I keni parë ato reels ose Tik Tok ku zakonisht një djalë, ose burrë këshillon të tjerët të mos ngatarrohen me gratë sepse shumica e tyre për t’u relaksuar shikojnë histori krimi ?
Epo ka shumë studime të cilat prej një dekade tashmë kërkojnë ndërlidhjen midis këtij obsesioni që kanë gratë që të shohin histori horror ose kriminale dhe pse ky zhanër është kaq i përhapur mes gjinisë femërore.
Në vitin 2010, kompania Amazon, drejtoi një pyetësor në bashkëpunim me Universitetin e Illinoisit, duke arritur në përfundimin që 70% e komenteve të bëra tek librat me tematikë krime të vërteta, ishin prej një publiku femëror. Nga ana tjetër një studim i publikuar tek Social Psychological and Personality Science ka treguar që gratë janë më të prirura të konsumojnë produkte “true crime” për shkak të aspektit psikologjik, edukativ dhe sepse viktimat janë shpesh gra (70%).
Sipas studimit, ‘gratë më shumë se burrat, kanë për të mësuar nga leximi i këtyre librave, mbi të gjitha kur në qendër të historisë viktima është gjini femërore”, dhe kjo ndodh sepse gratë kanë frikë më shumë se burrat që të bëhen viktima të një krimi.
Pjesa më e madhe e sektorit “true crime” që përfshin, seriale televizive, podcaste, dokumentarë, libra, ka në qendër të historisë, vdekjen ose abuzimin e një viktime të gjinisë femërore, që ndodhet në mes të misterit, të ngjarjeve apo krimeve të pazgjidhura, ose që janë shndërruar në raste botërore, ose të ngjarjeve të kaluara me rëndësi në historike. Kujtoj këtu protagonisten e parë të historive “true crime”, Elizabeth Short e quajtur më vonë, Dahlia e Zezë, e cila u gjet e ndarë në dy pjesë, ose historinë e vajzës së Vatikanit, Manuela Orlandi që tashmë e gjeni dhe në Netflix, ose karrierën fantastike të Elisa de Marco ose siç njihet në internet Elisa True Crime.
Sipas autores të Nasty Women, Jude Ellison me emër arti, Sady Doyle, duke ndjekur këto histori, gratë hyjnë në kontakt me brishtësinë e jetës femërore duke u përfshirë thellësisht në të.
Gratë, por mbi të gjitha vajzat e reja, përjetojnë kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës. Mjafton të lëxojme statistikat: më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-74 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e dhunës, gjatë jetës së tyre sipas një vrojtimi të kryer nga INSTAT në vitin 2018. Ndërkohë sipas Ministrisë të Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, në vitin 2022 kemi pasur 4000 denoncime dhune me bazë gjinore në strukturat shtetërore.
Parë këto shifra, janë të kuptueshme deklaratat e shkrimtares, Jude Ellison, Sady Doyle: “ Pse gratë nuk duhet të jenë të obsesionuara nga nevoja për të kuptuar dhunën, nëse kjo dhunë ka kaq shumë fuqi dhe ndikim mbi jetët e tyre ? “
Jep koment