Liria

Kam parë dhe beqarë të lumtur

Një nga pikëpyetjete më të mëdha që njërëzit më bëjnë më shpesh, ka të bëjë me lumturinë e të qënit i/e beqar/e. Pra: je mirë apo vuan ?

Si je ? Si je ti që nuk ke gjetur akoma të dashur ndërkohë që të gjithë ata rreth teje martohen, riprodhohen, duke i siguruar rracës njerëzore vazhdimësi?  Sepse në fund të fundit për çfarë kemi lindur ? Si je pra ?

Si jam ? Besoj qe lumturia nuk varet nga statusi sentimental. Padyshim që herë pas here më mungon një partner. Disa herë më shumë, disa herë më pak. Kur shoh çiftet e lumtura ( që nuk janë perfekte, por që janë çifte, mundohen, permirësohen), ndonjëherë do e doja dhe unë një gjë të tillë. Padyshim ama, që jam e lumtur sepse jam e lirë. Liria është vlerë dhe dhurata më e bukur. Shpesh herë ama për të kuptuar këtë, duhet ta humbim.

Çfarë lirie ? Çdo liri. Lirinë serioze dhe atë më pak serioze. Lirinë për t’u zgjuar kur të duash në mëngjes. Lirinë për të ngrënë natën në krevat, pa u gjykuar për këtë. Liria për të veshur një palë tuta lejla dhe liria për të qënë e shëmtuar. Liria për të ikur në palestër të dielën në kohë dreke. Liria për të shkua në TEG për shopping, duke u vërdallisur për orë të tëra sepse askush nuk të prêt jashtë derës. Liria për të zgjedhur pushimet dhe datat e tyre. Liria për të parë një sezon të plotë House of Cards. Liria për të mos parë telenovela turke.

Liria për të bërë një dush, liria për të fjetur vetëm në një krevat dopio. Liria për të bërë një pordhë nëse ke ngrënë fasule, pa e ndjerë veten të pisët. E di që bota është e mbushur me partner që i bëjnë pordha njëri-tjetrit, por unë nuk do e bëj. Liria për të mos ngrënë, pasta, laktozë, apo mish të kuq. Liria për të mos kaluar verën më vjehrrin dhe vjehrrën. Liria në besimin ndaj vetes, pa u gjykuar, paragjykuar apo diskutuar nga një burrë, i cili vuan për shkak të po atij besimi e lirie. Liria për mos të qënë xheloze dhe për mos përjetuar xhelozi. Liria për të ikur, kthyer, ikur prapë, kthyer prapë, ndenjur. Pa kërkuar miratimin e dikujt. Shtriga, histerikja, e çmendura. Liria për mos t’u quajtur kështu. Liria për të mos u bërë me nerva. Liria për të qënë vetëm. Liria për të luajtur lojën sipas rregullave të mia. Liria për të ndenjur vonë deri në ora tre për të folur për feminizmin, libra, seksin, ushqimin, palestrën. Duke pirë një cigare, sepse ende nuk e kam lënë cigaren.

Liria për të mos gënjyer për një orgazëm. Liria për të flirtuar dhe për të ikur. Liria për mos tradhëtuar, veten. Liria për të marrë atë që dua dhe jo atë që të tjerët mendojnë që dua. Liria për të dëgjuar veten. Liria për të qënë ajo që jam pa kërkuar falje, justifikime, shpjegime. Pa i vënë titra shpirtit tim.

Liria për të qënë e pavarur. Për të ja dalë me forcat e mia. Liria për të vendosur për veten. Liria për të dalë nga gardhi. Për të luftuar gjykimet dhe paragjykimet. E ti mund ato ( paragjykimet). Liria për t’u zbuluar në pasqyrë e bukur, e fortë edhe kur nuk jam, edhe kur do plakem.

Nuk e di nëse kjo të bën të jesh egoiste, individualiste, e shumë të tjera. Nuk e di nëse kjo do të thotë të mos kesh dëshirë impenjimi. Nuk e di nëse është kjo lumturia në fund të fundit .

Nga ana tjetër ama di çfarë do të thotë të jesh i lirë. Liria është vlerë e mjaftueshme për të qënë i lumtur dhe kur je beqar.

Nuk më mbetet tjetër të pres atë partnerin më të cilin do ndajë lirinë dhe me të cilin do të jem më e lumtur në çift se sa vetëm.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.