Të dielën ishte festa e gruas. Rrini të qetë nuk do flas për vlerat historike të kësaj date. Nuk do flas as për anën komerciale dhe për aromat e mimozës. Nuk do flas as për streap-tease mashkullor që i reduktojnë gratë – sipas legjendave urbane- në qënie të një kategorie inferiore. Nuk dua të flas as për barazinë gjinore, as për faktin që donim biçikletën dhe tani duhet të pedalojmë edhe pa shalë, sepse në fund të ditës na pëlqen njësoj, apo jo ? Nuk dua të shkruaj emrat e vajzave dhe grave të vrara këtë fillim viti, duke nënvizuar se sa i nevojshëm është një ndryshimi kulturor në një vend ku kronika është e përkedhelur nga seksizmi kronik. Nuk dua të bëj asnjë nga këto që permenda, jo sepse nuk janë të domosdoshme, por sepse kohët po ndryshojnë dhe ka aspekte më të rëndësishme për të vlerësuar.
Nuk është një periudhë historike e thjeshtë kjo që po jetojmë. Nuk është një atmosferë përfshirëse për ne gratë, për minoritetet që me ose pa të drejtë rebelohen. Sepse gratë në njëfarë mënyrë janë minoritet. Një minoritet paradoksal, sepse nuk janë më të pakta në numër ose cilësi, ndonëse trajtohen si të tilla.
Ato që sipas nesh janë popujt “ më të zhvilluar”, nordikët, aty ku trenat janë gjithmonë në kohë, aty ku ke të drejtë të martohesh më kë të duash, të bësh ose jo një fëmijë, të zgjedhësh për jetën dhe vdekjen tënde, aty ku janë më feminist sa ne. Izlanda është vendi më feminist në kuptimin real dhe konkret të çështjes. Një vend ku gratë ulen anash burrave në kontekstin e pushtetit, jo si një dekor rozë, por si pjesë e integruar e sistemit. Gratë ngrejnë pikëpyetje të ndryshme, ndryshojnë aksin e argumentit të trajtuar, propozojnë zgjidhje të ndryshme: krijojnë, sipas meje, një shoqëri më të mirë.
Pastaj duhet kuptuar që tregimi publik i feminilitetit, është i ndryshëm nga feminiliteti i vërtetë. Cfarë do të thotë ? Që kur për ne thonë që jemi të brishta, shumë ambicioze, të paftyra, me menstruacione, oportuniste, kurva, sa herë që na thonë këtë, heshtin për shumë të tjera. Heshtin për faktin që edhe se jemi të brishta, trupi ynë prodhon fëmijë, një superfuqi jo dhe aq e brishtë. Heshtin e nuk thonë që nëse jemi ambicioze jemi edhe të organizuara, të afta, të gatshme, të shkathta, të shpejta, sikurse burrat. Heshtin ndaj irracionalitetit tonë që nuk ndryshon shumë nga ai i burrave, mjafton të kuptojmë që 70 % e burrave bazojnë karakterin dhe individualitetin e tyre te madhesa e një organi, penisit. Heshtin ku nuk thonë që emocionet tona, na bëjmë të ngulim gozhda dhe të ndërrojmë poça por dhe të kuptojmë, dëgjojmë, ndiejmë, ndërmjetësojmë, bashkojmë.
Dimë të organizojmë, menaxhojmë, degjojmë, flasim. Të gjitha këto aktivitete të rëndësishme, për komunitetin. Për familjen, për grupin e miqve, për grupin e punës.
Heshtim dhe nuk themi që jemi të lodhura nga akuzat. Çfarë mendoni që jemi ? Souvenir, një dhuratë ? Nje restorant ? Jo, pra jo. Na mungon vetëdijesimi. Na mungon një feminilitet i ri, i shkruajtur nga gratë, e bazuar në mundësi të barabarta, duke ia hequr peshën dhe burrave të këtij stereotipi mashkullor. Hello, është viti 2020, ekzistojnë burra që qajnë dhe gra që nuk gatuajnë. Shyqyr universit për këtë. Është vetëdijësimi që na mungon, jo solidariteti që i rezervohet një grupi të margjinalizuar. Sepse nuk jemi minoritet.
Duhet të themi që sikurse heshtim aspekte të feminilitetit, heshtim dhe për aspekte të feminizmit. Duhet të sqarojmë dhe të fillojmë mos etiketojmë apo izolojmë të gjitha ato gra që dalin nga kufijtë apo pritshmëritë që shoqëria ka vendosur. Ato që nuk duan të jenë nuse, nëna, baby-sitter, dado, kuzhiniere, porno-sanitare. Dikush do mendojë ose do thotë: mund ti jepni makinës, mund të votoni, udhëtoni, studioni, punoni, të visheni si të doni, të postoni dhe të përshkruani penisa e vibratorë, çfarë doni më shumë ?
Ne gratë duam që shoqëria të kuptojë që feminizmi nuk është garë, se kush është më i mirë, ose më i keq, ose me pak koherent ose me i dhunshëm. Nuk është njësi matëse e përdhunimeve apo zemrave të plagosura, nuk është një numërim i plagëve, luleve apo darkave që pranojmë. Feminizmi është nevoja për të qënë pjesëmarrës në mundësi të barabarta, me paga të barabarta, me tejkalim të centimetrave mendorë që i përkasin shekullit të shkuar. Është mundësi për të arsyetuar, për të mbushur dhe valorizuar diversitetin e gjinive, në të njëjtën mënyrë në të cilën një kompani e madhe valorizon aftesitë. Feminizmi kërkon një botë në të cilën gjinia dhe orientimi seksual të mos jenë murë, në të cilën burrat dhe gratë bashkëpunojnë në mënyrë të barabartë, një shoqëri më e zhvilluar, më e mirë për të gjithë.
Ka diçka tjetër që duhet sqaruar, nuk ekzison vetëm një lloj feminizmi. Ka shumë rryma, në të cilat gratë mund të gjejnë veten, aq shumë saqë të gjitha gratë duhet të jenë feministe, pa e menduar më shumë. Të mos jesh feminist është kontradiktë, është budallallëk. Sepse fjala “ feminist” nuk është një ofendim. Nuk ka vetëm feminizëm klasik, ekzibicionist, androgjen, apo të sofistikuar lezbo-chic, apo feminizmi trendy i Tabu Blog. Mund të jemi feminist dhe të depilohemi, të bëjmë baby botoks dhe ndërhyrje në vulvë. Mund të jemi feminist pa qënë pro mospërdorimit të linesit, mosheqjes së qimeve. Mund të jemi feministe dhe femërore. Mund të jemi feministe duke mos urryer burrat, sepse kemi nevojë për ta.
Kemi nevojë për burrat më të mirë që kemi, të aftë të kuptojnë idenë e kësaj kauze edhe kur ka akuza për nazifeminizëm. Sepse janë vetëm strumentalizime të një lloj skllavërie mendore ende shumë e ngulur thellë në shoqërinë tonë.
Kemi nevojë për politikanë që nuk i thërrasin kolegët “lavire bulevardi”, kafshë, apo çdo lloj ofendimi tjetër. Kemi nevojë për burra që nuk i thërrasin gratë silikon, majmun, kurvë, ose diçka tjetër. Kemi nevojë për burra që të kuptojmë që nuk duam më të shikojmë marioneta në parlament, seksizëm në television, kinema, reklama, punë, e kudo tjetër.
Kemi nevojë për burra që nuk thonë që femicidi është shpikje mediatike e Soros, për burra që nuk gjykojnë gratë nga veshja, nga mosha, nga masa, nga ritualet seksuale, nga zgjedhjet të jetës private, apo nga burrat që marrin meritë për sukseset e saj, burri, vëllai, babai. Kemi nevojë për burra që e kuptojnë refuzimin dhe dinë të dalin nga ai me elegancë dhe klas. Kemi nevojë për burra që dinë të qeshin me gratë, që nuk na shohin si shtriga, por që janë në skuadrën tonë. Kemi nevojë për burra që të na trajtojnë për atë që jemi, shoqe, partnere, mikesha, mama, bija, kolege, motra, kushërira e kshu me rradhë. Kemi nevojë për burra dhe gra, hetero dhe gay, të bindur që një shoqëri është më e vlefshme nëse vlerëson gruan dhe mendimin e saj. Kjo ështe ftesa ime për festën e gruas: komunikoni, dëgjoni njëri-tjetrin, ballafaqohuni, meditoni, stervitni durimin. Duhet të jetë një festë për të gjithë, një moment për të folur qartë, duke përdorur fjalën, shprehinë, tonin, zërin. E di është e vështirë të flasësh dhe punosh mbi kulturën, por dhe ky është pushtet. Sepse kultura nuk është prioritet politik, prandaj duhet ta mbrojmë, ruajmë, integrojmë. Për këtë arsye ne gratë duhet të mendojmë për veten, për rolin tonë, për pushtetin tonë.
Urime 8 Marsi të gjithëve.
Jep koment