Urinimi është një ndër nevojat bazike të organizmit, të cilit i kushtojmë më pak rëndësi se çdo gjë tjetër në organizmin tonë. Çdo ndryshim i theksuar i ngjyrës së urinës tregon se trupi juaj nuk po merr sasinë e duhur të ujit dhe mund të jetë paralajmërim për gjendje shëndetësore të ndryshme. Zbuloni në këtë artikull çfarë tregon ngjyra e urinës për shëndetin tuaj.
Kur ngjyra është transparente: Bëni kujdes, kjo ngjyrë tregon që jeni duke konsumuar sasi të larta të ujit, mbi nevojat reale të trupit.
Kur ngjyra është në të verdhë të zbehtë: Kjo ngjyrë e urinës tregon se jeni mjaftueshëm i,e hidratuar. Organizmi juaj po merr sasinë e duhur të ujit që i nevojitet për të kryer funksionet e përditshme si hidratimi, ruajtja e temperaturës trupore dhe eleminimi i toksinave.
Kur ngjyra është e verdhë e errët: Ngjyra e verdhë e errët nuk është e lidhur me ndonjë problem shëndetësor të dukshëm, por është njëlloj paralajmërimi përsa i përket nevojës për t’u hidratuar. Duhet të shtoni nevojat ditore në mënyrë që të kompensoni sasinë e humbur nga djersitja dhe urinimi.
Kur ngjyra është në nuancë kafe: Në këtë rast duhet të jeni shumë të vëmendshëm. Kjo ngjyrë e pranishme në urinën tuaj mund të paralajmërojë për dehidratim të shkallës së rëndë.
Kur ngjyra është në nuanca rozë, ose e kuqe: Së pari duhet të kujtoheni nëse keni ngrënë ushqime që mund të kenë pasur ndikime në ndryshimin e ngjyrës së urinës. Por nëse kjo ngjyrë nuk ka lidhje me ushqimet e kuqe (luelshtrydhe, panxhar i kuq,domate apo qershi), si dhe vëreni që mund të keni gjurmë gjaku në urinë, atëherë duhet të bëni kujdes. Mund të vuani nga problemet me veshkat, infeksionet e rrugëve urinare, problemet e prostatës, etj.
Kur ngjyra është portokalli: Kjo ngjyrë tregon se nuk po konsumoni mjaftueshëm lëngje dhe rezervat hidrike të trupit janë drejt shterimit.
Kur ngjyra është jeshile ose blu: Kjo ngjyrë është disi e pazakontë. Nëse urina është blu, kjo vjen për shkak të ushqimit ose mjekimeve që keni marrë.
Burimi: Living
Jep koment