. Nga fillimet e televizionit e deri tani, shumë fytyra kanë hyrë në shtëpitë e shqiptarëve, por ka qenë ardhja e televizionit komercial që ndryshoi mesazhin dhe rolin e grave në TV, nga ai i lirisë seksuale ( që kemi synuar gjatë viteve ’90) në atë të kënaqësisë së shikimeve mashkullore.


Ndërkohë që televizioni shtetëror ka ruajtur ndër vite një lloj imazhi dhe disa kufij të përfaqësimit të denjë femëror, e njëjta nuk ka ndodhur në televizionet e tjera, ku vajzat gjithnjë e më shumë janë kthyer në kontur apo shoqëruese të prezantuesit. Është normale sot të shohim vajza të bukura, që quajmë ndryshe dhe velina, të shfaqin hiret e tyre me krenari, përpara kamerës që i filmon nga maja e këmbës dhe deri te qimja e flokut.

Kështu roli si aksesor i emisioneve televizive ka ardhur duke u forcuar dhe duke u formësuar, një rol që disa vajza e kanë lënë pas krahëve duke kaluar në fazat e tjera të televizionit si prezantimi apo moderimi ( shiko Luana dhe Marina Vjollca), por një pozitë që edhe sot shërben si trampolinë për rrugëtimin në televizion.

Nuk dua të lë pas bisedat në talk show, emisionet e pasdites, emisionet e mëngjesit, të cilat, sado që vitet e fundit janë munduar të përballen me tematika si fuqizimi i gruas, homoseksualiteti, bullizmi, dhuna në televizion, feja, feminizmi e kështu me radhë, përsëri nuk e kanë realizuar qëllimin e tyre përderisa nuk ka një linjë editoriale në gjetjen e të ftuarve (pjesa më e madhe e tyre janë burra) dhe në dinamikat dhe gjuhën e përdorur gjatë komunikimit ( shiko: Opinion, Open). Kështu që nuk duhet të habitemi shumë kur në një televizion kombëtar dëgjojmë një anëtar jurie (Albi Nako në Just Dance) t’i thotë një konkurrenteje që “ është shumë e madhe në moshë për të marrë pjesë në një spektakël më të rinj dhe që ajo bën mirë të harxhojë kohën e saj duke qëndruar në shtëpi me fëmijët dhe recetat e gatimit”.

Nuk duhet të habitemi shumë sepse ajo që tha Albi është ajo që mendon shoqëria shqiptare për gruan, është ajo që kemi ndërtuar këto vite, janë dështimet e tentativave për emancipim dhe zhvillim që nuk përkthehen në degjenerim, por në mundësi shkollimi dhe punësimi të grave, asaj pjese të shoqërisë që për shumë persona është ende kategori B.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i protagonistit të lajmit, i cili sqaroi deklaratën e tij duke thënë që ishte një dialog i stisur, pjesë e një skenari, që më logjikë të thjeshtë, i parashtrohet një procesi mendimi. Duke ndjekur po këtë logjikë të thjeshtë, unë si shikuese e zakonshme, pyes veten se pse skenarët e emisioneve shqiptare kanë mesazhe mizogjene, seksiste, denigruese dhe zhvlerësuese për vajzën dhe gruan, e cila quhet laraskë, e cila kapet prej zheles dhe nxirret jashtë, e cila quhet e përdalë, e cila quhet makineri fëmijësh dhe pastruese që ofron shërbime seksuale.

Në të gjithë këtë kakofoni që kemi krijuar, në këtë shoqëri me mesazhe dikotome për të rinjtë dhe pa shembuj të vërtetë dhe të shëndetshëm, u habita nga reagimet e shumta kundër deklaratës seksiste. Olimpi i vipave shqiptar që tronditet dhe për një herë thyen atë “paktin e heshtur” të mbështetjes për njëri-tjetrin, me deklaratë pro gruas (konkurrentes në fjalë) dhe pro emancipit dhe të drejtës së saj për të zgjedhur se si ta jetojë jetën e saj. Këto janë reagime që meritojnë duartrokitje dhe ovacione, sepse vetëm nëse shoqëria reagon, ne do të thyejmë një herë e përgjithmonë sjelljet e papërshtatshme dhe zhvlerësuese ndaj vajzës dhe gruas shqiptare. Vetëm duke mos i pranuar deklarata të tilla në mënyrë kolektive, ne dalëngadalë do të rrisim vetëdijesimin për të parandaluar këto probleme kulturore të cilat do të duan shumë kohë që të përmirësohen. Vetëm nëse si shoqëri refuzojmë sjellje të tilla, do të mund të kemi një rreth shoqëror, atmosferë dhe mentalitet që respekton njeriun si qënie dhe si individ, pavarësisht përkatësisë gjinore.

Prandaj, vajza, gra, djem dhe burra, reagoni, sepse liria nuk vjen pa sakrifica dhe angazhim.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.