Çfarë janë kokrrat e urgjencës ?
Kokrrat e urgjencës janë e vetmja metodë e Planifikimit Familjar që ju mbron nga shtatzënia e paplinifikuar PAS një marrëdhënieje të pambrojtur seksuale. Ato duhet të merren brenda 5 ditësh PAS marrëdhënies së pambrojtur seksuale. Sa më shpejtë të merren, aq më të efektshme janë në parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara.
Kur duhet të përdoren kokrrat e urgjencës ?
- Kokrrat e urgjencës përdoren pas çdo marrëdhënieje të pambrojtur seksuale;
- Pas dështimit të ndonjë metode tjetër të planifikimit familjar ( p.sh çarja e prezervativit gjatë marrëdhënies apo mostërheqja e penisit në kohëne duhur para derdhjes së spermës);
- Nëse gruaja ka harruar të marrë 3 apo më shumë kokrra nga paketa mujore e kokrrave për parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara, apo ka filluar paketën e re të kokrrave 3 ditë me vonesë.
Kush mund t’i përdore kokrrat e urgjencës ?
- Kokrrat e urgjencës janë të sigurta dhe të përshtatshme për t’u përdorur nga të gjitha vajzat dhe gratë active seksualisht.
- Ato mund të përdoren në çfarëdolloj kushtesh shëndetësore që mund të jetë gruaja, pavarësisht problemeve të tjera shëndetësore që ajo mund të ketë.
- Kokrrat e urgjencës mund të përdoren sa herë që ju mendoni se mund të mbeteni shtatzënë, por ato nuk përdoren si një mbrojtje e vazhdueshme ( çdo ditë).
- Kokrrat e urgjencës nuk janë të efektshme nëse gruaja është shtatzënë. Njëkohësisht ato nuk dëmtojnë shtatzëninë tashmë të filluar.
Si veprojnë kokrra e urgjencës ?
- Kokrrat e urgjencës veprojnë duke shtyrë kohën e pjekjes së vezëve te femrat dhe duke krijuar kushte jo të përshtatshme në mitër për fillimin e një shtatzënie.
- Kokrrat e urgjencës nuk ju mbrojnë nga shtatzënitë prej marrëdhënieve seksuale që kryeni pas marrjes së tyre, edhe nëse kryeni marrëdhënie seksuale në të njëjtën ditë.
Ku gjenden kokrrat e urgjencës ?
Kokrrat e urgjencës si Postinor, Norlevo, dhe Preventol, mund të gjenden në farmaci. Pyesni mjekun, maminë apo farmacistin, për mënyrën e përdorimit të tyre.
Keni nevojë për kokrrat të urgjencës apo metoda të vazhdueshme të Planifikimit Familjar ?
Nëse keni nevojë për mbrojtje të vazhdueshme ( çdo ditë), atëherë ju mund të zgjidhni një metodë tjetër Planifikimi Familjar.
Pyesni dhe diskutoni me mjekun apo maminë rreth metodave të planifikimit familjar, që ju japin një mbrojtje të vazhdueshme dhe të efekteshme nga shtatzënitë e paplanifikuara.
Jep koment