Dëshira për të kuptuar më mirë lidhjet midis ushqimit dhe sjelljes erdhi pasi pashë një dokumentar i cili fliste për studimet e fundit në shkencë të cilat shikonin një lidhje të rëndësishme midis ushqimit të mirë, gjendjes psiko-fizike të fëmijëve dhe pjesës tjetër të jetës së tyre. Për të zbuluar më shumë rreth rëndësisë së ushqyerjes që në shtatzëni, por dhe para konceptimit, vendosa të kryej një bisedë me mjekun obstetër-gjinekolog Ardi Prushi, cili për momentin kryen shërbimin e tij pranë spitalit Hygeia. Një nga studimet e Dr. Prushi ka qenë pikërisht “ushqyerja gjatë shtatzënisë dhe ndikimi” në të cilën tregohet qartë se si një shtatzëni e shëndetshme fillon para konceptimit, prandaj dhe këshillimi dhe ndryshimi i stilit të jetës duhet të jenë në qendër të vëmendjes.
Tabu: A ekziston një lidhje midis ushqimit dhe sjelljes ?
Mund të themi: patjetër që po. Ushqyerja sikurse në aspektin fizik ndikon dhe në aspektin mendor, faktor ky i fundit që përcakton sjelljet dhe ragimet tona karshi situatave dhe rrethanave ku ne gjendemi. Sot ka disa studime, pavarësisht se jo definitive, të cilat tregojnë për lidhjen midis ushqyerjes dhe disa prej patologjive kryesore mendore, duke përmendur depresionin, skizofreninë apo demencën. Mikronutrientët janë ato faktorë të cilët përcaktojnë zhvillimin nervor dhe për këtë fakt janë tepër të rëndësishëm në mbarëvajtjen nervore dhe psikike.
Tabu: A ka mundësi që ushqimi të ndikojë të një individ që në kohën që ai është në barkun e nënës ?
Më shumë se kurrë është e vërtetë shprehja “Ne jemi çfarë hamë”. Kjo së fundmi u vërtetua plotësisht nga një studim në familjet europiane, kryer nga NUTRIMENTHE, (projekt studimor zhvilluar nga BE për të vlerësuar rolin e ushqyerjes prenatale dhe të periudhës së hershme në lidhje me zhvillimin mendor të fëmijës) i shtrirë në një periudhë 5-vjeçare, aftagjatë nga mosha 0-9 vjeç.
Postulati i studimit ishte: “Ka të dhëna të forta se ushqyerja e mirë e hershme ndikon në zhvillimin konjitiv të vonshëm”.
Pra mund të themi se statusi nutricional amtar përgjatë shtatzënisë ndikon në zhvillimin e trurit dhe për pasojë prek funksionin konjitiv dhe të sjelljes në fëmijëri.
Tabu: A ka studime serioze rreth kësaj tematike që vënë në vëmendje faktin që një ushqyerje e keqe mund të “prodhojë” fëmijë më agresiv dhe hiperaktiv ?
Një përgjigje për këtë temë nuk di ta jap pasi nuk është fusha ime dhe për të qenë realist dhe i sinqertë me ju nuk kam informacione në lidhje me këto 2 problematika. Gjithsesi mund të ritheksoj se ushqyerja e mirë përgjatë shtatzënisë sjell në një outcome më të mirë fetal në zhvillimin psiko-somatik në tërësi.
Tabu: Bazuar në të gjitha këto sa e rëndësishme është ushqyerja në shtatzëni?
Absolutisht ushqyerja gjatë shtatzënisë është i vetmi faktor i ndryshueshëm, i vetmi faktor në fakt të cilin e ka plotësisht nëna në dorë. Mbarëvajtja e shtatzënisë absolutisht që ndikohet thelbësisht nga faktori i ushqyerjes. Madje është aq e rëndësishme ushqyerja sa përcakton dhe sëmundshmërinë në jetën e mëvonshme të pasardhësit.
Pra, ushqyerja e mirë veçse përcakton një shtatzëni të mirë për nënën, përcakton dhe sëmundshmërinë për pasardhësin.
Këtu mund të përmend 2 patologji të cilat lidhen më ushqyerjen gjatë shtatzënise: diabeti dhe obeziteti!
Tabu : Nëse nuk kemi pasur një regjim të mirë gjatë shtatzënisë dhe kemi një fëmijë “problematic” a mund të ndërhyjmë në sjelljen e tij nëpërmjet regjimit ushqimor? Sërish do gaboja nëse do jepja një përgjigje për këtë pyetje. Në fakt, këto janë problematika komplekse të cilat sigurisht duhet të ndiqen sëbashku me nutricionistët, mjekët neuro-pediatër dhe psiko-pediatër. Obstetri në fakt e ka kryer punën e tij dhe del jashtë fushës së veprimit. Do të të inkurajoja që në fakt këto pyetje ti zhvilloje dhe me profesionistët e fushës pasi janë tepër të rëndësishme dhe me vlerë për publikun dhe kolegët e tjerë.
Tabu : Cilat janë ushqimet që nënat NUK duhet të përdorin gjatë shtatzanisë ?
Sigurisht që ka klasa të ndryshme ushqimesh të cilat janë më pak të lejuara gjatë shtatzënisë, por në mënyrë kategorike nuk ka ushqime të cilat nuk duhet të përdoren. Sigurisht ka ushqime që duhen konsumuar në sasinë dhe cilësinë e duhur.
Madje dhe stili i jetesës dhe “qejfet” mund të përdoren në masën e duhur gjatë shtatzënisë.
Tashmë në programin e NHI të Mbretërisë së Bashkuar thuhet se “Gratë mund të konsumojnë alkool gjatë tremestrit të parë, nëse ato e dëshirojnë diçka të tillë”. Sigurisht vlerat janë të përcaktuara dhe lejohet maksimumi 1 gotë verë në javë (125 ml) për një % alkooli prej 14.
Personalisht unë i inkurajoj shtatzënat të mos konsumojnë alkool gjatë tremestrit të parë dhe më pas të mund të konsumojnë unitetet e mësipërme.
Në stilin e jetesës i vetmi faktor i ndaluar është duhani, madje duhet ndërprerë 2-3 muaj përpara konceptimit. Shtatzënat gjithashtu duhet të evitojnë dhe konsumin pasiv të duhanit.
Tabu : Cilat janë ushqimet që gratë janë të këshilluara të përdorin gjatë shtatzënisë ?
Gruaja shtatzënë në fakt duhet të konsiderohet dhe të ndjekë një dekurs ushqyerje të shëndetshëm sikurse jashtë saj. Sigurisht vlerat ushqimore, kategoritë, sasitë dhe cilësia e tyre duhet bërë rast pas rasti në varësi të BMI.
Në vija të përgjithshme mund të thuhet se një ushqyerje me perime, zarzavate dhe proteina është e këshillueshme. Frutat gjithashtu janë të këshillueshme, por nuk duhet të tejkalohen për shkak të përqëndrimit të lartë të sheqerit çka mund të çojë në rritje të peshës dhe depozitimit dhjamor. Sidomos me frutat e stinës së verës duhet të jemi tepër të kujdesshëm pasi niveli i sheqerit është i lartë në to.
Tabu: Në studimin tënd “Njohuritë mbi ushqyerjen gjatë shtatzënisë, cili është niveli në gratë Shqiptare? “, lexova për përllogaritjet në kalori të marra dhe të harxhuara që një grua duhet të marrë gjatë gjithë shtatzënisë; kaq i rëndësishëm është raporti kalorik?
Në fakt është raporti më i rëndësishëm në vlerësimin e ushqyerjes përgjatë shtatzënisë. Do zgjatem pak për të ilustruar studimin e parë që u bë mbi faktorin kalorik dhe që dha një përgjigje definitive për këtë pyetje.
“Dimri i urisë Holandeze”.
Gjatë luftës së Dytë Botërore, përëndimi i Holandës ishte bllokuar nga furnizimi me ushqime për një periudhe të limituar nga Nentori i vitit ‘44 – Maj ‘45. Në periudhën më të keqe të kësaj krize, kalorazhi ditor shkonte nga 400 – 800 kCal/ditë. P.Sh një kalorazh i tillë përfshin vëtëm 2 patate, 1 fetë bukë dhe gjysmë panxhar sheqeri. Pavarësisht kohës së keqe të luftës dhe urisë, një spital në Amsterdam mbajti shënim rezultatet e vizitave pre-natale dhe peshave të bebeve.
Hulumtimi i këtyre të dhënave jashtëzakonisht të vlefshme tregoi që në varësi të kohës gjatë së cilës ka ndodhur uria, rezultatet në pasardhës ndryshuan dukshëm. Për shembull, kur një reduktim domethënës, në marrjen e kalorazhit ditor ndodhte gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë, obeziteti i vonshëm, diabeti dhe sëmundjet kardiake tek pasardhësit rriteshin dukshëm.
Këto të dhëna tregojnë se mungesa e energjisë dhe nutrientëve para konceptimit dhe gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë lidhet me një risk të lartë të sëmundshmërisë jo komunikuese në jetën adulte, krahasuar me ekspozimin e privimit apo urisë në fazat e vonshme të shtatzanisë.
Nënpesha e nënës gjithashtu lidhet me një risk të lartë për rezultate shtatzënie të pafavorshme. Këtu mund të përfshihen lindjet preterm, peshë e ulët e bebit, gastroskiza ( defekt në lindje), krahasuar me një grua me peshë normale.
Ndjekja e një diete të shëndetshme nga gratë, por gjithashtu dhe nga burrat duhet inkurajuar.
Gjithsesi për të dhënë disa shifra, pasi gratë që mund të lexojnë këtë pjesë mund të mendojnë se duhet të shtojnë kalorazhin në maksimum e cila do çonte në mbipeshë:
Një grua shtatzënë, në fund të saj ka nevoje për rreth 200kCal më shumë sesa ç’konsumon jashtë shtatzënisë, ose rreth 10% shtesë, gjithmonë në fund të shtatzënisë!
Living: Cilat janë këshillat që një grua shtatzënë duhet të ndjekë më patjetër dhe a është gjinekologu personi i duhur për të folur dhe për pjesën e regjimit ushqimor? Ka ardhur momenti në fakt që shtatzënitë të planifikohen për të bërë të mundur një mbarëvajtje sa më të mirë.
Vizita prekoncepsionale duke përfshirë një sërë analizash infeksioze, vlerësimi i statusit të BMI, përcaktimi i fertilitetit në çift, ndërprerja e duhanit dhe alkoolit si dhe fillimi i një ushqyerje të shëndetshme do çonin padiskutim në një outcome feto-amtar të favorshëm.
Mjeku obstetër-gjinekolog padiskutim që është hallka kryesore në përcaktimin e nevojave nutricionale që kërkon një grua shtatzënë, duke filluar nga përcaktimi i BMI, ndjekja e analizave dhe elementëve biokimik të gruas, dhënia e nutrientëve semi-artificial të nevojshëm, ndjekja e patologjive të mundshme të nënës, depistimi i tyre paraprak si dhe vlerësimi i fetusit përgjatë shtatzënisë.
Unë do rekomandoja që çdo zëvendësim për nutrientët semi-artificial të bëhet në përputhje me nevojat reale fiziologjike të gruas shtatzënë dhe jo në përputhje me nevojat marketuese dhe të tregut.
Sigurisht, çdo grua duhet të marri doza të Acidit Folik (400-600 mcg), që në periudhën prekoncepsionale e deri në javën e 12-të të shtatzënisë. Acidi folik është i vetmi element egzogjen ( i jashtëm) i vlefshëm për këtë periudhe i cili duhet marrë a-priori. Madje mosmarrja e tij çon në defekte të zhvillimit qelizor neural.
[…] Për të mësuar më shumë rreth kësaj pjese kaq të rëndësishme të trupit, vendosa të kryej një intervistë me mjekun obstetër – gjinekolog Ardi Prushi që gjeni në spitalin Hygeia. Një tjetër intervistë me Dr. Prushin, mund ta lexoni këtu. […]