sologamia

Po, pranoj: sologamia , gra që martohen me veten

Marina ka një sëmundje vdekjeprurëse dhe më 1 shtator do të realizojë ëndrrën e saj për t’u martuar me veten. Gjesti i saj ka një emër: sologami. E thënë ndryshe, praktika e martesës me veten.

Ekziston edhe një faqe interneti (Sologamy.org) ku mund të merrni një certifikatë martese me veten. Çertifikata nuk ka asnjë vlerë ligjore, por nga ana tjetër ceremonia, festa e këndshme (edhe për t’u mbuluar me dhurata) nuk janë të ndaluara.

Sipas gazetave të huaja – në vitin 2023 po rritet numri i personave, kryesisht grave, që festojnë martesën me veten.

Sologamia në perëndim ekziston që nga fillimi i viteve 1990, falë një gruaje amerikane, të quajtur Linda Barker, e cila u martua me shtatë shoqëruese të nuses dhe pothuajse tetëdhjetë të ftuar. Megjithatë ka shembuj në Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Japoni, ku në Kioto – sipas një artikulli të BBC që daton në vitin 2014 – ekziston një agjenci udhëtimesh që organizon ceremoni martese për gratë që përqafojnë sologaminë.

Por si arrihet në pikën që dëshiron të martohesh me veten? Një holandeze e quajtur Jennifer Hoes, e cila u martua me veten në vitin 2003, flet për këtë në një dokumentar. Nga njëra anë ajo nuk donte ta kalonte jetën nën kontrollin e traditave dhe konventave shoqërore, nga ana tjetër zgjodhi të shprehte individualitetin dhe dashurinë për veten me një festë, pse jo, romantike.

Por a është ky vërtet, rezultat i një kulture që shtyn drejt individualizmit? Ndoshta, por të paktën është më e mirë se ajo kulturë që ka indoktrinuar brez pas brezi, idenë e martesës – heteroseksuale – si e vetmja rrugë përpara. Kështu, pas dekadash kufizimesh dhe konventash, cikli natyror i jetës ka arritur pikën e tij të thyerjes.

Motivimet pas sologamisë ndryshojnë rast pas rasti. Nuk është domosdoshmërisht një refuzim i normave shoqërore, disa njerëz me të vërtetë duan të festojnë dashurinë për veten.

Është e qartë se asnjë nga këto ceremoni martesore nuk u festua apo u njoh ligjërisht nga ndonjë autoritet. Por kur ka dashuri – për vete – gjithçka është aty, apo jo?

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.