Hematoma te brendshme

Hematoma të brendshme- dhuna verbale

Gjatë kësaj kohe kam reflektuar shumë mbi dhunën dhe kam kuptuar diçka: të gjithëve iu pëlqen ta dënojnë, por askush nuk pranon që e praktikon. Askush nuk pranon që zotëron sjellje të dhunshme, manipuluese, nervoze, agresive.  I thërrasim me tjetër emër, themi që janë “nerva”, themi që është “stress”, themi që kemi karakter pasionant apo gjak shqiptari, që kemi një identitet të fortë dhe dominues, por që në fund jemi njerëz të mirë dhe të ndjeshëm. Gjejmë alibi nga më të ndryshmet, vetëm për të mos pranuar, që po, herë pas here kemi sjellje të dhunshme. Planifikojmë skenar mbrojtës duke përfshirë në kauzë prindër, komshinj, babagjyshin e Vitit të Ri, vetëm për të mos pranuar faktet.

Nga një anë ekziston mendimi që dhuna është diçka fizike dhe që si rrjedhojë nëse nuk e mbyt në dru, mund të jesh i qetë: nuk je i dhunshëm. Nga ana tjetër kemi nevojë të mendojmë që dhuna është diçka e shëmtuar që ka të bëjë me jetët e të tjerëve, jo tonën. Është një monstër i cili ndodhet vetëm në faqet e kronikës së zezë, në programet televizive që na rrëfejnë histori të njerëzve të tjerë, duke na i dhënë për vakt, për të na bërë të ndihemi më mirë ndaj atyre monstrave, ndaj atyre frymorëve, ndaj atij mohimi të natyrës dhe shoqërisë. Natyrish që situata është më e komplikuar.

Nëse është e vërtetë që jo të gjithë luftojmë, ose që jo të gjithë i hedhim thika njëri-tjetrit, ose godasim me levë apo me gërshërë, është e vërtetë që shumë prej nesh, angazhohen në atë që quajmë dhunë verbale. Nuk është vetëm dhuna në shtëpi, por  dhe kur bëhemi luan të tastierës, apo të dhunës digjitale që vërshon në telefonin tonë me anë të komenteve inatçore ndaj kategorive të ndryshme. Janë dhe gjithë ato herë të tjera kur i përdorim fjalët për të lënduar, ose për t’u mbrojtur ose për të na ofenduar. Me fjalë të tjera mendojmë që dhuna verbale është normale, e pranueshme ose në fund  diçka normale. Mendojmë që është më pak e rrezikshme, më pak përfshirëse, bëjmë kompromise duke e bërë pjesë të qënies tonë dhe të raporteve tona ndërpersonale. E trajtojmë si më pak të dëmshme se dhunën fizike ( sepse padyshim që të ulërasësh është më pak e keqe se të shash dikë nga tastiera) e trajtojmë sikur nuk është dhunë sepse dhuna është diçka tjetër.

E pikërisht është kjo qasje që më shkatërron nga nervat, sepse dhuna verbale është dhunë dhe duhet ta njohim dhe ta thërrasim me emrin që ka. Çështja qëndron te fakti që dhuna, çdo lloj dhune, e çdo entiteti, nuk duhet pranuar, kurrë.

Çështja qëndron te fakti që fjalët të godasin nëse i përdorim me atë qëllim. Godasin fortë si duart, si leva,  si rripi apo zorrat e ujit. Fjalët godasin dhe të lejnë shenja të brendshme, hematoma të shpirtit, që duan, ditë, javë, muaj dhe ndonjëherë dhe vite që të shërohen, mblidhen, thahen. Të thuash që dhuna verbale nuk është dhunë është si të thuash që shkembimi i mesazheve erotike nuk është tradhti. Padyshim që seksi me penetrim nuk është si të dërgosh foto sexy, por nëse zbulon që partneri yt masturbohet dhe ia nis këto video nje vajze të re, nuk është që kjo ngjarje do nxisë dashurinë, besimin dhe vlerësimin ndaj tij.  E njejta vlen nëse ai merr vesh që fotot e vulvës tënde janë të shpërndara kudo. Këto ngjarje nuk do përmirësojnë komunikimin, dashurinë dhe vlerësimin në çiftin tuaj.

Çështja është që dhuna verbale është e ndryshme nga ajo fizike,  por që pasojat ngelin njëlloj. Edhe se ka rrethana lehtësuese, vlerësime apo faktorë mjedisorë. Në çdo rast problemi ekziston. Do thoni që po i bëj një proçes qëllimeve të dikujt. Ndoshta dhe po i bëj. Por ajo çka uroj është që të fillojmë ta kundërshtojnë dhunën që nga fillimi, qëllimin e saj, zanafillën e saj. Në mënyrë që mos të qajmë mbi pasojat dhe dëmet.

Padyshim që nuk dua të them që ata që çojne mesazhe kërcënuese, ofenduese, zhvlerësuese e kështu me rradhë, janë në gjendje ose do të presin fytin. Sikurse nuk mendoj që atë që pinë naj bar apo këte nuk fillojnë të gjithë të pinë heroinë, është propagandë koti. Nga ana tjetër  nuk mendoj as që duhet të arrijmë në overdozë për të pranuar që kemi varësi. Nuk duhet të shohim veten në burg për të kuptuar që kemi një problem në menaxhimin e emocineve, inatit, dhunës ndaj të tjerëvë dhe vetes.

Unë per shembull në fazat e mia agresive nuk  jam ndierë apo ndihem mirë me veten. Kur ulërisja si e çmendur, kur nga të bërtiturat më ikte zëri për ditë. Kur nuk arrija të menaxoja reaksionet e mia, ose të pranoja një lloj autoriteti. Kur jam me nerva me veten dhe të tjerët, kur jeta ime ishte e bazuar mbi fyerjet standarte ndaj shoqërisë; kur ia shkarkoja të tjerëve përgjegjësitë e frustrimit tim; kur mendoja që të shëroja veten ishte një mision që duhet të bëntë dikush tjetër, prindi, i dashuri, një shoqe apo Brad Pitt. Në këto vite më ka ndodhur të jem e dhunshme dhe agresive. Verbalisht, ndonjëherë edhe vetëm me shikim. Ndonjëherë edhe fizikisht.

Më ka ndodhur më një partner që mendoja që ia dilte mbanë me mua. Që ishte i fortë sa unë, që mbante këtë ndeshje verbale, një urrejtje sintaktike. Në raste të tilla, kur ndahesh ngel vetëm ajo pjesa e shpifur, dështimi, fundi dhe vetëdijësimi i hidhur që kur marrëdhëniet janë toksike dhe kur nuk nxjerrim më të mirën, ato duhet të marrin fund.

Shpesh herë, njerëzit njihen, pëlqehen, dëshirohen dhe zgjidhen. Më pas dashurohen e pastaj lodhen me njëri- tjetrin. Pastaj në raste të rralla praktikojën dhunën verbale, në fillim ngjan dhe si një mënyrë perverse por plotësuese e kanalizimit të energjisë negative. Pastaj dhuna hyn ngadalë dhe zotëron përditshmërinë, normalizohet, duke vënë në rrezik çdo gjë të bukur. Sepse në fillim e zgjedh tjetrin se të pëlqen si flet, si qesh, si të dashuron, e më pas çdo gjë zhduket, sikur nuk ka ekzistuar kurrë.

Dhuna është diçka që kam përjetuar në vetë të parë. Fizike, verbale, emocionale. Është dicka që njoh, që kam përpunuar dhe zbutur, prandaj është dicka që më frikëson.  Çdo formë e saj. Jo sepse është politikisht korrekte të jesh kundër saj, jo sepse kam frikë mos më hedhin nga kati i tretë ( edhe se jetoj me mamin), por sepse dhuna është një jashqitje e madhe. Çdo lloj formë e saj. Verbale, emocionale, fizike, politike,  ushtarake, kulturore, publike apo private. Është e shpifur, është e shpifur kudo, edhe nëse vjen nga unë, nga ai, nga ne, nga ata, në stadium, në miting, në sallon apo në dhomën e gjumit. Është e shpifur kur është sporadike, e zakonshme, dhuna është jashtëqitje.

Jashtëqitje që prodhon jashtëqitje.

Feçe që mban erë, që të bën pis, që të infekton si korona virus.

PS: Ndonëse në postet e mia shpesh herë rrefej situata personale, aspak të lehta, mendoj që është me e lehtë kur unë shpreh opinionet, perceptimet dhe eksperiencat e mia. Kur flas kam më pak frikë. Sepse është frika ajo që thellon stigmën, paragjykimin, stereotipin. Unë i kanalizoj kështu.

#harramqumshtinenenes #harramtamlinenanes

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.