zan zindagi azadi

Grua, jetë, liri ( zan, zindagi, azadi)

Prej shekujsh gruaja ka arritur të menaxhojë fertilitetin e saj falë njohurive që kishte mbi ciklin menstrual, mbi bimët e ndryshme, por dhe metodat mbi abortin, ndonëse këto njohuri u shkulën prej saj  që në rrënjë. Si rrjedhojë nga dobësimi i gruas, burrat e ndienë arrogancën e pushtetit dhe filluan të merrnin vendime mbi trupin e saj.

Po, kush janë ata që marrin vendime mbi trupin e gruas, duke vendosur edhe sa fëmijë duhet të ketë ajo ? Janë politikanë, përfaqësues fetarë apo politikbërës, të cilët eksperimentojnë me të gjitha proçeset e trupit të gruas, ndonëse vetë ata nuk përjetojnë asnjë prej tyre, që nga ngjizja, shtatzënia, lindja apo aborti. Si rrjedhojë nisur nga fakti, që feja, ligji apo tradita nuk njohin përgjegjësinë që kanë të dy prindërit gjatë shtatzënisë, atëherë po të njëjtët duhet të kuptojnë që nuk kanë të drejtë të shprehin asnjë opinion mbi këtë temë, sepse kjo çështje nuk e ka asnjë lidhje me ta. Janë vendime personale që i përkasin vetëm gruas.

Të kesh lirinë të veprosh mbi fertilitetin tënd është një e drejtë bazike njerëzore.

Në Gjermaninë naziste, kush abortonte dënohej me burg, kush e praktikonte, me dënin me vdekje. Reichit i duheshin fëmijë, prandaj mamatë që kishin 8 të tillë, merrnin edhe medalje ari. Por, edhe sot, ligjet në USA, Poloni, Hungari, Maltë janë kaq drakoniane dhe çnjerëzore saqë duket sikur ka filluar përsëri gjuetia ndaj shtrigave. Në USA u bë i njohur rasti i vajzës 11 vjeçare e cila mbasi kishte ngelur shtatzënë nga një përdhunim, nuk mundi të abortonte për shkak të legjislacionit të ri të shtetit ku jetonte. Pavarësisht skandalit botëror ajo u detyrua të ndërronte shtet që të kishtë një mundësi rekuperimi në të ardhmen. Për të gjitha këto arsye ( por dhe për shumë të tjera), dekriminalizimi i abortit është shumë i rëndësishëm, dhe vënia në dyshim e tij shumë e rrezikshme, edhe për ne, që këtë të drejtë e  kemi të kodifikuar që prej vitit 1993.

Duke qëndruar ende te Shtetet e Bashkuara  dhe te legjislacioni më i ri që i tregoi grave që shteti ku jetojnë i urren, nuk duhet të harrojmë Steve King, një anëtar i Kongresit të Shteteve te Bashkura, i cili propozoi që të kriminalizonte të drejtën e abortit dhe në rastet e përdhunimit dhe incestit, sepse “ çfarë do të ndodhte nëse do t’kalonim në sitë të gjitha pemët gjenealogjike duke eliminuar të gjithë të lindurit si rezultat i përdhunimit apo incestit ? Do kishim përfaqësues të popullsisë botërore ? Duke marrë parasysh gjithë luftrat, përdhunimet e grabitjet që kanë ndodhur në shumë shtete, nuk mund të përjashtoj që dhe vetë unë mund të jem rezultat i një prej tyre”- tha ai. Me pak fjalë, incesti dhe përdhunimi janë veprime normale që duhen pranuar. 84 anëtarë të Kongresit Amerikan firmosën propozimin e Steve King.

Një tjetër senator Amerikan, Todd Akin, ka thënë që shtatzënia pas një përdhunimi është një ngjarje shumë e rrallë, sepse sipas tij, trupi i gruas ka mundësi të mbyllet që ta evitojë. Sipas Akin, mitra arrin të dallojë përdhunimin nga aktivitetet e tjera seksuale. Ky gjeni në atë kohë ka qenë anëtar i Komisionit për Shkencë, Hapësirë dhe Teknologji. Mos harrojmë që në Shtetet e Bashkuara numërohen 32 mijë rastë në vit,  të shtatzënive nga përdhunimi.

Bëni llogaritë vetë.

Zhaklin Lekatari

2 komente

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  • Sa temë e bukur Zhaklinë. Të admiroj, je zëri I shumë vajzave dhe grave. Më vjen shumë keq për kryqëzimet e shëmtuara në rrjete gjatë BBV, jo vetëm sepse askush nuk meriton të marrë këtë lloj feedback-u nga publiku, por mbi të gjitha sepse dëshmon nivelin kulturor dhe të emancipimit të shoqërisë.
    Gjithsesi, ndoshta kaq e zënë sa je, nuk I bie radha komentit tim të lexohet✌️🫣☺️! Hugs!