Kthim me ishin

Pse nuk duhet të kthehemi me ish-in.

Një nga fenomenet më skandaloze që mund të të ndodhë gjatë kohës së beqarisë është një kthim plot pasion te ish-i.

Mund të ndodhë për shumë arsye. Rastësi, ngjarje momentale, periudhë e gjatë apneje emocionale, dëshirë për të qënë përsëri aktive-  jo për gjë por  mban mend që kalonit shumë mirë. Ajo çka dua të them është që mund të ndodhë për mijëra arsye, ndonëse tashmë dihet dhe pranohet dhe nga  opinioni publik- sikurse dimë që toka rrotullohet rreth diellit- që të takohesh me një ish është një super budallallëk, sepse ish-i nuk është asnjëherë ide e mirë.

Ia kam thënë edhe vetes, por dhe mikeshave, që kthimi në një histori të vjetër edhe kur keni qënë super çift nuk është ide e mirë. Sepse ndonjëherë dhe historitë perfekte mbarojnë. Pse ? Nuk e di. Historitë, por dhe dashuria ndodh që mbarojnë. Megjithatë unë mendoj që nëse personi është ish një arsye ka dhe shpesh herë është trishtimi i vetmisë, apo inkoherencat që na bëjnë njerëz, arsyet e nje situate të tillë,  me të cilën përballen shumë prej jush.

  • E vetmja gjë e mirë e ngrohur mbasi është gatuar njëherë është orizi me fasule.
  • Kujtimet mashtrojnë. Ë bëjnë për të mbijetuar. Janë si ato kekat që ke dashur shumë kur ke qënë i vogël,  të butë dhe me çokollatë, por kur i provon mbas shumë vitesh, kur tashmë je rritur, ndien një shije plastike dhe çokollate të vjetëruar. Një ish është si memoria e një keku fëmijërie, nuk duhen provuar dhe se kemi një kujtim të bukur.
  • Nëse është bërë ish ka arsye dhe nuk është e thënë që ta zbulosh përsëri nëse e ke harruar, sepse nëse sforcohesh pak e mban mend. Ndoshta të ka lënduar, ndoshta nuk e kishe më qejf, ndoshta kishte ardhur koha të ndaheshit. Prandaj fjalitë si:” Kishim nevojë për pak kohë për të kuptuar që jemi të bërë për njëri-tjetrin” ose “ U takuam në një moment të vështirë të jetës” janë  si të vraposh në Dhërmi pa shapka: Një budallallëk i dhimbshëm.
  • E kuptoj dëshirën për t’u ndjerë e gjallë, për të ndjerë pasion, por nësë je afër 30-ave ose si unë i ke kaluar, joga, palestra, vibratori, turizmi kulturor, janë ide perfekte.
  • Seksi me një ish, ndonjëherë, padyshim që është shumë i mirë. E njohim njëri-tjetrin, ka dhe ndjenja midis nesh prandaj seksi nuk është si një seri ushtrimesh për vithet, por një dimension i vërtetë njerëzor. Pastaj është dhe sharmi i gabimit. Vetëm që për këto situata nuk ekziston “pilula e ditës së nesërme” që rregullon çdo gabim potencial.
  • Nëse duam një definicion për ishin ai gjendet lehtë, është i zënë. Flas për ato ish-a që kanë vlerë, jo kota-biskota. Në disa raste është i martuar, nuk nxit urinë, nuk nxit asgjënë, ndonëse ky është një problem global me të cilin përballemi ne vajzat dhe grate. Nëse ish-i është i zënë dhe ju flirtoni me të, do ndiheni mirë, sikur keni hyrë në një nga ato dyqanet vintage ku çdo gjë edhe se shekullore kushton sa qimet e kokës. Kujdes ama, sepse mbas pak mund të ju duket vetja si te tregu i bicikletave, ku paguani dyfish për një qilim që keni hedhur vite më parë.
  • Nëse ish-i është në lidhje, njerëzit do e dinë, sepse gjërat që ndodhin dihen.  Nëse situata është e tillë, ose je një budallaqe ose ai është i dëshpëruar dhe e di që ti je gjithmonë në dispozicion. Çjka të bën ty përsëri budallaqe. Ose nuk do e vrasësh medjen, ose do e mendosh më gjatë dhe nuk do lejosh përdorimin tënd.
  • Metamorfoza estetike është një pikë e dhimbshme. Mbas disa vitesh, një, dy, pesë, burrat sikur bëhen me burra dhe më të mirë. Flokët pak të bardha dhe ndonjë rrudhë i bëjnë më interesantë, si vera, sa më shumë kalon koha aq më e mirë bëhet. Ndërkohë ti, që je grua, dhe të ka mallkuar natyra që në lindje, vetëm nëse je ndonjë yll Hollyëoodi je e tillë, por me shumë gjasa ke më shumë kile, celulit, probleme,  më pak aftësi për të qëndruar mbi taka dhe për të pirë sikur nuk ka më të nesërme.
  • Nëse takoheni me të, bëhuni gati për disa muaj kokëdhimbje, edhe nëse shkon mire,  por dhe nëse shkon keq. Në të dyja rastet do pyesësh veten : “ Po unë ç’desha më këtë ? “ Do të duhet të përballesh me veten, me budallallëqet e tua. Pasojat e këtij takimi, janë si një kthim apo një hedhje të brumërat, mbasi ke 10 vite që nuk i prek me dorë.
  1. Ndërkohë do e kuptosh që ndonëse vitet e fundit kë qënë si në një  anestezi të përgjithshme, jeta jote ka ndryshuar. Nuk ke më kohë për aventura nervore, por as miqtë e tu për të të shpëtuar nga lëmshet emotive që ke krijuar vetë. Pra deri sa arrin të 30-ata edhe mund të të kuptojmë, por mbas kësaj moshe, gabimi yt, plagët e tua, lëpiji vetëm.

Prandaj mos harroni, jemi të rritura, të pavarura dhe të afta. Jeta është e tillë, lufton për kompromisë që pastaj humbet, lufton për siguri që më pas nuk ke, lufton që mendja të ketë pushtet mbi zemren dhe anasjelltas. Varet si zgjedhim ta jetojmë jetën apo varet nga ajo që zgjedhim të heqim dorë.  Mësimi më i madh që mund të marrim është që të duam veten, ta ndihmojnë dhe jo ta sabotojmë atë. Të paktën të mundohemi.

Zhaklin Lekatari

Jep koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Titulli i pageses

Subjekti i pageses
Vendosni emailin tuaj:

Miqt e Tabu-s