Në Shqipëri flasim për seks vetëm për t’u skandalizuar. Por kur vjen puna te trupat që nuk i përshtaten standardit të “perfeksionit”, ne zgjedhim heshtjen. Personat me aftësi të kufizuara janë shpesh të parë si trupa që duhen kuruar, jo si qenie që ndiejnë, si trupa për të cilët duhet të kujdesesh, jo trupa që mund të dëshirosh.
Në të vërtetë, ajo që na mungon është një kulturë që njeh seksualitetin si pjesë të qenies njerëzore, jo si privilegj për pak veta.
Këtu janë 15 mite që e mbajnë shoqërinë tonë peng dhe që duhet të vdesin njëherë e mirë.
Miti: Personat me aftësi të kufizuara nuk kanë të drejta seksuale.
Fakt: Të gjitha qeniet njerëzore i kanë këto të drejta, pa përjashtim.
Përjashtimi i tyre nga edukimi, shërbimet apo kujdesi shëndetësor seksual është formë e pastër diskriminimi. Seksualiteti nuk është luks, është e drejtë themelore.
Miti: Ata nuk ndiejnë epsh apo dëshirë.
Fakt: Trupi me aftësi të kufizuara është po aq i gjallë, i ndjeshëm dhe i etur për dashuri sa çdo trup tjetër.
Aftësia e kufizuar nuk fshin dëshirën, është shoqëria që e hesht atë.
Miti: Ata mund të dashurojnë vetëm njerëz me aftësi të kufizuara.
Fakt: Dashuria nuk ndjek manuale, as kufij biologjikë.
Personat me aftësi të kufizuara krijojnë marrëdhënie të thella, të bukura dhe të plota me këdo që i sheh si të barabartë.
Miti: Ata nuk mund të jenë partnerë të mirë.
Fakt: Të jesh partner i mirë s’ka lidhje me muskujt, por me mendjen, empatinë dhe humorin.
Dashuria matet me praninë, jo me forcat trupore.
Miti: Ata s’kanë nevojë për edukim seksual.
Fakt: Pikërisht mungesa e këtij edukimi i ekspozon ndaj abuzimit, dhunës dhe keqinformimit.
Të mos u flasësh për trupin, është ta kontrollosh atë.
Miti: Ata nuk përjetojnë dhunë seksuale.
Fakt: Personat me aftësi të kufizuara janë 3–4 herë më të ekspozuar ndaj dhunës dhe abuzimit.
Kur shoqëria nuk i dëgjon, abuzuesit veprojnë në heshtje.
Miti: Ata nuk mund të kenë fëmijë apo të jenë prindër të mirë.
Fakt: Prindërimi nuk është çështje “aftësie”, por dashurie.
Shumë prindër me aftësi të kufizuara rrisin fëmijë të lumtur, empatikë dhe të fortë ndoshta më shumë se ata që quhen “normalë”.
Miti: Marrëdhëniet e tyre janë gjithmonë të bazuara në kujdes, jo në dashuri.
Fakt: Po, partneri mund të ndihmojë por kjo s’e zbeh as pasionin, as barazinë.
Ndihma fizike nuk përjashton dëshirën. Trupat kujdesen, dashurojnë, preken.
Miti: Nëse dikush bie në dashuri me një person me aftësi të kufizuara, “ka diçka që s’shkon” me të.
Fakt: Kjo është forma më e rafinuar e ableizmit të mendosh se trupi me aftësi të kufizuara s’mund të jetë objekt dëshire.
Dashuria s’është terapi. Është zgjedhje.
Miti: Personat me aftësi të kufizuara intelektuale s’mund të marrin vendime për jetën e tyre romantike.
Fakt: Ata kanë të drejtë të duan, të zgjedhin dhe të përjetojnë intimitet, si çdo qenie tjetër.
Autonomia trupore nuk duhet të ndalet te prindërit apo kujdestarët.
Miti: Ata nuk mund të mbeten shtatzënë apo të transmetojnë infeksione seksuale.
Fakt: Po, mund të mbeten shtatzënë, mund të infektohen, mund të dëshirojnë dhe të zgjedhin.
Seksualiteti nuk pushon ekzistencën në prani të aftësisë së kufizuar.
Miti: Ata nuk janë të denjë për dashuri.
Fakt: Asgjë nuk e bën njeriun më të padenjë për dashuri sesa paragjykimi i tjetrit.
Aftësia e kufizuar nuk ndalon dashurinë përkundrazi, e bën më njerëzore.
Miti: Ata s’mund të jenë LGBTQ+.
Fakt: Ka persona me aftësi të kufizuara që janë gej, lezbike, biseksualë, trans, queer dhe identitetet e tyre janë të vlefshme.
Trupat me aftësi të kufizuara nuk janë as më pak, as më shumë të “konfuzë”. Janë thjesht njerëz.
Miti: Ata kanë gjëra më të rëndësishme për t’u marrë sesa seksi.
Fakt: Të ndihesh mirë në trupin tënd, të ndash intimitet dhe të përjetosh kënaqësi, është pjesë e mirëqenies, jo një luks.
Seksualiteti nuk është poshtë nevojave fizike – është pjesë e tyre.
Miti: Personat me aftësi të kufizuara nuk janë tërheqës.
Fakt: Tërheqja nuk është simetri, por dritë. Trupat e tyre janë të bukur, sensualë, të fortë dhe të vërtetë.


Jep koment