Historia njerëzore ka modele të pafundme të organizimit shoqëror që i kanë dhënë një kuptim gjeneratave, seksualitetit dhe relatave midis faktorëve të shumtë. Për këtë arsye nuk është e saktë të flasim për një lloj familjeje, por për shumë lloje familjesh.
Për të kuptuar sa e vështirë është të japësh një definicion të përgjithshëm të familjes, duhet menduar qartë dhe gjatë, mbi marrëdhëniet që familja ka me kontekstin shoqëror. Konteksti shoqëror dhe familja ndikojnë te njëri-tjetri, sa mund të themi që konteksti shoqëror ndikon në mënyrën si e shohim familjen, sikurse e njejta ( familja) ndikon dhe nxit ndryshime kulturore.
Një gjë është e sigurt, mënyra si e shohim dhe kuptojmë “familjen” ndikon në mënyrën si jetojmë përditshmërinë dhe orientimin politik e shoqëror.
Për t’i dhënë një strukturë të përgjithshme familjes mund të themi që ajo është konteksti ku krijojmë elementët e parë të socializimit dhe ku krijojmë një vizion të botës që më pas e përdorim kur rritemi. Pra mund të themi që në familje krijohet bileta e hyrjes për në botën e jashtme. Prandaj familja është një nga dimensionet më të rëndësishme për të definuar dhe krijuar mirëqënien socio-ekonomike të individëve bashkë me shtetin dhe tregun.
Cili është vizioni që kemi sot për familjen ?
Nëse duam të jemi të përpiktë, mund të themi që nuk ka një mënyrë të përgjithshme për të klasifikuar familjen, por duke bashkuar hipoteza historike dhe teori të ndryshme, janë identifikuar disa faktorë që mund ta klasifikojnë. Në shekullin e kaluar kemi pasur një debat të madh se cilat janë aspektet më të rendësishme që definojnë marrëdhëniet familjare dhe teoritë më moderne flasim për një dimension fizik dhe një dimension relacional; pra familja nuk përbëhet vetem nga raporte të ngushta familjare, por dhe nga persona me të cilët kemi marrëdhënie të ngushtë emotive.
Për ta thënë me fjalët e një sociologut anglez, David Morgan, Family is a doing, pra familja nuk ka kritere fikse, por është një bashkësi praktikash të përditshme, veprimesh dhe sjelljesh të cilat kanë pasoja mbi individët e tjerë. Prandaj sot, familja krijohet duke vendosur që të kujdesemi për dikë tjetër, me të cilin nuk kemi lidhje gjaku, apo nuk jemi martuar.
Familja që njohim sot, jo si lidhje gjaku, por si konstrukt shoqëror, mund të formohet nga më shumë se një çift prindërish, nga të afërmit dhe fëmijët e tyre. Nuk duhet patjetër martesa për të qenë një familje e vërtetë, nëse në qendër qëndron raporti afektiv, dashuria dhe respekti. Kjo është një mënyrë shumë e mirë që të vendosim vetë se cilat janë rregullat më të mira për familjen tonë. Megjithatë në një realitet ligjor dhe institucional është e rëndësishme që ligjet të jenë më gjithëpërfshirëse dhe të përfaqësojnë të gjithë.
Studime të gjata dhe shekullore
Nëse nga një anë shkencat shoqërore kanë krijuar konceptin fiks të familjes, nga ana tjetër institucionet kanë më shumë vështirësi në normatizimin e këtij konceptit. Nëse kthejmë sytë nga historia shikojmë që qasjet kryesore janë ato funksionale dhe strukturore. Qasja e parë i përgjigjet pyetjes: “ Për çfarë duhet familja?” duke kërkuar karakteristikat universale të saj.
Përgjigja që kanë dhënë studiuesit në gjysmën e parë të shekullit shek ‘900 është ajo që ende sot mban në këmbë themelin e familjes tradicionale, ose qëllimin kryesor të familjes: riprodhimin, përkujdesin dhe edukimin e të vegjëlve. Disa vite pas teorisë së Malikonwskit, antropolog i shekullit të kaluar, kanë ardhur kritikat e para. Në kultura të ndryshme, ndryshon dhe roli i prindërve, dhe detyra që ata kanë: për shembull në disa raste kujdesi i fëmijëve i jepej dhe të afërmve.
Ndërkohë në gjysmën e dytë të shekullit të ‘900 qasja funskionale i përgjigjet familjes duke e trajtuar si një bashkësi përbërësish. Laslett që ka qenë eksponenti më i rëndësishëm i kësaj lëvizjeje, ka identifikuar tipologji të ndryshme familjesh në bazë të numrit të anëtarëve të saj dhe raporteve që ka mes tyre.
Midis bashkimit të këtyre dy teorive, lindi teoria që përdoret sot për të definuar familjen, apo disa kriterë të tërthortë që trajtojnë lloje të ndryshme karakteristikash:
- Kriteri gjeografik dhe banimi: individë që flejnë në shtëpinë e njëjtë ( nën çatinë e njëjtë)
- Kriteri funksional: ndajmë bashkë disa aktivitete ( rritja e fëmijëve, ushqimi, konsumi, prodhimi)
- Kriteri racional: ka një marrëdhënie trashëgimie ose relative
Ky lloj modeli i përshtatet atij të sociologut Morgan, Family is a doing, duke fiksuar disa kritere të sakta, por jo unifikuese për të definuar bërthamën familjare.
Po në Shqipëri, si funskionon ?
Nuk di ta them me saktësi sepse në faqen e ëebit të Instatit nuk gjeta asnjë dokument ligjor që flet për tipologjitë e familjeve në Shqipëri, ndërkohë që neni 1 i Kodit të Familjes flet për Institucionin e martesës, duke përmendur familjen në disa paragrafë, por gjithmonë si pjesë integruese e martesës, duke më bërë të kuptoj që nga ana institucionale në Shqipëri njohim vetëm familjen tradicionale ose prindërimin dhe përgjegjësitë ndaj fëmjjëve. Nëse tentoj të bëj vetë një ndarje duke u bazuar në praktikat e shteteve të tjera them se në Shqipëri de facto njohim:
- Familjen heteronormative: çift me disa fëmijë
- Familja e përbërë nga një person ( heteronormativ ) me ose pa fëmijë
Sipas nenit 16 (3) të Deklaratës të Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, “ Familja është njësia bazë grupore e shoqërisë të cilës i jepet mbrojtje nga shoqëria dhe shteti” Duke vazhduar kërkimin për shtetet e tjera në BE, zbuloj që secili shtet ka një definicion të vetin për familjen, dhe që nga ky definicion varen dhe ekuilibrat dhe politikat shoqërore.
Prandaj, është e rëndësishme të unifikohet institucionalisht një definicion për familjen në mënyrë që mos keqpërdoren hapësirat ligjore, apo të rrezikojmë njohjen e fëmijëve nga një prind, nëse njëri jeton jashtë apo nëse çifti nuk është heteronormativ. Është e rëndësishem që të ketë një unifikim midis ligjeve dhe realitetit.
Jep koment