Për disa vajza dhe gra, menstruacionet janë të rregullta e të përpikta si ora, ndërsa për disa të tjera janë të paparashikueshme dhe mund të vinë papritur. Madje, ndonjëherë ato nuk vinë fare!
Por, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se jeni shtatzënë.
Vonesat apo kapërcimet e menstruacioneve mund të ndodhin për një sërë arsyesh, përveç shtatzënisë. Shkaqet e zakonshme të menstruacioneve të parregullta variojnë nga luhajtjet hormonale deri në çështje serioze mjekësore.
A është normale kjo gjendje?
Ekzistojnë dy momente në jetën e një gruaje, kur është normale të ketë menstruacione të parregullta: në pubertet dhe në fillim të menopauzës. Mesatarisht, shumica e grave i kanë menstruacionet e tyre çdo 28 ditë. Por një cikël menstrual, në një grua të shëndetshme mund të zgjasë nga 21 deri në 35 ditë. Përveç pubertetit, menopauzës dhe shtatzënisë, menstruacionet e humbura mund të jenë tregues i problemeve shëndetësore.
A është e mundur të vonohen menstruacionet për një muaj?
Po, mund të keni vonesë madje dhe mungesë menstruacionesh, për një muaj të tërë. Faktorët që ndikojnë përfshijnë stresin, peshën e ulët të trupit, shtimin në peshë, sindromën e vezores policistike (PCOS), përdorimin e pilulave kontraceptive, sëmundje të caktuara kronike, perimenopauzën e hershme dhe sëmundjet e tiroides.
Mungesë menstruacionesh për tre muaj: a është mirë?
Mungesa e menstruacioneve për tre muaj ose më shumë njihet si amenorea sekondare. Shkaqet natyrore të mungesës së menstruacioneve për tre muaj përfshijnë menopauzën, shtatzëninë dhe ushqyerjen me gji.
Po cilat janë faktorët që shkaktojnë vonesën apo mungesën e menstruacioneve?
Stresi. Stresi është një nga arsyet më të shpeshta, që mund të rezultojë në një ç’ekuilibër hormonal dhe madje të ndikojë në hipotalamus – pjesa e trurit që ndihmon në rregullimin e menstruacioneve tuaja. Ai gjithashtu mund të shkaktojë humbje ose fitim të papritur të peshës ose sëmundje të tjera. Stresi mund të lindë nga shumë faktorë si udhëtimi, çështjet profesionale, marrëdhëniet sociale, problemet emocionale, çështjet financiare, etj.
Pesha e ulët e trupit. Pesha e ulët e trupit është gjithashtu një arsye e mundshme. Femrat me çrregullime të ngrënies përfshirë bulimia ose anoreksia nervore mund të kenë mungesë të menstruacioneve. Nëse pesha e trupit tuaj është nën 10 përqind të intervalit normal për gjatësinë tuaj, atëherë kjo mund të shkaktojë frenim të proçesit të ovulimit, për shkak të ndryshimeve hormonale.
Aktiviteti i shtuar fizik. Atletët dhe personat që ushtrojnë aktivitet intensiv fizik ose që marrin pjesë në format ekstreme të stërvitjes si maratona, gjithashtu mund të pësojnë crregullime menstruale.
Obeziteti. Në mënyrë të ngjashme me peshën e ulët të trupit, obeziteti gjithashtu mund të rezultojë në ndryshime hormonale, që çojnë në mungesë të menstruacioneve.
Sindromi i vezores policistike (PCOS). PCOS është një gjendje në të cilën trupi prodhon më shumë hormone androgjene se normalisht. Për shkak të këtij ç’ekuilibri hormonal, formohen ciste në vezore, duke e bërë ovulacionin të parregullt ose duke e ndaluar atë krejtësisht. Kjo rezulton në humbje mestruacionesh.
Përdorimi i kontraceptivëve. Përdorimi i pilulave kontraceptive për parandalimin e shtatzënive të padëshiruara, mund të sjellë ndryshime në ciklin menstrual. Kontraceptivët përmbajnë hormonet progesteron dhe estrogjen, të cilat parandalojnë vezoret të lëshojnë vezë (pengojnë proçesin e ovulacionit). Mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, që cikli juaj menstrual të bëhet përsëri i rregullt, pas ndalimit ose fillimit të marrjes së pilulave për kontrollin e lindjes. Lloje të tjera të kontraceptivëve hormonalë që injektohen ose implantohen gjithashtu mund të shkaktojnë mungesë menstruacionesh.
Sëmundjet kronike dhe përdorimi i medikamenteve. Disa sëmundje kronike si sëmundja celiac dhe diabeti gjithashtu mund të ndikojnë në ciklin tuaj. Ndryshimet e sheqerit në gjak mund të shkaktojnë ndryshime hormonale dhe diabeti i pakontrolluar mund të shkaktojë cikël të parregullt. Sëmundja celiac shkakton inflamacion në traktin intestinal dhe parandalon trupin, të thithë lëndë ushqyese jetike. Kjo gjithashtu mund të shkaktojë menstruacione të vonuara.Disa femra përjetojnë humbje menstruacionesh për shkak të medikamenteve të tilla si ato kundër depresionit, antipsikotikët, ilaçet e kimioterapisë dhe ilaçet për të trajtuar hipertensionin.
Gjendra e tiroides: Gjëndra tiroide rregullon metabolizmin e trupit, duke ndikuar në shumë proçese në organizëm. Tiroidja hipoaktive apo hiperaktive ndikon në nivelin e hormoneve dhe rrjedhimisht edhe në ciklin menstrual.
Perimenopauza e hershme: në shumicën e grave, menopauza fillon midis moshës 45 dhe 55 vjeç. Nëse simptomat e menopauzës fillojnë para moshës 40 vjeç, konsiderohet perimenopauza e hershme (faza kalimtare që i paraprin menopauzës). Perimenopauza e parakohshme do të thotë që furnizimi i vezëve tuaja po bie. Kjo mund të rezultojë në menstruacione të humbura dhe përfundimisht në fund të menstruacioneve.
A duhet të kërkojmë ndihmën e mjekut kur kemi çrregullim të ciklit menstrual ?
Duhet të konsultoheni me mjekun tuaj për çrregullimet menstruale, veçanërisht nëse cikli juaj menstrual është zakonisht i rregullt. Mjeku mund t’ju sugjerojë alternativën e duhur të trajtimit.
Vizitoni mjekun tuaj nëse vuani nga simptomat e mëposhtme:
- Keni mungesë të ciklit tuaj menstrual tre ose më shumë herë në një vit;
- Cikli menstrual është më i shpeshtë se çdo 21 ditë ose më i rrallë se 35 ditë;
- Gjakderdhja zgjat më shumë se shtatë ditë;
- Gjakderdhja është më e rëndë se normalisht;
- Nëse keni dhimbje të forta gjatë ciklit menstrual;
- Nëse keni gjakderdhje pas menopauzës (gjakderdhje pasi të keni hyrë në menopauzë dhe të mos keni cikël menstrual për një vit).
E dashur un kam vonim qe 1 vit kam shtuar pesh ,jam kontrolluar te gjinekologu me ka then e ke nga pesha po sa nis e u humbas pesh un ende shtoj qe nuk me vie cikli
Cikli mund të vonohet nga ndryshimet e shpejta në peshë, jo nga fakti që je e shëndoshë. Kur nisa të dobësohesha, bëja shumë ushtrime e nuk haja shumë dhe nuk më erdhën ato për 3 muaj. E njëjta gjë më ka ndodhur kur kam shtuar shumë kile në një kohë të shkurtër. Nuk më erdhën për 3 muaj. Sapo stabilizohet trupi, pra kur ke një aktivitet konstant, nuk ke luhatje peshe etj., cikli normalizohet menjëherë.
Mua kështu më ka ndër vite. Unë momentalisht jam më e shëndoshë se ç’kam qenë ndonjëherë, por ciklin e kam shumë të rregullt, sepse kam një aktivitet konstant, ha në mënyrë konstante, kam peshë konstante, trupi është stabilizuar në këtë peshë.
Kjo është thjesht përvoja ime. Rasti yt mund të jetë ndryshe.